Romani më i përkthyer, më i lexuar dhe më i dekoruar shqiptar për disa vitet e fundit doli në tregun bullgar. Bëhet fjalë për “Otello, Arapi i Vlorës” të Ben Blushit. Prezantimi i tij ishte organizuar nga specialiteti “Ballkanistika” i Universitetit të Sofjes “Shën Kliment i Ohrit”. Përkthimi është bërë nga doc. dr. Ekaterina Tërpomanova, moderatorja e ngjarjes ishte doc. dr. Rusana Bejleri – profesoresha e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Ndër të pranishmit ishte Ambasadori i Republikës së Kosovës në Sofje Shkëlqesia e Tij Zoti Edon Cana bashkë me Ministrin Këshilltar të Ambasadës Delfin Pllana. Përfaqësuesit e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë ishin në krye me Këshilltarin e Parë Novruz Çeta. Ngjarjen e respektuan profesorë, studentë, gazetarë dhe adhurues të letërsive ballkanike.
Detyrën jo të lehtë të popullarizojë një letërsi të vogël, siç është letërsia shqiptare e ka ndërmarrë shtëpia botuese “Izida”. Ky është titulli i tretë shqiptar i publikuar nga ajo. Vështirësitë janë të shumta dhe një prej tyre doli se është udhëtimi shumë orësh mes Sofjes dhe Tiranës, i cili e pengoi autorin të marrë pjesë në promovimin e librit.
“Ben Blushi është mbajtësi i Çmimit për letërsi të Bashkimit Evropian dhe ky ishte një nga kriteret për zgjedhjen e tij – tha botuesi Pllamen Totev. Natyrisht na bëri përshtypje dhe tematika e librit, sepse subjektet e Shekspirit janë të përhershme dhe gjithmonë janë interesante interpretimet e tyre të ndryshme. Shpresoj se libri do të ketë sukses edhe në Bullgari – ka mjaft premisa për këtë dhe në vend të parë është përkthimi i shkëlqyeshëm i Ekatrina Tërpomanovës. Unë personalisht nuk kuptoj gjuhën shqipe, por këtë që e lexova në variantin bullgar më flet për një gjuhë të pasur dhe të përsosur. Subjektet e Shekspirit mund të jenë interesante, por me rëndësi është mënyra e shkrimit të tyre, mënyra e rrëfimit. Dhe për këtë tingëllim të bukur në gjuhën bullgare kontributi është i përkthyeses.”
Lajmi i mirë është se në të ardhmen e afërt presim të paktën dy libra të tjerë të autorëve shqiptarë që do të botohen në bullgarisht. Ja se çfarë shpjegoi për këtë Pllamen Totev:
“Paraqitja e këtij libri në gjuhën bullgare nuk është një gjë episodike. Përkundrazi, kemi një program për botimin e autorëve aktualë shqiptarë. Luan Starova ishte i pari në të. Pavarësisht se ai jeton në Maqedoni është pjesë e letërsisë shqiptare. Në gjuhën bullgare tashmë kemi tre libra të tij. Planifikojmë akoma dy autorë të tjerë, për veprat e të cilëve tashmë kemi marrëveshje për botim dhe i zotërojmë të drejtat e autorit. Njëri prej tyre është Grigor Banushi, i cili gjithashtu e fitoi Çmimin për letërsi të BE-së dhe tjetri është Rudi Erëbara.”
Përkthyesja doc. dr. Ekaterina Tërpomanova është gjuhëtare dhe është udhëheqësja e katedrës së Gjuhësisë së përgjithshme, indo-evropiane dhe ballkanike pranë Universitetit të Sofjes dhe siç ajo vetë tha, përkthimi i letërsisë shqiptare për të është një kënaqësi e madhe. Ju ofrojmë të dëgjoni fjalët e saj para mikrofonit të Radio Bullgarisë:
Foto: Pllamen Totev
Për vitin e njëzet e tretë, ekipi i “Bansko Film Fest” do të transferojë publikun në disa nga pikat më ekstreme të botës përmes 75 filmave nga 39 vende. “Të gjitha janë premiera, për disa prej tyre shfaqjet në Bansko do të jenë premiera botërore”, tha..
Në sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK) në Sofje, fillon edicioni i 38-të i “Kinomania”. Festivali i filmit hapet më 13 nëntor me premierën e filmit “Tufa”. Pas sukseseve të tij në mbarë botën dhe datave të premierës plotësisht të shitura në..
Festivali Ndërkombëtar i Kinemasë Etnografike “OKO” do të mbahet në Sofje nga data 8 deri më 15 nëntor. Forumi realizohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Filmit, Bashkisë së Kryeqytetit, Ambasadës së Ukrainës dhe Derzhkino të Ukrainës. Këtë vit,..