Kur pushka shndërrohet në flaut – Konstantin Zllatev dhe arti me mesazh për paqe

Bullgari ndërton karrierë në Amerikë, por pandemia e shtyn të kthehet në atdhe

Kur pushka shndërrohet në flaut – Konstantin Zllatev dhe arti me mesazh për paqe

Para 27 vitesh, pasiguria në të cilën ndodhej vendi ynë, por edhe pasioni për ngjitje, e bëri bashkatdhetarin tonë, Konstantin Zllatev, të marrë çantën mbi supe dhe me rreth 3000 dollarë të niset drejt një ëndrre – të ngjisë ndonjë prej majave shkëmbore në parkun kombëtar Yosemite të Shteteve të Bashkuara, që ndodhet në shtetin e Kalifornisë.

"Dëshira ime për të qëndruar lindi, sepse doja të vazhdoja të ngjitesha dhe të zhvillohesha në këtë mjedis. Ngjitja atje është shumë më ndryshe nga kudo tjetër në Evropë. Shkëmbinjtë janë të përbërë nga graniti, mbi të cilin ka të çara jashtëzakonisht të lëmuara, ku duhet të dish si të shkelësh. Në Evropë kemi shkëmbinj gëlqerorë ose granitë, në të cilët gjithmonë ka vende ku mund të kapesh," – rrëfen për sfidat e ngjitësit Konstantin Zllatev.

Njëri prej njerëzve të parë me të cilët njihet për shkak të këtij pasioni, zotëron një kompani për mirëmbajtjen e pemëve, ku bullgari fillon punë për të blerë pajisjet e nevojshme për ngjitjet e tij. Pak kohë më pas, megjithatë, ai ri-orientohet drejt biznesit të tij:

"Ndërsa jetoja mes ngjitësve, krijova një kompani që prodhonte pajisje sportive dhe për alpinizëm. Prototipet e para ishin qepur në Bullgari dhe më pas importoheshin në SHBA. Gjatë këtij procesi, kuptova se kisha nevojë për një trajnim më serioz të dedikuar dizajnit. Zgjodha dizajnin industrial dhe për një kohë të gjatë punova si dizajner i teknologjive kompjuterike. Në një moment, u bëra edhe pjesë e disa projekteve të NASA-s, duke zhvilluar satelitë për një kompani private me të cilën agjencia bashkëpunonte. Satelitët duheshin të ishin të aftë për të bërë fotografi dhe për të transmetuar 24 orë në ditë në Tokë."

Bullgari filloi të merrej me art, për shkak të përvojës së tij në dizajnin industrial, i cili nuk i sillte më kënaqësi të mjaftueshme. Ai iu përkushtua drejtimit modern të artit.

Me shfaqjen e Covid-19, arti ishte një nga fushat ku pandemia ndjehej më fort, dhe porositë u pakësuan ndjeshëm ose u zhdukën krejtësisht. Kështu ndodhi edhe me Konstantinin, i cili pranon se për më shumë se dy vjet nuk kishte marrë asnjë email.

"Edhe pse ato ishin vite të vështira për ne në aspektin e humbjeve familjare – babai im ndërroi jetë, po ashtu edhe nëna e gruas sime – ato na dhanë mundësinë të rimendonim jetën tonë dhe drejtimin që po merrnim. Ishim bllokuar në Pakistan, prej nga është gruaja ime, dhe për tre muaj nuk mundëm të largoheshim, sepse gjithçka u mbyll. Edhe për këtë jam mirënjohës, sepse mundëm të kalonim më shumë kohë me familjen e saj, me të cilën më parë takoheshim vetëm për disa ditë. Me rastin e parë për fluturime, erdhëm në Bullgari, ku qëndruam për 9 muaj te babai im. U vendosëm në qytetin Gabrovo (Bullgaria Qendrore), sepse prindërit e mi jetonin atje, pranë qytetit, dhe kemi këtë vend ku mund të qëndrojmë. Me pak fjalë – sado e tmerrshme të ishte Covid-i për disa njerëz, për ne ndihmoi që të merrnim më shpejt vendimin për t’u zhvendosur në Bullgari."

"Thuajse gjithçka në karrierën time si artist dhe skulptor filloi në Amerikë," ndan Konstantin Zllatev në një intervistë për Radio Bullgaria, ndërsa vepra të tij ngjallin interes te koleksionistë të artit bashkëkohor në Nju Jork dhe San Francisko. Sot, ai vazhdon të krijojë vepra të tij dhe të dërgojë mesazhe ndaj një bote të mbushur me luftë dhe dhunë. Si një kundërpeshë ndaj numrit në rritje të incidenteve, ku njerëz të pafajshëm, kryesisht të rinj, humbin jetën nga të shtënat e pakontrolluara në vende publike në SHBA, bullgari përdor armët për të bërë diçka të kundërt nga ajo për të cilën janë krijuar. Kështu lindën dy flaute, të krijuara nga pushkë gjuetie me dy tytë.

"Këto pushkë, të cilat i shndërrova në instalacione robotike, janë gjithsej gjashtë – ato janë shumë të mundimshme për t’u bërë, kërkojnë të paktën një vit, sepse dua t’i bëj në një mënyrë të përcaktuar me saktësi. Armët kanë një gjuhë shumë të fuqishme dhe joshëse, të krijuar nga përsosmëria e tyre. Kur çaktivizoj një armë dhe ndryshoj funksionin e saj, dua të përdor këtë gjuhë përsosmërie për të treguar se mund të përqendrojmë përpjekjet tona në diçka ndryshe. Vëzhgoj se ne, njerëzit, përdorim burimet tona më të mira për të krijuar armë, por armët sot nuk janë aq të thjeshta sa ato me të cilat unë punoj. Një luftë moderne me armë bërthamore nuk është si Lufta Ruso-Turke e Çlirimit, disa vite pas së cilës mund të vazhdoje të mbillje tokën tënde dhe të jetoje normalisht. Një luftë e tillë do të shkatërronte gjithçka përgjithmonë."


Foto: Facebook / Made in Constantine, Structura Gallery, madeinconstantine.com

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski

Още от MË THUAJ...