Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Svintilla – kjo është Drita

Foto: bnt.bg

Poeti, beletristi, publicisti, përkthyesi dhe kritiku kulturor Vlladimir Nikollov – Svintilla është një dukuri e jashtëzakonshme në jetën kulturore bullgare. Pseudonimi i tij “Svintilla” është lidhur me nocionin e “dritës”. Krijuesi i talentuar është autor i përkthimeve të këngëve të Robërt Bërnsit, të sonatave të Shekspirit, të Bërndard Shous...

Në kujtimet e tij nga viti 1978, të ruajtura në “Fondin e Artë” të Radios Kombëtare Bullgare, krijuesi na tregon:

Kam banuar në Pançarevo. Shtëpia ime ishte në një kodër të lartë. Qielli fillonte në vetë pragun. Në një pyll shumë të madh prej jargavanësh para nesh këndonin tërë natën bilbilat. Punoja në sfondin e këngës së tyre. Kam shkruar nja tetë, dhjetë variante të një kënge. Netët e ngrohta dilja që të lahem në pellgun e kaltër. Jetoja në mënyrën, në të cilën sot ëndërrojnë të jetojnë ekologët. Punoja 12-14-16 orë. Natën shëtitja nën dritën e hënës me vargjet e Bërnsit në kokën time.

Kontributi i tij ndaj letërsisë bullgare është njohur madje nga oponentët e tij:

Svintilla kishte një kontribut të madh për diçka shumë të rëndësishme në Bullgari – përkthimin. Ai zhytej në fusha të ndryshme. Përkthimet e tij nuk ishin të përsosura, por ishin më të mirat në atë kohë dhe ai ishte mi i miri, i cili përpiqej ta kryente punën e vet në mënyrën më të mirë. Kështu qe Svintilla do të mbetet në historinë e letërsisë dhe kulturës bullgare. Ai ishte një figurë shumë e madhe dhe e rëndësishme” – thotë shkrimtari dhe kritiku i artit Atanas Sllavov në një incizim të ruajtur në “Fondin e Artë”, megjithë kundërshtimet e tij personale me Svintillën.

Vlladimir Svintilla ka lindur në vitin 1926 dhe u nda nga jeta në vitin 1998. Ka mbaruar Gjimnazin e Gjuhës Italiane në Sofje, por zotëron gjithashtu rusishten, frëngjishten, gjermanishten, spanjishten dhe anglishten. Në kohën e socializmit për shkak të interesit të tij ndaj kulturës perëndimore ai është persekutuar nga autoritetet e atëhershme dhe në vitin 1949 për shkak të akuzës së falsifikuar për spiunazh u gjend në kampin “Bogdanov Doll”, pas kësaj edhe në “Kucijan”. Pasi doli nga atje ai ishte me probleme shëndetësore. Në vitin 1952 Vlladimir Svintilla mbaroi shkenca juridike në Universitetin e Sofjes, kurse më vonë u bë redaktor në gazetën “Kultura e Popullit”. Ka bashkëpunuar me kritikën letrare dhe shtypin bullgar e të huaj. Është autor i 20 librave. Është injoruar dhe lavdëruar. Ai është një krijues i nivelit më të lartë evropian, por nuk e ka arritur majën e famës në Bullgari, as më parë, as pas 10 nëntorit 1989.

Jo vetëm Vlladimir Svintilla nuk i arriti majat e famës. Këto janë specifikat e mjedisit bullgar, ku shumë krijues janë pjesë e pranisë intelektuale botërore pa e pasur atë dukshmëri, që ekziston në vendet e tjera, sepse konteksti atje është tjetër – është i mendimit Javor Gançev, një nxënës i Svintillës, i cili ka qenë në kontakt me Svintillën në fund të jetës së tij. – Atje marrëdhëniet e shoqërisë me intelektualët janë shumë intensive. Në Bullgari jeta intelektuale është dominuar nga shumë gjëra të tjera. Mendoj se pikërisht ky është shkaku – pasiviteti i shoqërisë sonë.

Duke i lexuar faqet e krijuara nga Svintilla, lexuesi mbetet i mahnitur për pasurinë e madhe të gjuhës bullgare. Në publicistikën e tij, që bën përshtypje për filozofinë e thellë, dituritë e thella në lëmin e historisë, vëzhgimin e tij mbi psikologjinë e popullit, trajtohen disa tema shumë të rëndësishme, si për shembull rikthimi te rrënjat, kritika e dukurive të së tanishmes, si klientelizmi, morali i falsifikuar, ndikimi i keq i administratës mbi shpirtin e njeriut, lufta specifike në mjedisin bullgar për mbijetesën individuale.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Një valë kulturore franceze po përfshin Sofjen në javët e ardhshme

Deri në fund të vitit bullgarët do të takohen me kulturën franceze në formën e një sërë shfaqjesh filmash, leximesh letrare, konferencash, ekspozitash etj . Rasti  është 145 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Francës dhe..

botuar më 24-10-16 7.20.PD

Tregu si fenomen kulturor në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen

Një nga vendet më interesante dhe plot ngjyra në çdo vendbanim është tregu i tij. Pavarësisht nëse është i hapur përditë apo në një ditë të veçantë të javës, nëse ka ose jo specifika të produkteve që ofron, tregu është një fenomen kulturor që ka..

botuar më 24-10-09 7.35.PD

Takim në Ambasadën e Shqipërisë me studentët e Universitetit të Sofjes

Ditën e premte në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Sofje u zhvillua një takim i ngrohtë dhe i përzemërt mes Ambasadores Znj. Inid Milo me studentët dhe profesorët e Gjuhës shqipe në Departamentin e Ballkanistikës të Universitetit të Sofjes “Shën..

botuar më 24-10-06 12.05.MD