Për të pestin vit radhazi nxënësit e Gorës dhe Gollobordës shënojnë “Festat e fundvitit në mënyrë bullgare"

Me mbështetjen financiare të shtetit bullgar dhe në kuadër të një projekti të realizuar nga shoqata "Bullgarët në Shqipëri", fëmijëve nga Gora dhe Golloborda iu dorëzuan dhurata për festat e fundvitit. Në këto dy rajone jeton një pjesë e madhe e pakicës kombëtare bullgare në Shqipëri. Shpërndarja e dhuratave u bë në praninë e ambasadorit të Republikës së Bullgarisë, z. Ivajllo Kirov, dhe shefit të seksionit të diplomacisë publike pranë ambasadës, z. Asen Paçev.


Iniciativa këtë vit u mbështet nga bashkitë e Kukësit dhe Bulqizës, të cilat vlerësuan pozitivisht politikën e shtetit bullgar për trajtimin në mënyrë të barabartë të të gjithë fëmijëve – të gjithë  nxënësit nga vendbanimet përkatëse morën dhurata, pavarësisht nëse prindërit e tyre konsiderojnë veten përfaqësues të minoritetit bullgar apo jo.

Dorëzimi i dhuratave në fshatin e Ostrenit të Madh (Golloborda) u zhvillua në praninë e Kryetares së Bashkisë së Bulqizës znj. Festime Mjesthri. Të dyja palët – ambasada dhe bashkia, për herë të radhës shprehën gatishmëri dhe angazhim të fortë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe për realizimin e projekteve të reja të përbashkëta.

Ceremonia e shpërndarjes së dhuratave në rajonin e Gorës u zhvillua në oborrin e shkollës në fshatin Borje, i cili u inaugurua zyrtarisht pas rinovimit të tij me mjete të ofruara nga qeveria bullgare. I pranishëm ishte nënkryetari i Bashkisë së Kukësit, z. Agron Nuredinaj.

Në kuadër të projektit "Festat e fundvitit në mënyrë bullgare" ishin siguruar dhurata për 1400 fëmijë. Të gjithë nxënësit morën dhe ëmbëlsira të prodhuara nga kompania bullgare "Ditë dhe Natë". Produktet e kësaj kompanie çdo vit plotësojnë pakot e dhuratave dhe i kënaqin fëmijët.

Lexoni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë:

Foto: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Shqipëri

Още от MË THUAJ...