Çdo dy vjet, forumi dhe konkursi më i madh në botë për lutierët mbahet në SHBA, organizuar nga Shoqata e Violinës së Amerikës. Konkursi përbëhet nga pesë ndarje - violinë dhe violë, violonçel, kontrabas dhe kuartet, dhe dy kategori - "përpunim" dhe "tingull". Çdo bienale mbahet në një qytet të ndryshëm midis brigjeve perëndimore dhe lindore. Në kongresin e fundit të 24-të në qytetin Anaheim, Kaliforni Jugore (13-18 nëntor 2022), pas një pauze 4-vjeçare për shkak të pandemisë dhe me një numër rekord pjesëmarrësish, lutieri bullgar Vlladimir Tilev fitoi dy çmime - një medalje argjendipër violë dhe vend të tretë (certifikatë) për violinë. Të dyja janë në kategorinë "tingull", që është mjeshtëria e vërtetë e instrumentit.
“Në fakt, çmimi më i madh, edhe pse i renditur i treti, është për violinat, sepse aty konkurruan 194 instrumente, ndërsa violat ishin “vetëm” 65”, ka pranuar vetë Tilevi në studion e BNR-së.
Ai shprehet se instrumentet me tela kanë shpirt dhe nëse arrin ta zbusësh, bëhesh një virtuoz i vërtetë muzikor. Pikërisht kjo dëshira për të prekur shpirtin e instrumenteve me tela ishte ëndrra e fëmijërisë së Vllado Tilevit. Si djali i violinistit të njohur bullgar Georgi Tilev, ai u ushqye që i vogël me muzikën klasike, e cila paracaktoi rrugën e tij – fillimisht si muzikant profesionist, e më pas si lutier. Që në kohën kur ishte student i violonçelit në Shkollën e Muzikës në Sofje, ai ishte i apasionuar pas rregullimit të “problemeve të vogla” të violonçelit të tij. Pas kësaj, ai filloi të kalonte gjithnjë e më shumë kohë në studion e një mjeshtri të njohur në atë kohë - Bogomill Terziev, fqinj i familjes së tij, dhe gjithçka dukej se ishte e paracaktuar. "Takimet e rastësishme shpesh përcaktojnë jetën e njerëzve" - thotë Vlladimir Tilev:
“Çdo njeri ka një tërheqje për diçka të caktuar, ka disa ëndrra kur është i vogël. Dhe mendoj se që në atë moshë të hershme isha i sigurt se do bëja këtë gjë – edhe pse më shumë si hobi krahas profesionit tim si muzikant. Më vonë, megjithatë, e zëvendësova plotësisht artin e performancës me të qenurit lutier”.
Një mjeshtër i mirë duhet të jetë një muzikant me duar të shkathëta. Kjo është filozofia e bullgarit. Dhe kështu gjatë studimeve për violonçel në Universitetin e Arteve Folkwang, në qytetin gjerman Essen, ai nuk rreshti së vizituari studiot e lutierëve vendas dhe kështu mësoi për zanatin nga burimi. Edhe sot e kësaj dite, ai thotë se restaurimi për të është aktivitet më i këndshëm sesa krijimi i një instrumenti krejtësisht të ri.
Gradualisht, kjo u kthye nga një hobi në profesion për Tilevin. Ai krijoi punishten e tij dhe gjeti dy ndihmësit e tij, me të cilët kryesisht bënin harqe për shumë vite rresht, dhe në dhjetë vitet e fundit edhe instrumente të plota.
Sot ai është një nga më të mirët në profesionin e tij në nivel botëror dhe në një intervistë për Radio Bullgarinë në vitin 2017, ai pranoi se kishte zbuluar disa nga sekretet e instrumenteve të patejkalueshëm të familjeve të famshme të shekujve XVII dhe XVIII si Stradivari, Amati, Guarneri. Por që të ndodhë magjia e vërtetë e muzikës dhe “shpirti” të jetojë, duhet të ketë një simbiozë mes cilësive të instrumentit dhe të muzikantit.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme nëse interpretuesi arrin të nxjerrë melodi të mirë, nëse lejon që instrumenti të zhvillohet, të vibrojë siç duhet dhe prej andej tingulli përmirësohet gjithnjë e më shumë''.
Dy instrumentet e Vllado Tilevit që fituan çmime nga Kongresi i Shoqatës së Violinës së Amerikës janë tashmë në duart e një mjeshtri. Ai ia dha violën me medalje argjendi Joana Kamenarskës, e cila është koncertmaster e Filarmonisë së Hamburgut, ndërsa violina ishte dhuratë për violinistin tonë të madh Minço Minçev, mësues në Universitetin e Arteve Folkwang - "si shprehje e respektit tim dhe për kontributin e tij në kulturën bullgare. Ky do të jetë instrumenti i tij personal", thotë Vlladimir Tilev për BNR, duke shtuar se edhe djali i Minçevit, Nikollaj, luan një violinë të punuar prej tij.
Në vitin 2016, mjeshtri bullgar themeloi Fondacionin "Vllado Tilev", i cili synon të frymëzojë dhe motivojë fëmijët e talentuar. Çdo vit mbahet një konkurs në të cilin muzikanti i ri më i mirë fiton një instrument nga studioja e Tilevit.
Tekst: Vesella Krësteva
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: vladotilev.com, arkiv personal, BGNESÇdo fëmijë ëndërron të ketë gjithë kohën e botës për të luajtur dhe për të shijuar shumë ëmbëlsira. Një nga më të dashurat, natyrisht, është e Madhërishmja - Çokollata. Për shumë njerëz sot, çokollata është një burim i vazhdueshëm lumturie, sepse..
Një nga poetët më të rëndësishëm bullgarë - Atanas Dallçev - lindi më 12 qershor 1904 në Selanik, në një familje të pasur që jetonte pranë Kullës së Bardhë. Babai i tij, Hristo Dallçev, ishte ndër qytetarët e shquar bullgarë në Selanik - jurist për..
Emri i Prof. Vlladimir Kefallov është në listën e shkencëtarëve që fituan çmimin prestigjioz Bresler për meritat në studimin e organit të të parit të njeriut në vitin 2019. Zbulimet më të rëndësishme të fizikanit bullgar, i cili jeton dhe punon në..