"Njeriu nuk e njeh rrugën drejt qiellit, por kali e di", thotë një fjalë e urtë trake. Prandaj, mbretërit trakë dërgoheshin me patjetër në botën e përtejme së bashku me kuajt e tyre. Për shkak të varreve të shumta të sundimtarëve nga epoka helenistike, zona mes qyteteve bullgare Kazanllëk dhe Shipka quhet Lugina e Mbretërve Trakë. Zbulimet kryesore arkeologjike filluan 80 vjet me pare.
Më 19 prill 1944, ushtarët hapin llogore në kodrën Tjullbeto mbi Kazanllëk (Bullgaria Qendrore). Papritur goditën në një mur. Ata lëvizën një gur të madh dhe u futën në një vrimë të errët. Nën dritat e gazetave të djegura, ata janë të mahnitur nga afresket në tumën thraketë zbuluar para tyre. Kërkimet dhe konservimi vazhduan deri në vitet 1970. Një kopje e monumentit të paçmuar u ndërtua për të ruajtur origjinalin. Në vitin 1979, tuma e Kazanllëkut u bë vendi i parë bullgar që u përfshi në Trashëgiminë Kulturore Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Tuma ishte grabitur në antikitet, por në pluhurin në dysheme u gjetën ari dhe qepje të praruara nga rrobat madhështore të prishura, pjesë stolish, ndërsa jashtë tumës - në një altar - ishte vendosur një enë argjendi. Në holl (dromos) u gjetën eshtrat e një kali të varrosur me mbretin trak për t'i shërbyer atij në jetën e përtejme. Një burrë dhe një grua janë shtrirë në dhomën rrethore. I varrosuri ka qenë një luftëtar. Ai është i armatosur me një heshtë dhe një shpatë të shkurtër trake të lakuar - mahaira.
Më të dukshmet në shtëpinë e fundit të çiftit mbretëror të varrosur janë pikturat shprehëse në mur. Ato rikrijojnë bëmat ushtarake në rrugën tokësore të sundimtarit Odrisian. Skenat të çojnë në afresket qendrore nën kupolën e dhomës së varrimit.
Duke qëndruar në mes të hapësirës së vogël në formë koshereje, mund të kthesh kokën dhe si film, para teje luhen momentet e fundit të një ceremonie mortore. Në mes është imazhi i mbretit të larguar. Me një kurorë dafine të artë në kokë, ai është lyer më i errët, sepse tashmë ka vdekur. Ai është ulur përballë një tavoline të mbushur me ushqime. Në dorën e djathtë mban një enë me verë. E majta është thurur me dorën e gruas së ulur përballë. Mesa duket, as vdekja nuk do t'i ndajë. Burri e ka ngulur shikimin te gruaja dinjitoze. Ajo e menduar ka ulur kokën dhe shikimin me pyetjen - çfarë vjen pas vdekjes? Ajo duhet të jetë gruaja e preferuar e mbretit. Ajo është e destinuar ta shoqërojë atë në jetën e përtejme.
Tavolina e fundit e çiftit është e tensionuar. Shërbëtoret e shtojnë misterin. Njëri i ofron të ndjerit një shegë, si simbol i pavdekësisë. Të tjerë i sjellin mbretëreshës gjërat që do t'i shërbejnë në përjetësi. Fillon procesioni. Trumpetistet femra lajmërojnë ndarjen. Një burrë mban një kuti të vogël blu. Kalorësit tërheqin hamshorët e preferuar të sundimtarit me shalë. Kafshët ndjejnë se së shpejti do të flijohen. Kuajt e mbërthyer janë më nervozët. Karrocieri mezi i mban prapa. Ky është momenti i fundit...
Vizitori shikon lart në gurin që mbulon tholosin ose qemerin e kupolës. Mbi të gjitha këtë gjë, 3 karroca garash fluturojnë në një rreth. Këto janë lojërat funerale-konkurse të organizuara në kujtim të të ndjerit. Jeta dhe vdekja rrotullohen së bashku. Para shqisave “vijnë në jetë” njerëzit e 23 shekujve më parë.
Interpretimet e imazheve janë të ndryshme. Për disa, një festë funerali helenistik është pikturuar nën kube. Sipas studiuesve të tjerë, simbolika orfike duhet kërkuar në personazhet dhe skenat, duke treguar për përjetësimin e shpirtit të mbretit thrak të varrosur dhe të hyjnizuar.
Në fillim të shekullit të ri, Profesori i asociuar Konstantin Boshnakov, përmes analizave fotografike, zbuloi se pikturat murale në varrin trak ishin të nënshkruara nga autori i tyre. Artisti është Kodzimazis ose Kosimasis. Në rininë e tij, ai pikturoi edhe një tumë tjetër trake të Aleksandrit. Boshnakov zbuloi gjithashtu emrin e të varosurit në tumën e Kazanllëkut. Ai është Roigos ose Raizdos, i biri i Sevtus, të gjithë mbretër të shtetit trak të Odrisianëve.
Ka rreth 1500 tuma trake në zonën e Kazanllëkut. Prandaj e quajnë Fushën e Kazanllëkut – Lugina e Mbretërve Trakë. Janë studiuar rreth 200 tuma dhe 15 varre. Pse Odrisët vendosën ta varrosnin prijësit e tyre të vdekur pikërisht këtu? Përgjigja për enigmën mund të jetë në megalitin e famshëm afër Buzovgradit, mbi Kazanllëk, ose në qytetin tashmë të zhytur të Mbretit Sevt - Sevtopolis.
Lexoni më tepër:
Foto: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Përgjatë shtrirjes midis Rrafshinës së Trakisë së Epërme dhe malit Rodopa nga lindja në perëndim si një varg gjerdani renditen vendbanimet piktoreske - Asenovgrad, Perushtica, Kriçim, Peshtera, Patalenica dhe Varvara. Përgjatë luginave të..
Arkeologët bullgarë vazhdojnë studimin e nimfeumit të lashtë (vend i shenjtë i nimfave), zbuluar në kompleksin "Aquae Calidae" pranë Burgasit. Nimfeu zë një vend qendror në banjot e dikurshme romake dhe ka qenë pjesë e një shatërvani me mbishkrim..
Një tempulli trak nga shekulli III para Krishtit pa analog në vendin tonë mund të shndërrojë 10 hektarë të zonës "Jug" ("Juzhen") të Plovdivit në një park arkeologjik. Vendi ndodhet në bazën e Tumës së Madhe, të cilën një ekip i Muzeut..
Në rrugën Sofje - Samokov përballë rrjedhës së lumit Iskër, pranë kthesës së madhe piktoreske midis fshatrave Kokaljane dhe Pasarell pranë Urës..