Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit përcolli një vit të suksesshëm

Një vit i mbarë për Agjencinë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, në të cilin gjithçka u zhvillua ashtu siç duhej – kështu e përmblodhi vitin 2024 drejtuesja e saj, Rajna Manxhukova. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ajo shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm që institucioni ka si me bashkatdhetarët ashtu edhe me afro 1000 organizata të tyre jashtë vendit, si dhe me pothuajse të gjitha ministritë dhe institucionet bullgare, për të kryer misionin e saj si ndërmjetëse mes bashkatdhetarëve tanë në Bullgari dhe ata jashtë vendit. Një nga arritjet e këtij viti ishte programi i financimit për shoqatat kulturore bullgare jashtë vendit:
Rajna Manxhukova me zëvendësministrin Kalin Veljov
“Ne ia paraqitëm ministrit të kulturës, i cili e njohu dhe e promovoi brenda institucionit, duke na lidhur me zëvendësministrin Kalin Veljov. Përgatitëm dosjen e nevojshme të dokumenteve dhe ndërkohë erdhën festat, por ne arritëm të bënim një hap të madh përpara. Nëse për arsim kemi programin "Gjuha dhe kultura amtare" dhe Urdhrin nr. 90, me të cilin shteti mbështet financimin e njësive arsimore bullgare jashtë vendit, ne nuk kemi një të tillë për organizatat kulturore, ndërkohë që ato realizojnë një punë shumë të madhe. Por ne bëmë një hap të madh dhe Ministria e Kulturës i njohu si partnerë dhe këtë vit në Ministri u mbajt mbledhja e Shoqatës së Ansambleve Foklorike Jashtë Vendit. Kur flas për financimin e shoqatave kulturore, nuk kam parasysh vetëm ato folklorike, pasi kemi shumë klube letrare, grupe teatrale dhe shoqata të tjera të ndryshme, jashtë folklorit dhe ky program vlen për të gjitha”.

Një element i rëndësishëm i thelbit të komuniteteve bullgare jashtë vendit janë edhe mediat e krijuara prej tyre. Për të ekzistuar ato kanë nevojë edhe për mbështetjen e shtetit bullgar.

“Në vitin 2025 në Sofje do të mbahet edicioni i njëzetë i Takimit Botëror të Mediave Bullgare, të cilin do ta organizojmë së bashku me BTA-në. Kam shumë besim se do të hapim temën e madhe të financimit të mediave bullgare jashtë vendit, sepse nëse Ansamblet folklorike bullgare përfaqësojnë Bullgarinë me mjetet e kulturës, mediat jashtë vendit e bëjnë këtë përmes fjalës. Vitin e ardhshëm deri në muajin maj, kërkimet që do të bëjmë për to do të jenë gati dhe ju premtoj se do të jetë një rezultat shumë interesant."

Agjencia vazhdon të kryejë shërbimin administrativ "Verifikimi i origjinës bullgare" për të rinjtë nga komunitetet tona historike që aplikojnë për të studiuar në universitetet bullgare sipas Urdhrit nr. 103, por edhe për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, për të cilën vërtetojnë nëse personat që fillojnë punë në vendin tonë kanë origjinë bullgare.

“E gjithë kjo kërkon fleksibilitet serioz nga ana jonë, edhe nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, sepse një pjesë e madhe e këtyre marrëdhënieve nuk janë të rregulluara me ligj. Ne e dimë nëse këta persona kanë ose jo origjinë bullgare, por nuk është e rregulluar ligjërisht mënyra se si këto dy institucione e marrin këtë informacion” – thekson zonja Mandxhukova.

Sa i përket komuniteteve tona historike, megjithëse angazhimi i Agjencisë ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është vetëm për të vërtetuar origjinën e tyre, Agjencia vazhdon të ndihmojë këdo që kërkon ndihmë prej saj:

"Këta të rinj vijnë nga vende të ndryshme dhe u duhet kohë për t'u përshtatur me Bullgarinë. Që kjo të ndodhë pa probleme, duhet të reduktohet stresi. Kur duhet marrë certifikata e origjinës, kur dhe me çfarë dokumentesh duhet shkuar dhe tek Drejtoria e "Migracionit" - e gjithë kjo është stresuese dhe ne kemi rënë dakord t'i ndihmojmë ata duke sqaruar këto procedura. Gjithashtu, çdo vit Agjencia organizon një takim me përfaqësuesit e universiteteve në vendin tonë ku ka studentë të ardhur më anë të Urdhrit 103, i cili i lejon ata të ndajnë përvojën e tyre. Në vitin 2025, ne do të zhvillojmë takime me vetë studentët në qytete të ndryshme për të zbuluar se çfarë tjetër mund të bëjmë për t'i ndihmuar ata.

Agjencia Shtetërore për Bullgarët Jashtë Vendit tashmë ka një portal informativ "103 hapa drejt suksesit", qëllimi i të cilit është mbledhja e informacionit për të gjithë bullgarët nga jashtë që kanë studiuar në bazë të Urdhrit 103, por edhe sipas vendimeve të mëparshme nga viti 1992 dhe 1991. Në vitin 1990 erdhën edhe disa të tjerë, të cilët sot janë ende në Bullgari.

Ndër takimet me komunitetet tona jashtë vendit këtë vit, të cilat znj. Manxhukova veçoi, janë ato me bashkatdhetarët tanë në Suedi dhe Danimarkë:
Takimi në Malmö
“Prekës ishte takimi në Malmö, ku bashkia ortodokse bullgare “Sh. Ivan Rillski" ekziston prej 40 vitesh, pra që nga para ndryshimeve në Bullgari. Megjithatë, është e vlefshme që, ndryshe nga shumë vende, ku ka pasur organizata të tilla para 10 nëntorit 1989, por nuk kanë arritur të pranojnë emigrantët e rinj të viteve '90 e me radhë, ata në Suedi ia kanë dalë. Pata fatin e jashtëzakonshëm dhe shpreh mirënjohjen time për bashkatdhetarët tanë dhe në Boston, për ftesën për të vizituar një nga shkollat më të vjetra të së dielës jashtë vendit, e cila këtë vit festoi 25 vjetorin e saj”.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit nuk humbi rastin të shprehur urimin ndaj bullgarëve në vendin tonë dhe në mbarë botën për vitin e ardhshëm 2025:

“Nuk mund të largohem nga vetja, dhe si një bullgare e lindur në Ukrainë, dëshira ime e parë për të gjithë është që të vijë paqja. Unë e them për të gjithë, jo vetëm për bullgarët në Ukrainë, sepse kjo luftë ka treguar se një gjë e tillë është e mundur dhe në shekullin XXI dhe sa e rëndësishme është të vlerësohet paqja. Sigurisht që uroj edhe shëndet, sepse vetëm një person i shëndetshëm mund t'i jetë i dobishëm për familjen e tij. Prosperitet dhe paqe në familje, sepse vetëm kur njeriu është i qetë në familjen e tij, ai mund të jetë i dobishëm për shoqërinë. Le të mbrojmë familjet tona, shëndetin tonë dhe të përpiqemi të jemi të dobishëm për njerëzit!”.

Foto: BGNES, Facebook /Rajna Manxhukova, posolstvo.eu

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Още от MË THUAJ...