3 km larg fshatit Bilinci në Bullgarinë Perëndimore ndodhet manastiri “Kryeëngjëlli Shën Mihail”. Ai është shumë romantik gjatë verës së hershme, kur muret e tij prej guri zhyten në përqafimet e shtogut të lulëzuar, por për fat të keq manastiri nuk mirëmbahet. Në vitin 1969 ai u shpall monument i kulturës me rëndësi kombëtare për shkak të pikturave të tij murale. Sot te manastiri arrihet vështirë me xhip, ose me këmbë.
“Çdo herë kur të shkojë atje, duhet të përdorë lopatë, shkop, apo diçka tjetër, që të mund të kalojnë turistët përmes hithrës. Çdo vit gjendja po bëhet gjithnjë e më e keqe”, komentoi udhëheqësi malor Stanoj Arabaxhiev.
Nga manastiri i dikurshëm sot ka mbetur kisha, një pjesë e katit përdhes, banesat dhe muri. Përveç kësaj:
“Për fat të keq askush nuk interesohet për pikturat murale. Ato u pikturuan përsëri nga një murg me probleme psikike, i cili banoi në manastir 3-4 vjet. Ai mund të pikturonte, por asgjësoi shtresën e poshtme, për të cilën manastiri ishte shpallur monument i kulturës. U zhvendosën kryqet e murgjve të varrosur atje. Gurët e fronit janë shpërndarë në pyll. Të gjithë thonë: “Nuk ka para”, por askush nuk thotë: “Le ta shpëtojmë”. Nuk e ka shpirtin e Rilindjes” – thotë Aniella Asenova nga qyteti i afërt Breznik, e cila e studion këtë krahinë dhe shton:
“Manastiri është i hapur. Mund të hyjë çdonjëri. Ka pasur shumë libra. Ku janë zhdukur? Tani nuk ka asgjë.”
Më shumë hollësi për manastirin na tregoi historiania Kalina Minçeva nga Qendra për Studime Sllavo-Bizantine “Prof. Ivan Dujçev”:
“Sipas analizës arkitekturore tempulli është ndërtuar gjatë shekujve XV – XVI. Në shekullin e XVII ai u rinovua dhe u ndërtua pjesa e tij perëndimore. Ai është ndërtuar në përputhje me arkitekturën tipike për atë periudhë – nga shekulli i XV deri në atë të XVII dhe është një provë e vërtetë për aktivitetin e popullsisë bullgare në periudhën e udhëheqjes osmane. Ai tregon dëshirën e tij për të gjetur para, që të ndërtojë një tempull të tillë dhe ta rinovojë më vonë, gjë që në kohët e sotme ndodh më vështirë.”
“Informacioni më i hershëm me shkrim për ekzistencën e Manastirit të Bilincit ndodhet në arkivat ruse dhe është nga viti 1587. Atëherë kryedhjaku Stefan nga Manastiri i Bilincit u përfshi në misionin e mitropolitit Visarion deri në Moskë.”
Në mision ishte edhe igumeni i manastirit Shën Joakim Osogovski, i cili sot ndodhet në Maqedoni. Sipas një dëshmie me shkrim Mitropoliti ka kërkuar mjete financiare për Manastirin e Osogovos, i cili ishte dëmtuar gjatë një tërmeti. Për Manastirin e Bilincit nuk shënohet asgjë tjetër në dokumentin në fjalë.
“Në bibliotekën e manastirit janë gjetur libra të vjetra ruse, që do të thotë se marrëdhëniet me Rusinë kanë vazhduar në ndonjë mënyrë. Ky është një prej kontakteve më të hershme të manastireve në trojet bullgare me Moskën. Ka të ngjarë që kryedhjaku Stefan të jetë një prej figurave të para shpirtërore, të cilët kanë pasur takim me udhëheqësin rus.”
Dihet se gjatë shekullit të XVIII atje ka pasur një shkollë. Kalina Minçeva e ka vizituar manastirin në vitin 2006.
“Tmerri më i madh ishte kur hymë në kishë dhe konstatuam se afresket pothuaj nuk shiheshin. Mbi to kishte piktura të reja me ngjyra të freskëta si nga ndonjë përrallë ruse. Atje banonin dy rishtare dhe një murg, i cili ishte rrethuar me mur. Ai nuk dëshiroi të flasë me ne. Në manastir nuk kishte rrymë elektrike dhe ujë. Merrnin ujë nga një përrua afër manastirit. Për produktet ushqimore ata shkonin një herë në muaj deri në Breznik. Me tullat e mureve ata kishin ndërtuar qeliza. Në fakt ata kanë provuar të kujdesen për tempullin, por nuk i kanë pasur dituritë e nevojshme. Një, ose dy vjet para nesh atje kishte shkuar një grup shkencëtarësh. Ata arritën të paktën ta ndalojnë “rinovimin” e pikturave murale, por për shembull në absidë një pikture shumë interesante murale e Shën Mërisë me Jezu Krishtin në një medaljon në formën e zemrës tashmë nuk ekziston, sepse mbi këtë pikturë murgu ka pikturuar një imazh tjetër të Shën Mërisë me ngjyra shumë të ndritshme. Sipas mendimit të restauruesve aktualisht shkenca nuk e di në çfarë mënyrash këto bojëra mund të pastrohen, pa u prishur shtresa e poshtme. Domethënë pikturat murale poshtë nuk mund të rimëkëmben.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Fotografi: Miglena Ivanova dhe Kalina Minçeva
E quajnë Nikopollin "qytetin e shekujve" për shkak të historisë së tij mijëravjeçare. Ai u shfaq si vendbanim qysh në vitin 169 pas Krishtit gjatë kohës së perandorit romak Mark Aureli. Në vitin 629, perandori bizantin Nikifor III Foka e riemëroi..
Gërmimet arkeologjike në lagjen Kaleto të qytetit të Danubit Llom zbuluan mbetje të strukturave mbrojtëse romake që datojnë nga shekulli I pas Krishtit. Gërmimet, të udhëhequra nga krye asistenti Dr. Vlladisllav Zhivkov nga Instituti Kombëtar..
Këtë vit bëhen pesëmbëdhjetë vjet nga zbulimi i relikteve të Shën Joan Pagëzorit, Pararendësit, gjatë gërmimeve në ishullin Sozopoll nga një ekip i arkeologut Prof. Dr. Kazimir Popkonstantinov. Autenticiteti i zbulimit në mbetjet e manastirit mesjetar të..