Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Kalorësi i poezisë rok Aleksandër Petrov feston ditëlindjen e 70-të me një koncert

Foto: Facebook /Aleksandër Petrov

Një nga emrat ikonë të muzikës bullgare - kalorësi i poezisë rok, Aleksandër Petrov - feston 70-vjetorin e tij me një koncert më 25 tetor në Sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës. Publiku do të ketë mundësi të dëgjojë disa nga këngët më të njohura bullgare të bazuara në vargjet e tij.

Me poezinë e Aleksandër Petrovit, gjithmonë të ngarkuar me mesazhe të forta, ne lidhim një sërë këngësh të grupeve që formuan muzikën rok në Bullgari në dekadat e fundit – Tangra, Shturcite, Faktor, Signall, Diana Ekspres, BTR, D2. Tekstet e tij poetike mbeten përgjithmonë në zemër dhe i kthyen në hite këngët e një sërë interpretuesish individualë si Stenlei, Vili Kavallxhiev, Valldi Totev, Kirill Mariçkov, Ilija Angellov, Georgi Hristov e shumë të tjerë.

I lindur në Sofje më 23 shtator të vitit 1953, Aleksandër Pertov u diplomua për filologji bullgare në Universitetin “Kliment Ohridski”. Qëkur ishte fëmijë dëshira e tij ishte të studionte histori, por fati i caktoi një fushë tjetër. Hapat e tij të parë në muzikën rok erdhën pothuajse rastësisht. Kompozitori Boris Karadimçev i ofroi të shkruante tekste për një këngë të një grupi provincial. Kështu lind historia për “qytetin e vogël ku asgjë nuk ndodh” - poezi për të cilën Boris Karadimçev e krijoi muzikën. Menjëherë pas kësaj ata incizuan këngën për qiradhënësen më të famshme në Bullgari, kënga e tretë ishte “Dashuria pa të cilën nuk mund të jetojmë” - hite të arta edhe më sot nga repertori i grupit “Tangra”.

“Në një farë mënyre hyra në këtë profesion me hov nga dera kryesore”, thotë Aleksandër Petrov në një intervistë për Radio Bullgarinë në lidhje me koncertin e tij “Rok Poezi”:

Aleksandër Petrov

“Përvjetori im i 70-të më shqetëson pak, dhe prandaj nuk e reklamoj kështu. Mendoj se nuk është e rëndësishmesa vjeç bëhet njeriu, prandaj ky nuk është një koncert përvjetor. Përkundrazi, është një koncert që nuk do të përsëritet më. Sepse publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë këngë vërtet emblematike, kartëvizita të grupeve të dashura të rokut bullgar. Nuk është e lehtë të mblidhen të gjithë këta muzikantë në një skenë në një ditë të caktuar.”

Për këtë bindemi duke lexuar emrat e muzikantëve që do të ngjiten në skenë më 25 tetor. Ata janë me të vërtetë ndër më të preferuarit dhe të gjithë ata janë të afërt me Aleksandër Petrov si në krijimtari ashtu edhe në jetë. I pyetur se çfarë është ndryshe pas gjithë këtyre viteve dhe çfarë ka ende, ai përgjigjet:

“Nuk mund të them se diçka është ndryshe. Sepse mbi të gjitha kemi besim të madh te njëri-tjetri: ata – në fjalët që shkruaj, unë – në muzikën që bëjnë. Pra, kjo është ajo që na bashkonte gjatë gjithë këtyre viteve. Janë ata që në fakt i bënë shumë të njohura poezitë e mia dhe nuk mund të harroja kurrë për asnjë moment atë që më dhanë.”

Koncerti titullohet "Rok Poezi" - marka e mbrojtur e krijuesit Aleksandër Petrov. Rezulton se ai e ka mbajtur atë sipas të gjitha rregullave të Ligjit të Pronësisë Intelektuale.

“Pse titullohet “Rok Poezi” – sepse të gjitha këngët që do të tingëllojnë u krijuan para së gjithash si poezi dhe më pas ua dha kompozitorëve dhe muzikantëve për t’i kthyer në muzikë. Përzgjodha këngë në të cilat u përpoqa të bëj një lloj mesazhi. Është normale që çdo brez të ketë muzikën e vet, personazhet e veta në skenë dhe këtë e pranoj si pjesë të evolucionit. Megjithatë, shija e mirë është shumë e rëndësishme në të gjitha rastet, sepse ka shumë gjëra me vlerë në çdo zhanër. Unë thjesht dëshiroj të dëgjoj më shumë gjëra për të mirën, për shpresën, për temat e përjetshme - për dashurinë dhe për takimet, për ndarjet... Do të doja t'i dëgjoja në një mënyrë më të thellë përmes këngës. Sigurisht, një këngë duhet të argëtojë mbi të gjitha. Por në të njëjtën kohë, do të doja të kishte më shumë këngë që na bëjnë të mendojmë për ato gjëra të përjetshme në jetë pa të cilat nuk mund të jetojmë.”

Një nga këto tema të përjetshme është dashuria, për të cilën Aleksandër Petrov krijoi një varg të paharrueshëm. “Dashuria pa të cilën nuk mund të jetojmë” u kthye në një hit të përjetshëm të grupit “Tangra”.


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Fotot: Facebook / Aleksandër Petrov, Ani Petrova, Pallati Kombëtar i Kulturës




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Këngët e Kiçka Savovës mbledhin të rinj të talentuar në një master klasë në Plovdiv

Më 9 nëntor, një nga sallat e Ansamblit Folklorik “Trakia” në qytetin e Plovdivit (Bullgaria Jugore) do të mbledhë talentë të rinj për master klasën tradicionale “Me këngët e Kiçka Savovës”. Ngjarja organizohet nga fondacioni “Kiçka Savova”, kryetare e të..

botuar më 24-11-08 1.10.MD

Iskrena Jordanova – një muzikante e shquar që ia kushtoi zemrën muzikës barok

Violinistja Iskrena Jordanova prej tridhjetë vitesh jeton në Lisbonë. Gjithçka që ajo bën si muzikante është e lidhur me muzikën barok. Një pjesë të madhe të kohës ia kushton zbulimit të dorëshkrimeve të lashta, të cilave u jep jetë me ansamblin e saj..

botuar më 24-11-06 7.50.PD

Një koncert i daulleve japoneze tajko do të kënaqë dashamirësit e muzikës në Sofje

Dashamirët e muzikës japoneze mund të shijojnë një koncert me daulle tradicionale japoneze tajko në ekzekutim të grupit Wadaiko-Sai - Japoni. Koncerti mbahet në kuadrin e Ditëve të Kulturës Japoneze në vendin tonë. Daullet Tajko kanë një histori..

botuar më 24-11-05 9.10.PD