E folura e bullgarëve në Shqipëri ende ruan pasurinë e të folurës popullore bullgare

Sipas gjuhëtares Dr. Miranda Bello rreziku i humbjes së kësaj të folure është i madh

Përdorimi i formave të respektit që tregojnë fillimin, zhvillimin dhe përfundimin e komunikimit tek bullgarët e Shqipërisë janë objekt analize në punën e Dr. Miranda Bello, lektore e gjuhës bullgare në Universitetin e Tiranës. 

Ajo e mblodhi materialin nga komuniteti bullgar në Shqipëri dhe e botoi në monografinë e saj me titull: "Format e respektit tek bullgarët e Shqipërisë (krahasuar me format e respektit në gjuhës shqipe)". Botimi doli nga shtypi në fund të vitit 2024, në kuadër të Programit Kombëtar Shkencor “Zhvillimi dhe konsolidimi i bullgaristikës jashtë shtetit”. Dr. Miranda Bello fitoi një konkurs për mbështetjen e studiuesve të rinj të huaj për botimin e monografisë së tyre të parë kushtuar problematikës bullgaristike. 

Botimi, i publikuar nga Shtëpia Botuese Universitare "Neofit Rillski", bazohet në disertacionin e saj të doktoraturës, ku recensentë janë Prof. Asoc. Dr. Liljana Vasileva dhe Prof. Asoc. Dr. Radosllav Conev.

Dr. Bello tregoi për Radio Bullgarinë se vitet e fundit në Tiranë takon pothuajse çdo ditë bullgarë nga anë të ndryshme të Shqipërisë – nga Gora e Kukësit, Golloborda dhe zona e Korçës. Mirësjellja e tyre, bekimet dhe etika e pasur popullore e të folurit që përdorin, e nxitën të merej më seriozisht me këtë pasuri popullore dhe ajo vendosi ta studionte atë.

"Janë bërë mjaft studime për bullgarët në Shqipëri, por pikërisht etikës së pasur popullore të mirësjelljes së këtyre bullgarëve nuk i është kushtuar mjaftueshëm vëmendje. Prandaj vendosa të merrem me këtë temë – të mbledh sa më shumë material që lidhet me etikën popullore të bullgarëve në Shqipëri, si pjesë e pandashme e pasurisë popullore bullgare në tërësi. Përveç kësaj, u përpoqa të bëj edhe një krahasim me materialin shqiptar që mblodha nga fshatrat shqiptare fqinj me ato bullgare. Dhe kështu, nga artikuj të ndryshëm arrita të bëj një studim shkencor më të gjerë, një temë doktorature, të cilën – nën drejtimin e profesor Ivan Koçev, një nga filologët dhe gjuhëtarët më të mirë bullgarë – e mbrojta me sukses para jurisë shkencore në Universitetin "Neofit Rillski" në Bllagoevgrad."

Miranda Bello është një bullgare nga Shqipëria, e cila prej disa vitesh jeton dhe punon në Tiranë – fillimisht në Shkollën Bullgare të së Dielës, dhe së fundmi si lektore e gjuhës dhe letërsisë bullgare. Kjo e ka bërë të mundur kontaktin me shumë bullgarë që jetojnë në kryeqytetin shqiptar dhe që kanë prejardhje nga rajone të ndryshme, ku prej shekujsh jeton një popullsi kompakte bullgare. Për këtë arsye, puna që lidhet me gjetjen e informatorëve dhe mbledhjen e materialit të nevojshëm nuk ka qenë e vështirë, aq më tepër që edhe vetë ajo është folëse e njërit prej dialekteve bullgare që përdoren në Shqipëri.

"Mbledhja e materialit filloi vite më përpara, edhe para se të formohej ideja për të shkruar diçka më të madhe dhe shkencore. Meqenëse fshatrat tanë janë të shumtë dhe të vështirë për t’u vizituar, për këtë qëllim zgjodha nga një fshat për çdo krahinë – për Gorën zgjodha fshatin më të madh, Shishtavec; për Gollobordën, fshatin Steblevë, ku jeton popullsi bullgare si e krishterë, ashtu edhe myslimane; për zonën e Korçës zgjodha fshatin Boboshticë, ku arrita të intervistoja folësit e fundit të këtij dialekti, të cilët për fat të keq kanë ndërruar jetë; për Prespën zgjodha fshatin më të madh, Pustec; për Devollin – fshatin Vërnik. Zgjodha gjithashtu edhe fshatra shqiptare, fqinjë me ato bullgare, që të ndiqja ndikimin e ndërsjellë" – shpjegoi Miranda Bello dhe ndau emocionet e saj pas këtyre takimeve:

"Me njerëzit tanë në Shqipëri ndjehesh për mrekulli, kontakti me ta duket sikur të të çon drejt rrënjëve, drejt burimit të pastër, nga i cili pi me kënaqësi dhe etje dhe bëhesh më i pasur dhe më i mençur. Dhe mes njerëzve kaq zemërgjerë e plot mirësi, edhe vetë bëhesh më i mirë. Dera e bashkatdhetarëve tanë bullgarë nga Shqipëria rri gjithmonë e hapur."


Puna e Miranda Bellos është jashtëzakonisht e vlefshme, pasi paraqet të dhëna të sakta për specifikat e të folurës bullgare në Shqipëri, si dhe informacione shumë interesante për etiketën gjuhësore të njerëzve me prejardhje bullgare në Shqipëri. E folura e bullgarëve në këto rajone i përket të folurës më perëndimore të dialekteve bullgare, të cilat për shekuj me radhë kanë qenë të shkëputura dhe të izoluara në zonat malore të Shqipërisë Lindore. Prandaj, ato kanë ruajtur mjaft tipare arkaike dhe sot janë një pasuri e vërtetë.


"Pavarësisht ndikimit të vazhdueshëm nga mjedisi shqiptar, këto të folme edhe në ditët e sotme mbeten dialekte të pastra bullgare, me forma shumë të pasura të etikës popullore. Disa nga këto forma nuk gjenden më në gjuhën letrare bullgare – ato mund të dëgjohen vetëm nga njerëz të moshuar nëpër fshatrat e Bullgarisë. Në kohën e globalizimit, kur njerëzit largohen nga vendlindjet e tyre, rreziku ndaj dialekteve bullgare në Shqipëri është i madh. Shumë nga njerëzit tanë nga këto rajone po lënë shtëpitë e tyre dhe po shpërngulen në qytetet më të mëdha të Shqipërisë apo jashtë vendit" – ndan studiuesja.

Dr. Bello shpreson që Bullgaria t’i kushtojë më shumë vëmendje bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri:

"Bullgaria, si një nënë, duhet të kujdeset për këta bullgarë duke investuar në arsimin dhe në ekonominë e këtyre fshatrave tona në Shqipëri."

Dr. Miranda Bello planifikon të vazhdojë veprimtarinë e saj kërkimore, të lidhur me bullgarët në Shqipëri, me të folmen e tyre dhe me pasurinë e tyre kulturore popullore. Ajo na tha se ka mjaft materiale që shpreson t’i botojë në të ardhmen, sepse përbëjnë një thesar të vërtetë bullgar nga trojet shqiptare.

Lexoni më tepër:
Foto: arkiva personale e Dr. Miranda Bello
Още от MË THUAJ...