Zhasmina Panajotova është një bullgare që jeton prej 35 vitesh në Suedi. Ajo është përkthyesja e parë e betuar nga suedishtja në bullgarisht dhe punon në sferën sociale, në gjykatë, në polici, në spital...
Megjithatë, në kohën e lirë, kamera e telefonit të saj e kthen atë në një fotografe amatore me një ndjenjë të mprehtë ndaj bukurisë së botës përreth nesh dhe, mbi të gjitha, të natyrës. Fotografitë e saj zgjojnë ëndrrat dhe na bëjnë të soditim.
Pamjet, që kap ajo me kamerën e telefonit janë më të ndryshmet - perëndimet nostalgjike, agimet e heshtura plotë shpresë, detin me nuancat e tij të ndryshme të pafundësisë magjepsëse, natyrën e egër që është një hap larg nesh - pemët, lulet, lejlekët, çafkat, pilivesat, drerët...
“Përkthimet e mia lidhen me situata mjaft traumatike, dhe fotografia për mua është një lloj ikje nga ky realitet, që më ofron profesioni”, pranon bashkëbiseduesja jonë.
Më 1 nëntor, ajo hapë ekspozitën e vet të dytë personale në Suedi, e cila do të zgjasë gati një muaj - deri më 26 nëntor.
“Ekspozita ime me moton “Shikoni botën” u rregullua në Varberg, në qendrën kulturore të këtij qyteti të vogël suedez, popullsia e të cilit është 36 mijë njerëz - thotë Zhasmina Panajotova. – Ekspozita është e vendosur në sallën hyrëse të bibliotekës. Në të prezantoj 26 nga fotot e mia, duke shpresuar që me to të sjell pak dritë dhe ngrohtësi në muajin më të errët të vitit këtu - nëntorin."
Pamjet përfaqësojnë kryesisht natyrën suedeze - pyje, lule, mjellma, flutura, por gjithashtu - me një hark ndaj qytetit që priti ekspozitën - ka edhe pamje nga Varberg. “Ne jemi të lidhur me të. Kemi një vilë verore jo shumë larg qytetit dhe jemi shpesh aty”, shpjegon Zhasmina dhe shton:
"Ka një surprizë të vogël në këtë ekspozitë. Në të vendosa të përfshij tri tablo bojëra uji të krijuara nga një bullgare - Ani Dojkina. Ajo është shoqja ime në Facebook, e cila i ndjek prej kohësh fotot e mia. Me sa duket, ajo mori frymëzim prej tyre dhe krijoi këto tablo. Në përgjithësi, ne të dy krijojmë dhe rikrijojmë bukurinë rreth nesh, secila në mënyrën e vet. Meqenëse Ani më preku kaq shumë me këtë ide të saj për të rikrijuar fotot e mia, dua t'ia kthej gjestin. Vendosa spontanisht se ishte e drejtë që publiku suedez të prekte talentin e saj.”
Në prezantimin e ekspozitës, organizatorët theksojnë se veprat e Zhasmina Panajotovës janë një lloj kërkimi për harmoninë, ekuilibrin dhe horizonte të reja. Prandaj e pyes, a është e lehtë për një shpirt bullgar të gjejë ekuilibrin në tokën suedeze. Ajo qesh si përgjigje dhe me shkathtësi e hedh topin në fushën e natyrës:
"Për mendimin tim është e lehtë. Mendoj se natyra nuk ka kombësi. Është universalisht e bukur kudo që është dhe i përket të gjithëve."
Natyra është ajo që e tërheq në mënyrë të papërmbajtshme edhe gjatë kthimeve të saj të shpeshta në Bullgari. Prandaj nuk habitem kur pyetjes sime, ku në vendin tonë ndihet më shumë si në shtëpinë e vet, ajo iu përgjigj:
"Ka vende ku ndihem rehat - kur ngjitem në mal, në Pirin, në Vitosha. Aty ndihem si në shtëpi".
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: Zhasmina Panajotova
Kodet e identitetit janë baza e gjenealogjisë - një shkencë që merret me prejardhjen e brezave, me origjinën njerëzore, me lidhjet farefisnore. Kodet e identitetit na dallojnë si njerëz - është i bindur për këtë asistenti kryesor Rosen Gacin nga..
Më 1 tetor, bota feston gjuhën universale të muzikës. Vështirë se dikush dyshon në aftësinë e këtij arti për të shëruar shpirtrat dhe për t'u dhënë krahë mendimeve, por sot do të shtojmë edhe një histori tjetër që e vërteton këtë - atë të bateristit të..
Kanë kaluar 116 vjet që nga 22 shtatori i vitit 1908, kur Bullgaria zuri vendin e saj të barabartë midis vendeve të tjera të pavarura të Evropës në atë kohë. Ndonëse, ndryshe nga Bashkimi, shpallja e Pavarësisë ishte një akt tërësisht politik, kjo nuk e..