Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Peshkopi Francesco Galloni ia kushton jetën e tij të varfërve dhe jetimëve në Bullgari

Në vitet ’20 të shekullit të kaluar themelon në Sofje institutin Opera Italiana Pro Oriente

Monument i Imzot Francesco Galloni në Lodetto di Rovato
Foto: scuolaricchino.org


Një prift ushtarak i thjeshtë realizon kontaktin e tij të parë me Bullgarinë në vitin 1921, duke ardhur me detyrën për të kërkuar ushtarë italianë të zhdukur pa gjurmë gjatë Luftës së Parë Botërore. Megjithatë, ai nuk mbetet indiferent ndaj fatit të këtij shteti të vogël ballkanik. Ai qëndron këtu deri në vitin 1949, kur pushteti komunist i ndërpret marrëdhëniet me Vatikanin.

Emri i këtij kleriku katolik është Francesco Galloni – nunci i fundit në vendin tonë, përpara se në vend të vendosej një regjim ateist.

“Ky njeri luan një rol të rëndësishëm në jetën dhe në kishën në Bullgari – rrëfen At Paolo Cortesi, famullitari në Belene. – Si prift i ri ai merr pjesë me ushtrinë alpine në betejat në Italinë Veriore kundër Austro-Hungarisë dhe kujdeset për ushtarët e plagosur. Duke përjetuar këtë tragjedi, ai vendos t’ia kushtojë jetën, nga njëra anë, viktimave të luftërave dhe, nga ana tjetër, jetimëve të po këtyre luftëtarëve dhe të vejave. Ai mbërrin në vendin tonë për të mbledhur eshtrat e mbi 200 italianëve të vdekur, të zënë rob nga ushtria austro-hungareze dhe të dërguar në vendin tonë, të cilët aktualisht janë varrosur në varrezat qendrore të Sofjes.”

Gjatë viteve të para të qëndrimit të tij, Francesco Galloni lidhet me motrat eukaristike – bullgare që kujdesen për jetimët dhe për familjet në nevojë. Shpesh udhëton edhe drejt Italisë për të fituar ndjeshmëri ndaj situatës në vendin tonë dhe me ndihmën e donacioneve të mbledhura ndihmon fëmijët e mbetur jetimë dhe refugjatët nga Greqia dhe Maqedonia. Në vitin 1925, vepra e tij mbështetet personalisht nga Imzot Angelo Roncalli. Papa i ardhshëm Gjon XXIII bekon gurin e parë të institutit të themeluar nga prifti italian Opera Italiana Pro Oriente në rrugën “Oborishte” nr. 5 në kryeqytet.

Vënia e gurthemelit të ndërtesës së institutit 'Opera Italiana Pro Oriente', qershor 1925

“Veprimtaria e këtij instituti është para së gjithash të ofrojë strehë për shumë jetimë në Sofje dhe t’i edukojë – thotë Paolo Cortesi. – Në këtë vepër Francesco Galloni përfshin edhe një shkollë, në të cilën mësojnë shumë fëmijë të diplomatëve italianë, ushtarakëve, biznesmenëve, tregtarëve, meqenëse në atë kohë kolonia italiane ishte shumë e fortë. Vetë mbretëresha Joana, e cila e njihte priftin, ka ndihmuar veprimtarinë e tij. Ai themelon gjithashtu një urdhër me murgesha bullgare, të përkushtuara ndaj Lajmërimit të Zotit. Shumë vajza të reja nga ky urdhër kanë punuar në jetimore si në Sofje, ashtu edhe në Maqedoni.

Ndërtesa e Institutit për 'Çështjet Italiane në Lindje' në Sofje më 1928

Ardhja në pushtet e komunistëve në vitin 1944 përkon me internimin e Francesco Gallonit në atdheun e tij – ndërmjet viteve 1943 dhe 1945 ai shpallet armik dhe internohet, pasi kishte bashkëpunuar me regjimin e Benito Mussolinit. Në fakt, duke mbajtur kontakte me politikanë dhe ministra të lartë, kleriku italian arrin të “nxjerrë” shumë mjete për veprën e tij humanitare në Bullgari. Kështu, pas një qëndrimi të detyruar dyvjeçar në Itali, ai kthehet në vendin tonë dhe vihet në krye të Delegacionit Apostolik (nunciatura e sotme), në përpjekje për të ruajtur marrëdhëniet mes Vatikanit dhe pushtetit të ri. Por gjatë një udhëtimi jashtë shtetit në vitin 1949, atij i mohohet hyrja e përsëritur në vend dhe ai e lë përfundimisht Bullgarinë.

“Udhëheqësit e rinj, të udhëhequr nga ideologjia ateiste dhe dëshira për ta çliruar Bullgarinë nga agjentët e huaj – ndër ta edhe katolikët, sepse në kokat e sëmura të këtyre udhëheqësve shfaqen armiq në të gjitha kishat e huaja dhe të huajt – nisin represione, konfiskime pronash, ndalime – shton Paolo Cortesi. – Instituti Opera Italiana Pro Oriente me jetimoren dhe shkollën e vet konfiskohet dhe mbyllet, të gjithë klerikët e huaj – italianë, gjermanë, polakë – tashmë janë dëbuar nga vendi, ndërsa në vitin 1952 priftërinjtë dhe peshkopët bullgarë arrestohen dhe dënohen. Ndër ta edhe Imzot Evgenij Bosillkov nga Belene, i cili së bashku me tre priftërinj të tjerë pushkatohet, ndërsa të tjerët dërgohen në kampe dhe burgje. Imzot Ivan Romanov nga Plovdivi, për shembull, vdes në burgun e Shumenit, ndërsa shumë të tjerë mbeten pas hekurave deri në vitin 1965.”

Peshkopi bullgar Evgenij Bosillkov, i cili bëhet mbështetja e vërtetë e Kishës Katolike në vendin tonë pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Vatikanin, e njeh Francesco Gallonin gjatë viteve ’30. Atëherë të dy janë priftërinj të zakonshëm, sipas fjalëve të At Paolo Cortesit:

At Paolo Cortesi (në qendër)

Kur Bosillkov më vonë bëhet peshkop, ai mban korrespondencë zyrtare me Gallonin si përgjegjës për Delegacionin Apostolik në Sofje – për të gjitha problemet, konfiskimet, ndalimet. Me këshillat e Vatikanit, ata përpiqen të ruajnë marrëdhënie të mira me autoritetet, megjithëse nga ana tjetër tensioni ka përparuar deri në shkatërrimin total të Kishës Katolike. Në dokumentet e Komisionit për Dosjet lexova se në të gjitha akuzat kundër Bosillkovit dhe priftërinjve të tjerë gjithmonë përmendet Imzot Galloni si drejtues i rrjetit të spiunazhit të Vatikanit në Bullgari. Të dy kanë qenë nën vëzhgimin e agjentëve të Sigurimit të Shtetit dhe çdo takim i tyre është dokumentuar. Sa herë që e marrin në pyetje Imzot Bosillkov, i bëjnë pyetjen: ‘Çfarë i thatë Imzot Gallonit, çfarë urdhrash ju dha Imzot Galloni, me çfarë parash ju shpërbleu Imzot Galloni?’ Ja pse ekziston kjo lidhje midis tyre.”

Edhe pse larg nga Bullgaria, Imzot Francesco Galloni arrin edhe gjatë Luftës së Ftohtë të punojë për ruajtjen e kontaktit shpirtëror midis atdheut të tij dhe vendit të tij të dashur. Dëshmi për këtë fakt është dërgimi në Itali i seminaristëve bullgarë në vitin 1986.

“Kam pasur kënaqësinë disa vite më parë të vizitoj vendin në Italinë Veriore, ku në vitin 1976 është varrosur Francesco Galloni – vazhdon rrëfimin e tij Paolo Cortesi. – Në varrin e tij në Velo d’Astico deri më sot ka shumë vizitorë. Gjatë jetës, në këtë vendbanim ai strehoi murgesha të dëbuara nga Sofja. Pikërisht atje është varrosur motra Gabriela Bosillkova – mbesa e Imzot Bosillkov, si edhe murgesha të tjera bullgare.”

Paolo Cortesi me ndjenjë të ngrohtë kujton “shpellën bullgare”, të parë në Velo d’Astico. Gjatë njërit prej udhëtimeve të tij në vendlindjen e Francesco Gallonit, ai merr me vete figura prej druri, të veshura me kostume popullore bullgare. “Gjatë këtyre viteve ai strehoi edhe shumë bullgarë që kaluan nëpër Itali dhe gjithmonë e mbante Bullgarinë në zemrën e tij,” shton kleriku.

Me veprat e tij, Imzot Galoni lë një gjurmë të gjallë dhe nderohet edhe sot. Në 30-vjetorin e vdekjes së tij, peshkopi italian Lovato shqipton fjalë të vlefshme për ditët tona: “Vepra e Francesco Gallonit është aktuale edhe sot, dhe Europa mund të gjejë forcë në unitet – në emër të së vërtetës, paqes dhe drejtësisë, aq shumë të dëshiruara prej tij.”

Fotografi: Arkivi personal, stara-sofia.com, Facebook /Gruppo Alpini Velo d'Astico

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Sindi Nikollofski


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Projektim i një filmi shkencor-dokumentar me temë aviacionin për vizitorët e muzeut.

Aeroplanë, hidroplanë dhe ushqim kozmik – histori nga qielli të mbledhura në muzeun e aviacionit pranë Plovdivit

Që nga përpjekjet e para për të fluturuar me krahë të ndërtuara vetë që në shekullin e 19-të, deri te fluturimet e para luftarake në botë me qëllime zbulimi dhe bombardimi. Nga ulja e parë e suksesshme në histori e një aeroplani me motor të ndalur,..

botuar më 25-04-08 7.30.PD

Muzeu Arkeologjik i Burgasit tregon për llullat dhe duhanin në Bullgarinë mesjetare

Llulla nga fundi i shekullit XVII, nga shekulli XVIII dhe fillimi i shekullit XIX, si dhe tradita e kultivimit të duhanit në Bullgari, janë paraqitur në ekspozitën më të re të Muzeut Arkeologjik të Burgasit. "Këto lloj llullash gjenden shpesh në..

botuar më 25-04-05 8.30.PD

Kush është Marko Totev dhe pse emri i tij po bëhet një përkufizim për fat të keq dhe fatkeqësi?

Në Bullgari, kur flasim për një person me fat të keq, shpesh themi: "Oh, çfarë Marko Totev është!". Por kush është në të vërtetë Marko Totev dhe si u bë emri i tij një përkufizim i njohur për një njeri, fati i të cilit vazhdon të dështojë?..

botuar më 25-04-01 7.35.MD