Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ungjillëzimi i Hyjlindëses – Dashuria e premtuar e Perëndisë realizohet

Foto: bogonosci.bg

Ditën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses përmbushet premtimi i Zotit për shpëtimin e shpirtit njerëzor nga mundimet e përjetshme të errësirës. Mesazhi i kësaj dite është se Zoti na do, thotë At Bozhidar Marinov nga Kisha e Sofjes "Lartësimi i Kryqit të Shenjtë të Zotit", dhe për të ndier këtë dashuri gjithëpërfshirëse falëse, na duhet vetëm ta pranojmë atë. Ky është edhe thelbi i Lajmit të Mirë që Virgjëresha Mari merr nga Kryeengjëlli Gabriel, i cili erdhi për t'i njoftuar asaj se ajo është e zgjedhura nga gratë për të lindur Shpëtimtarin.

At Bozhidar Marinov

“Kjo është një festë e madhe, e mrekullueshme, në të cilën Kisha i këndon asaj ngjarje të gëzueshme dhe në të njëjtën kohë misterioze që nuk mund të përshtatet me mendjen dhe logjikën e botës sonë dhe disi shkon përtej saj. Por ne, me besimin tonë, edhe pse të vogël dhe të dobët, përsëri përpiqemi ta prekim këtë ngjarje të mrekullueshme kur engjëlli i dërguar nga Zoti i shpall Lajmin e Mirë Virgjëreshës Mari. Ky është fillimi i atij shpëtimi që Perëndia premtoi nga përjetësia kur paraardhësit tanë Adami dhe Eva mëkatuan. Për ne, kjo festë na jep qetësimin që Zoti mendon për ne. Edhe atëherë, Ai thotë se Ai do të jetë me ne vazhdimisht. Dhe kur engjëlli i lajmëron Marisë: "Gëzohu, o Hirplote, Zoti është me ty!", Ai ripohon: “Unë jam me ju, me ty, me njerëzit”. Ky është gëzimi i madh që duhet të kemi vazhdimisht, që Zoti është me ne.”

Festa e shenjtë e Krishterë e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Kishën tonë Ortodokse nderohet edhe si Dita e Nënës. Është simbol i lajmit të këndshëm dhe i fillimit të ri shpirtëror, i cili rikthen lidhjen me Krijuesin nëpërmjet Virgjëreshës Mari. Ajo u zgjodh si më e pastra ndër virgjëreshat dhe nëpërmjet saj amësia u be e bekuar nga lart. Në këtë mënyrë, Zoti e lartëson gruan si krijuese të jetës:

“Nëna e Bekuar e Zotit mund të quhet Nëna e Krijimit të ri – Krijimit në Krisht. Nga Nëna e Zotit, nga një person njerëzor, lindi Adami i ri - Krishti. Në fakt, në fytyrën e Hyjlindëses, Zoti e lan atë mëkat që u trashëgua nga nëna e parë Eva.  Kështu Ai tregon se kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet gruas, e cila gjatë gjithë jetës së saj ka jetuar pa një grimcë të këtij mëkati. Nëpërmjet Virgjëreshës Mari, Ai rikthen dinjitetin e gruas, Ai rikthen dinjitetin e burrit, të jetë një krijesë sipas shëmbëlltyrës së Zotit dhe t'i ngjajë Zotit."

Prandaj është i madh gëzimi i Ungjillëzimit, i cili, si një rreze drite, shpall Shpëtim, gjatë Kreshmës së Madhe. Dhe urimet e At Bozhidar për të gjithë ata që festojnë është që të vazhdojnë të ndajnë këtë lajm të mirë që merr Virgjëresha Mari:

“Qoftë i pafund ky gëzim që na jep Lajmi i Mirë. Dhe Lajmi i Mirë është se Zoti na do dhe asgjë tjetër në këtë botë nuk ka më shumë rëndësi. Sepse ne duhet, me mënyrën tonë të jetesës si të krishterë, si të krishterë ortodoksë që e kemi pranuar Zotin në zemrat tona, ta përhapim vazhdimisht këtë Lajm të Mirë. Sepse nëse mendojmë për faktin se Zoti na do, nuk do të dekurajohemi, asnjë vështirësi nuk do të na ndalonte të gëzohemi në këtë gëzim shpirtëror të Zotit.

Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: BTA, BGNES, bogonosci.bg, sv-atanasii-varna.org, Arkivi personal i At Bozhidar Marinov




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

22 Marsi është dita e Veliko Tërnovos – një ditë për të nderuar të kaluarën e lavdishme të qytetit

Veliko Tërnovo krenohet me të kaluarën e tij të lavdishme, e cila është e koduar edhe në festën e qytetit, e lidhur me ditën e Dyzet Martirëve të Shenjtë – mbrojtësit shpirtërorë të kryeqytetit mesjetar. Në ditën e 40 ndjekësve të Krishtit (22 mars..

botuar më 25-03-22 8.05.PD

"Provadia - Kriporja" është kandidate për Etiketën e Trashëgimisë Evropiane

Kompleksi prehistorik "Provadia - Kriporja" – kriporja dhe qendra më e vjetër urbane në Evropë (5600 - 4350 para Krishtit), është ndër objektet e propozuara për Etiketën e Trashëgimisë Evropiane - 2025. Qytetërimi evropian ka filluar nga..

botuar më 25-03-14 6.36.MD

Kisha “Shën Dyzet Dëshmorët” është një vend i shenjtë për historinë bullgare

Më 9 mars, Kisha Ortodokse nderon kujtimin e Dyzet Dëshmorëve të Shenjtë nga Sebastia e Armenisë. Këta janë 40 luftëtarë trima që refuzuan të adhuronin perënditë e vjetra pagane dhe në vitin 320 pranuan martirizimin për besimin e tyre në Krisht...

botuar më 25-03-09 10.05.PD