Ditën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses përmbushet premtimi i Zotit për shpëtimin e shpirtit njerëzor nga mundimet e përjetshme të errësirës. Mesazhi i kësaj dite është se Zoti na do, thotë At Bozhidar Marinov nga Kisha e Sofjes "Lartësimi i Kryqit të Shenjtë të Zotit", dhe për të ndier këtë dashuri gjithëpërfshirëse falëse, na duhet vetëm ta pranojmë atë. Ky është edhe thelbi i Lajmit të Mirë që Virgjëresha Mari merr nga Kryeengjëlli Gabriel, i cili erdhi për t'i njoftuar asaj se ajo është e zgjedhura nga gratë për të lindur Shpëtimtarin.
“Kjo është një festë e madhe, e mrekullueshme, në të cilën Kisha i këndon asaj ngjarje të gëzueshme dhe në të njëjtën kohë misterioze që nuk mund të përshtatet me mendjen dhe logjikën e botës sonë dhe disi shkon përtej saj. Por ne, me besimin tonë, edhe pse të vogël dhe të dobët, përsëri përpiqemi ta prekim këtë ngjarje të mrekullueshme kur engjëlli i dërguar nga Zoti i shpall Lajmin e Mirë Virgjëreshës Mari. Ky është fillimi i atij shpëtimi që Perëndia premtoi nga përjetësia kur paraardhësit tanë Adami dhe Eva mëkatuan. Për ne, kjo festë na jep qetësimin që Zoti mendon për ne. Edhe atëherë, Ai thotë se Ai do të jetë me ne vazhdimisht. Dhe kur engjëlli i lajmëron Marisë: "Gëzohu, o Hirplote, Zoti është me ty!", Ai ripohon: “Unë jam me ju, me ty, me njerëzit”. Ky është gëzimi i madh që duhet të kemi vazhdimisht, që Zoti është me ne.”
Festa e shenjtë e Krishterë e Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Kishën tonë Ortodokse nderohet edhe si Dita e Nënës. Është simbol i lajmit të këndshëm dhe i fillimit të ri shpirtëror, i cili rikthen lidhjen me Krijuesin nëpërmjet Virgjëreshës Mari. Ajo u zgjodh si më e pastra ndër virgjëreshat dhe nëpërmjet saj amësia u be e bekuar nga lart. Në këtë mënyrë, Zoti e lartëson gruan si krijuese të jetës:
“Nëna e Bekuar e Zotit mund të quhet Nëna e Krijimit të ri – Krijimit në Krisht. Nga Nëna e Zotit, nga një person njerëzor, lindi Adami i ri - Krishti. Në fakt, në fytyrën e Hyjlindëses, Zoti e lan atë mëkat që u trashëgua nga nëna e parë Eva. Kështu Ai tregon se kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet gruas, e cila gjatë gjithë jetës së saj ka jetuar pa një grimcë të këtij mëkati. Nëpërmjet Virgjëreshës Mari, Ai rikthen dinjitetin e gruas, Ai rikthen dinjitetin e burrit, të jetë një krijesë sipas shëmbëlltyrës së Zotit dhe t'i ngjajë Zotit."
Prandaj është i madh gëzimi i Ungjillëzimit, i cili, si një rreze drite, shpall Shpëtim, gjatë Kreshmës së Madhe. Dhe urimet e At Bozhidar për të gjithë ata që festojnë është që të vazhdojnë të ndajnë këtë lajm të mirë që merr Virgjëresha Mari:
“Qoftë i pafund ky gëzim që na jep Lajmi i Mirë. Dhe Lajmi i Mirë është se Zoti na do dhe asgjë tjetër në këtë botë nuk ka më shumë rëndësi. Sepse ne duhet, me mënyrën tonë të jetesës si të krishterë, si të krishterë ortodoksë që e kemi pranuar Zotin në zemrat tona, ta përhapim vazhdimisht këtë Lajm të Mirë. Sepse nëse mendojmë për faktin se Zoti na do, nuk do të dekurajohemi, asnjë vështirësi nuk do të na ndalonte të gëzohemi në këtë gëzim shpirtëror të Zotit.
Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA, BGNES, bogonosci.bg, sv-atanasii-varna.org, Arkivi personal i At Bozhidar Marinov
Hyrje e Hyjëlindëses së Tërëshenjtë në Tempull është një nga festat më të lashta dhe më të nderuara në botën ortodokse, e prezantuar në Kostandinopojë rreth shekullit të VIII-të, në kohën e Patriarkut Tarasij. Vetëm gjashtë shekuj më vonë, festa filloi..
Në një mëngjes të ftohtë nëntori të vitit 1917, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, një zepelin L 59 u ngrit nga baza afër Jambollit për në Tanzani. Qëllimi ishte furnizimi i municioneve dhe materialeve për njësitë ushtarake gjermane të vendosura në..
Arkeologët studiuan një nekropol në zonën Kavacite pranë qytetit bregdetar Sozopoll. Perimetri në të cilin ndodhet është pjesë e historisë së Apolonisë Pontika dhe daton në shekullin e IV-të para Krishtit. “Kjo është një zonë me varrime interesante,..