Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Athina paralajmëroi se pret të respektohen të drejtat e grekëve në Epirin e Veriut

Edi Rama

Greqia paralajmëroi kryeministrin shqiptar Edi Rama se respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri mbetet një kusht i detyrueshëm për anëtarësimin e Tiranës në BE. Pak kohë më parë Rama tha para 2500 bashkatdhetarëve të tij në Selanik se “Vorio Epiri është një term i vdekur” dhe se kjo çështje i përket së shkuarës dhe se “kushdo që përdor këtë term verbon veten”. Burime diplomatike në Athinë i dërguan një mesazh të ashpër Ramës, duke theksuar se "historia nuk mund të fshihet". “Kërkesa për respektimin e plotë të të drejtave të pakicës etnike greke nga Shqipëria përbën një kusht të qartë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, sipas pozitës unanime të 27 vendeve anëtare të BE-së të 11 tetorit 2024”, thuhet në qëndrimin e transmetuar nga televizioni shtetëror ERT. 

Nacionalistët turq duan një mandat të tretë presidencial për Rexhep Erdogan

Rexhep Erdogan

Sipas kushtetutës turke, presidenti Rexhep Erdogan nuk mund të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2028, por ligji lejon një përjashtim për një president që është në mandatin e tij të dytë dhe të fundit, nëse parlamenti shpall zgjedhje të parakohshme. Erdogan qeveris Turqinë për më shumë se 21 vjet si kryeministër dhe president. "A nuk do të ishte një zgjedhje e natyrshme dhe e drejtë që presidenti ynë të rizgjedhohej nëse terrorizmi çrrënjoset, inflacioni i jepet një goditje e rëndë dhe Turqia i siguron vetes stabilitet politik dhe ekonomik," tha Devllet Bahçeli, kreu i Partisë së Veprimit Nacionalist, e cila është aleate e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit. Një ndryshim në kushtetutë duhet të mendohet për t'i dhënë mundësinë Erdoganit të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale, tha Bahçeli në një fjalim para deputetëve të tij.

Presidenti Aleksandër Vuçiç propozoi një referendum për dorëheqjen e tij

Aleksandër Vuçiç

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç propozoi një referendum konsultativ për t'i lënë qytetarët të thonë nëse ai duhet të qëndrojë në detyrë. Sipas tij, protestuesit pas shembjes së strehës së stacionit të  trenit në Novi Sad më 1 nëntor, që vrau 14 persona, në të vërtetë duan që ai të japë dorëheqjen, njofton Tanjug. Në një intervistë për televizionin serb “Happy”, Vuçiç tha se nëse më shumë se 50% e qytetarëve votojnë për lirimin e tij nga posti presidencial, ai menjëherë do të japë dorëheqjen dhe do të caktohen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vend. Nuk ndalojnë protestat tashmë një javë në Novi Sad dhe Beograd pas tragjedisë në Novi Sad.  Pakënaqësia nuk u qetësua as me dorëheqjen e ministrit të ndërtimit, Goran Vesiç. Shembja e strehës ndodhi pasi rinovimi i stacionit përfundoi në korrik.

UNESCO është e shqetësuar për ndotjen e liqenit të Ohrit

Liqeni i Ohrit

Në korrik 2025, UNESCO do të rishikojë sërish statusin e Liqenit të Ohrit si trashëgimi botërore dhe kulturore. Organizata monitoron nga afër gjendjen e liqenit. Banorët e Ohrit dhe ekologët paralajmërojnë se urbanizimi i tepruar, sistemi i mbingarkuar i grumbullimit të ujërave të zeza dhe lumenjtë e ndotur po e shkatërrojnë Liqenin e Ohrit, njofton uebfaqja maqedonase e Radios “Evropa e Lirë”. “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit, të paktën që nga viti 2017, është arsye shqetësimi për Komitetin e Trashëgimisë Botërore, veçanërisht për shkak të ndikimit të aktiviteteve njerëzore dhe projekteve zhvillimore. Që atëherë, liqeni kufitar midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është nën monitorim të kujdesshëm nga UNESCO, i cili përfshin paraqitjen e raporteve të shpeshta për gjendjen e ruajtjes së zonës”.

Rumania raporton rritje të turizmit vendas dhe të huaj me 4%

Bukuresht

Qytetarët e Gjermanisë, Italisë dhe Izraelit kryesojnë listën e turistëve të huaj më të shumtë në Rumani për vitin 2024, njofton faqja informative Ziare.ro. Destinacionet më të njohura rumune mes të huajve janë Konstancë, Bukuresht dhe Brashov. Deri në shtator, objektet e akomodimit turistik në Rumani mirëpritën 11.14 milionë njerëz, nga të cilët 1.8 milionë ishin të huaj. Kjo është një rritje prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Më së shumti janë turistët nga Gjermania – 193 000, nga Italia – 156 900 dhe nga Izraeli – 120 900 persona. Numri i fjetjeve deri në shtator është mbi 24 milionë, që është një rritje prej 3.3%. Fjetjet e turistëve të huaj janë pothuajse 16% e të gjitha natëqëndrimeve, dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të të huajve është 2.1 ditë.

Përpilues: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Foto: Reuters, BGNES


Më shumë nga rubrika

Bojko Borisov: Të gjithë janë partnerë potencialë të GERB-it, pa “Vëzrazhdane”

“Fitorja e GERB-SDS është e sigurt. Dhe ne kemi marrë një angazhim për të formuar një qeveri”. Kështu u shpreh në një konferencë kreu i GERB-it, Bojko Borisov. Sipas tij, pas rritjes së aktivitetit të votuesve mund të flitet për përfaqësim në..

botuar më 24-10-27 11.01.MD
Bojko Borisov

Reagimet e forcave politike pas rezultateve të para zgjedhore (rinovuar)

Sipas të dhënave nga exit poll-et e të gjitha agjencive sociologjike, GERB-SDS me lider Bojko Borisov është padyshim forca e parë politike. Vitet e fundit partia është përmbajtur nga komentet para shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ...

rinovuar më 24-10-27 10.02.MD

Të jetë i përfaqësuar politikisht - shpresa e pashpresë e votuesit bullgar

Në prag të zgjedhjeve të gjashta të parakohshme parlamentare në më pak se tre vjet, vërehet lodhja e qytetarëve bullgarë nga pashpresa menaxheriale. Një gjë e tillë duket se ekziston edhe në fushën politike – dëshmi është fushata tejet letargjike..

botuar më 24-10-27 9.25.PD