"Ju jeni rilindës modernë - larg atdheut ju e ruani shpirtin bullgar dhe e mbani atë ndër vite". Me këto fjalë ministri i arsimit, prof. Galin Cokov iu drejtua të pranishmëve në hapjen e konferencës vjetore të Shoqatës së Shkollave Bullgare Jashtë Vendit. Pak minuta më vonë, ai dorëzoi çmimin e sapokrijuar të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, që mishëron fjalët e tij – çmimin “Zgjimi”. Marrësi i parë i statuetës, ishte Snezhina Meçeva, bashkëthemeluese dhe zëdhënëse e Shoqatës së Shkollave Bullgare Jashtë Vendit që nga krijimi i saj në vitin 2007 dhe drejtoreshë shumëvjeçare e shkollës bullgare "Ivan Stançov" në Londër.
“Çmimi është një dhe i pari, por ka shumë prej nesh që e meritojnë – tha Snezhina Meçeva enkas për Radio Bullgarinë. – Kolegët e mi ndoshta e meritojnë më shumë këtë çmim se unë. Një person i vetëm nuk mund të bëjë asgjë. Ne kemi nevojë për njerëz me mendje dhe për një komunikim ndërmjet organizatave joqeveritare dhe shtetit. E arritëm këtë dhe jemi shembull se kjo mund të ndodhë.”
Gjatë gjithë karrierës së saj profesionale, Snezhina Meçeva e ka mbrojtur kauzën "Bullgaria", një kauzë që shpesh e harrojmë brenda kufijve të vendit tonë. “Dhe kjo është normale”, na thotë zonja Meçeva:
“Duke shkuar në një vend të huaj, ju dëshironi të ruani identitetin tuaj kombëtar. Në fakt, nostalgjia jonë është një ndjenjë e madhe, magjepsëse që na bën bullgarë...”
Dhe Snezhina Meçeva e ka bërë pikërisht këtë për 35 vjet. E lindur në Sofje, ajo u diplomua për filologji bullgare në Universitetin “Paisij Hilendarski” të Plovdivit dhe për më shumë se dhjetë vjet punoi si redaktore dhe montazhere në kinemanë dokumentare. Në fund të viteve 1980, burri i saj mori një ofertë pune në Britaninë e Madhe dhe e gjithë familja u zhvendos për të jetuar në Londër. Por lidhja me Bullgarinë mbeti. Në vitin 1989, Snezhina Meçeva u bë mësuese në Shkollën Bullgare pranë ambasadës sonë në Londër dhe pak pas kësaj pranoi përgjegjësinë për të qenë drejtoreshë e institucionit arsimor. Fryt i përpjekjeve të saj ndër vite janë rritja shumëfish e nxënësve bullgarë, hapja e klasave të reja të gjimnazit dhe e klasave parashkollore për fëmijë nga 4 deri në 6 vjeç. Njohjet nga institucionet, si dhe nderimet për vetë Meçevën, janë të shumta, duke përfshirë edhe çmimin e Agjencisë për Bullgarët Jashtë Shtetit "Bullgarja e Vitit - 2013", Certifikatën e Nderit të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës "Neofit Rillski”, Medaljen e Artë të Nderit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të tjera.
Perla e fundit në kurorën e kauzës bullgare është çmimi "Zgjimi". Kjo shënon fillimin e një etape të re në zhvillimin e shkollës bullgare "Ivan Stançov" në Londër. Rruga vazhdon, por pa Snezhina Meçevën. Pas 16 vitesh aktivitet ajo u tërhoq edhe nga posti i zëdhënëses së Shoqatës së Shkollave Bullgare Jashtë Vendit së bashku me kryetaren e mëparshme dr. Irina Boteva-Vlladikova. Të dy mbetën anëtarе nderi të Shoqatës që ata krijuan.
Prej gushtit 2023, presidencën e Shoqatës së Shkollave Bullgare Jashtë Vendit e mori Petja Caneva, themeluese dhe drejtoreshë e shkollës së parë bullgare të së dielës “Shën Ivan Rillski” në Madrid.
Shkolla bullgare në Londër këtë vit feston përvjetorin e saj të 35-të.
“Shkolla jonë është ndër shkollat kryesore bullgare të fundjavës në botë, sepse kemi një ekip të jashtëzakonshëm profesionistësh. Dhe pikërisht kjo është më e bukura, kur ka njerëz të përkushtuar, secili i fortë në fushën e tij dhe i gatshëm për të ndihmuar. Shkolla do të vazhdojë të ekzistojë për shkak të ekipit dhe për shkak se kaq shumë ambasadorë, tetë me radhë, duke përfshirë edhe z. Marin Rajkov tani, na kanë mbështetur. Ata kanë qenë gjithmonë pas nesh dhe falë tyre kemi arritur shumë. Çmimi im është çmim i tërë shkollës”, tha Snezhina Meçeva.
Dhe me fjalë shumë emocionale, ajo shtoi se njohja më e madhe personale për të ishte reagimi i njerëzve kur mësuan për vendimin e saj për t'u pensionuar. Një vendim që ajo e mbajti të fshehtë për një kohë të gjatë. Janë dhjetëra letrat me fjalë të mira nga fëmijët, prindërit, kolegët dhe bashkëmendimtarët.
“E di që më duan shumë njerëz. Nuk kam nevojë për asgjë tjetër. Po largohem e lumtur dhe me zemër plot.”
Dhe urimi i saj për bashkatdhetarët në mbarë botën është një - të mbeten bullgarë, pavarësisht se ku janë.
Lexoni më tepër:
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Kodet e identitetit janë baza e gjenealogjisë - një shkencë që merret me prejardhjen e brezave, me origjinën njerëzore, me lidhjet farefisnore. Kodet e identitetit na dallojnë si njerëz - është i bindur për këtë asistenti kryesor Rosen Gacin nga..
Më 1 tetor, bota feston gjuhën universale të muzikës. Vështirë se dikush dyshon në aftësinë e këtij arti për të shëruar shpirtrat dhe për t'u dhënë krahë mendimeve, por sot do të shtojmë edhe një histori tjetër që e vërteton këtë - atë të bateristit të..
Kanë kaluar 116 vjet që nga 22 shtatori i vitit 1908, kur Bullgaria zuri vendin e saj të barabartë midis vendeve të tjera të pavarura të Evropës në atë kohë. Ndonëse, ndryshe nga Bashkimi, shpallja e Pavarësisë ishte një akt tërësisht politik, kjo nuk e..