Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Austria, Çekia dhe Sllovakia: Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së është përmes ndryshimeve kushtetuese

Jan Lipavski, Aleksandër Shalenberg, dhe Mirosllav Vllahovski në konferencën e shtypit në Shkup

Ministrat e punëve të jashtme të Austrisë, Aleksandër Shalenberg, të Republikës Çeke, Jan Lipavski dhe të Sllovakisë, Mirosllav Vllahovski, vizituan Maqedoninë e Veriut me urdhër të komisionerit të BE-së për politikën e jashtme, Zhosep Borell. Ata dëshmuan mbështetjen për Shkupin në rrugën drejt BE-së dhe përcollën qëndrimet zyrtare të BE-së për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. “Sa më shpejt do të bëhen ndryshimet kushtetuese, aq më shpejt Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat”, theksoi Lipavski. “Ne nuk jemi në Shkup për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendit dhe për të moralizuar. Ndryshimet në kushtetutë për regjistrimin e bullgarëve janë vendimi juaj. Unë besoj se rruga duhet të merret dhe presim momentin kur gjuha dhe kultura maqedonase do të jenë pjesë e komunitetit evropian”, tha Shalenberg.
Kryeministri maqedonas Dimitër Kovaçevski u përgjigj se është koha që në parlament të fillojë diskutimi për ndryshimet kushtetuese dhe për përfshirjen e bullgarëve në ligjin bazë të vendit. “Ndryshimet nuk janë të diktuara, por janë angazhim nga korniza e negociatave dhe janë zë për Evropën”, theksoi Kovaçevski.

Turqia filloi së ndërtuari një uzinë për prodhimin e dronëve në Ukrainë

Në Ukrainë filloi ndërtimi i uzinës së dronëve “Bajraktar” të prodhuesit turk të avionëve Bajkar. Këtë e bëri të ditur ministri i industrive strategjike të Ukrainës, Aleksandër Kamishin. Marrëveshja për ndërtimin e një uzine për mjetet ajrore pa pilot “Bajraktar” në Ukrainë u nënshkrua në shkurt të vitit 2022 dhe në gusht u bë e qartë se Bajkar tashmë kishte blerë një ngastër toke. Uzina do të ketë një sipërfaqe prej mbi 30 000 metra katrorë dhe do të punësojë 300 inxhinierë dhe teknikë ukrainas. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë turke, Haluk Bajraktar, tha se pritet që prodhimi i dronëve “Bajraktar TB2” dhe “Bajraktar Akinxhë” të fillojë në Ukrainë në vitin 2025. Gjatë vizitës së Vollodimir Zelenski në Turqi më 7 korrik, në prani të presidentit ukrainas dhe homologut të tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, u nënshkrua një Memorandum bashkëpunimi midis Turqisë dhe Ukrainës në fushën e industrive strategjike, duke përfshirë prodhimin e dronëve.

Ministri social i Rumanisë dha dorëheqjen për shkak të shtëpive të të moshuarve

Мариус Будъй

Ministri i punës dhe i drejtësisë sociale i Rumanisë, Marius Budëj, dha dorëheqjen pas zbulimeve për të moshuarit e mbajtur në kushte çnjerëzore në shtëpitë e kujdesit social të financuara me fonde publiku, njoftoi BTA. Zbulimet çuan në një sërë inspektimesh në shtëpi pleqsh, shtëpi për personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijë të privuar nga kujdesi prindëror. Javën e kaluar, autoritetet rumune larguan më shumë se 100 të moshuar nga disa shtëpi të kujdesit social në Voluntari, qarku Ilfov, të cilët u rrahën, u vunë nga uria, u detyruan të punonin dhe u privuan nga ushqimi dhe ilaçet. 56 të moshuar u dërguan në spitalet e Bukureshtit. Mediat rumune e quajtën rastin një “strehë tmerresh” dhe presidenti i vendit, Klaus Johanis e përshkroi atë si “turp kombëtar”.

Në Qipro zbuluan Qytetin Mesdhetar të Ëndrrave

Kazino-resorti i parë i integruar në Evropë hapi dyert në Qipro dhe tashmë po mirëpret vizitorët. Qyteti Mesdhetar i Ëndrrave pritet të nxisë më tej interesin turistik ndaj ishullit, duke tërhequr për vit mbi 300 000 turistë të pasur. Ndërtimi i kompleksit të kategorisë më të lartë botërore pranë qytetit bregdetar Limasoll zgjati 5 vjet, duke u vonuar për shkak të problemeve që lidhen me pandeminë dhe luftën në Ukrainë, raportoi korrespondentja e BNR në Qipro, Branisllava Bobanac.
Kompleksi përfshin një kazino prej 7500 metrash katrorë, një hotel luksoz, vende të shumta argëtimi dhe një rrugë tregtare me dyqane dizajnerësh. Investimi në vlerën 650 milionë euro i përket një kompanie nga Hong Kongu.

Përpiluese: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Foto: EPA/BGNES, unian.net, Facebook/Ministerul.Muncii.Romania, АP/BТА


Më shumë nga rubrika

Doc. Dr. Spas Tashev

Integrimi evropian nuk do të jetë ndër prioritetet kryesore të qeverisë së sapozgjedhur të Maqedonisë së Veriut

Festa e Frymës së Shenjtë në Bullgari shënohet edhe si Dita e Maqedonisë. Tradita filloi pas Kryengritjes së Ilindenit të vitit 1903, pasi fillimisht ishte Dita e Luftës për Maqedoninë dhe Edrenenë, dhe pas Luftës së Parë Botërore u bë "Dita e..

botuar më 24-06-24 4.03.MD
Ekrem Imamoglu

Ngjarjet me adresë ballkanike

Kryebashkiaku i Stambollit kritikoi marrëveshjen për emigrantët mes Turqisë dhe BE-së Kryetari i bashkisë së Stambollit dhe një kundërshtar i presidentit Erdogan, Ekrem Imamoglu, kritikoi ashpër marrëveshjen e vitit 2016 midis..

botuar më 24-06-21 1.47.MD

7 parti në parlamentin e ri, 7 pikëpamje për qeverisjen e ardhshme

​ Shtetësia vuan nga përçarja. Votuesi bullgar dëshiron ndryshime dhe detyra e politikanëve është t'i zbatojnë ato - të planifikuara, të ndërgjegjshme dhe të arsyetuara. Jetojmë në një kohë jashtëzakonisht dinamike, jetojmë në një kohë të ndarë. Me..

rinovuar më 24-06-19 4.41.MD