Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Skandali lidhur me vaksinat turke – mjekësi, fitim, ose diçka tjetër

Ministri i Shëndetësisë Petër Moskov
Foto: BGNES

Ne bullgarët jemi mësuar me skandalet, të cilat zakonisht janë lidhur me politikanët, afaristët dhe kriminalitetin e organizuar. Mirëpo, javën e kaluar shpërtheu një skandal, i cili ka të bëjë me shëndetin e fëmijëve dhe nipërve tanë – bëhet fjalë për importin skandaloz të vaksinave “Pentaxim” dhe “Euvax". Ajo e parë është pesëvalente dhe injektohet në foshnja të moshës deri në 1 vit kundër difterisë, tetanusit, kollës së mirë, poliomielit dhe hemofilus influence. Këto janë sëmundje shumë të rrezikshme, të cilat tashmë i kemi harruar në saje pikërisht të vaksinave. Sa për vaksinën tjetër “Euvax” – ai është kundër hepatitit B.

Skandali përgatitej disa muaj, por shpërtheu para disa ditësh, kur prokurori duke u mbështetur te ligji shpalli importin e vaksinave nga Turqia si shkelje e ligjit. Shkaku për këtë është fakti se Turqia është jashtë BE-së dhe nuk disponon të ashtuquajturën “certifikatë për çlirimin e partisë nga laboratori evropian”, domethënë këto vaksina nuk mund të shiten në rrjetin tregtar të vendeve nga BE-ja.

“Të dyja vaksinat e importuara nga Turqia, nuk disponojnë lejë për përdorim në Bullgari”, deklaroi Asja Petrova, kryetare e Prokurorisë Administrative Supreme. Ministri i Shëndetësisë Petër Moskov iu përgjigj me një konferencë të jashtëzakonshme për shtypin, ku njoftoi se vaksina “Pentaxim” është përfshirë në kalendarin e detyrueshëm të imunizimit në Bullgari dhe se u përgjigjet të gjitha kërkesave, që të përdoret në vend dhe në BE në përgjithësi. Përveç kësaj, shtoi Moskov, vaksina nuk përhapet në rrjetin tregtar, por sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë për të gjitha strukturat shëndetësore. Sa për vaksinën tjetër “Euvax”, ajo ruhet në depo dhe është rezervë e shtetit në përballimin e krizave epidemiologjike, ose të fatkeqësive natyrore, saktësoi Ministri dhe shtoi se vendi ynë ka fituar në ankand, që të mund ta përdorë këtë vaksinë në përputhje me kalendarin e imunizimit. Petër Moskov ishte mjaftë emocional: “Lufta e egër e interesave ekonomike mund të ma prekë mua, mund të më kontrollojnë, të më kërkojnë dorëheqjen, por kjo nuk duhet të prekë qetësinë dhe instinktin e njerëzve në mbrojtjen e fëmijëve të tyre.”

Skandali lidhur me vaksinat ka karakter mjekësor, juridik dhe financiar. Dihet se tashmë disa vite në Bullgari ekzistojnë probleme me ankandet për importin e vaksinave. Ndoshta kjo i detyrohet faktit se vendi është një treg tepër i vogël dhe përkatësish jotërheqës  për koncernet farmaceutike. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me vështirësitë e mëdha rreth procedurave lidhur me rekomandimet publike, ose thjeshtë kemi tepër shumë nëpunës të korruptuar shtetërorë. Gjithsesi, edhe vitin e kaluar ankandet për rekomandimet publike për disa vaksina të veçanta u rrëzuan dhe Ministria e Shëndetësisë u mbështet tek opsioni për kontratat direkte, në rastin konkret me shtetin turk.  U arrit te një shkëmbim – Turqia ia dhuroi Bullgarisë sasinë e domosdoshme të vaksinave “Pentaxim”, kurse Bullgaria ia dhuroi Turqisë sasinë e nevojshme të vaksinave kundër tuberkulozit. Sipas Ministrit Moskov shkëmbimi ishte krejtësisht i leverdishëm edhe për të dyja anët. Sipas specialistëve vaksina “Pentaxim” e importuar nga Turqia, praktikisht është një produkt i firmës – prodhuese “Sanofi”, produkt ky i cili është absolutisht i rregullt në tregun e BE-së. Elementet e vaksinës janë prodhuar në Francë, kurse në Turqi zbatohen operacionet e fundit në përgatitjen e saj për qëllimet tregtare.

Ka dhe diçka tjetër. Mjegullat informative, ndërhyrjet e prokurorëve, mbrojtja e Ministrit Moskov na bëjnë për të menduar për skenarë politikë. Nuk do të befasohemi në qoftë se në rast të fundit tërë zhurma mbaron me dorëheqjen e Ministrit Petër Moskov, dorëheqje kjo e cila mund të kërkohet nga rrethet e pakënaqura farmaceutike, ose nga formacionet e pakënaqura politike në opozitë, ose njëkohësisht nga të dyja anët. Nuk është i rastit edhe fakti  se në kulmin e skandalit Partia Socialiste Bullgare në opozitë më në fund vendosi se çfarë të jetë tema e mocionit të përgatitur të mosbesimit ndaj qeverisë – rrëzimi në shëndetësi, përfshi këtu edhe çështjen e vaksinave. Nuk do të befasohemi në qoftë se Petër Moskov ka të njëjtin fat si paraardhësi i tij Bozhidar Nanev nga qeveria e parë e Bojko Borisovit. Ai u largua nga posti i Ministrit të Shëndetësisë për shkak të importit të preparatit kundër gripit “Tamiflu”. Ndër të tjera, më vonë u bë e qartë se veprimet e Nanevit kanë qenë absolutisht në përputhje me ligjin dhe në interes të shtetit.

Gjithsesi, vaksina e importuar nga Turqia “Pentaxim” tashmë përdoret në Bullgari, ajo është shpërndarë ndër mjekët familjarë dhe strukturat mjekësore dhe fushata e imunizimit është duke u zhvilluar. Mirëpo, ky problem lidhur me vaksinat na bën për të menduar se shoqëria përsëri është peng i interesave financiare dhe politike të prapa skenës, për të cilat shëndeti i brezit më të ri bullgar nuk ia vlen asgjë.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Bullgaria është e para në BE që realizoi inteligjencën artificiale të nivelit të lartë në gjuhën e saj

Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë shkencore me financim shtetëror. Inteligjenca artificiale e gjeneratës së re, e krijuar për të punuar në..

botuar më 24-11-20 2.59.MD
Ursula von der Leyen

Ekipi i ri i Ursula von der Leyen: a do të arrihet një "marrëveshje paketë" për të miratuar të gjithë komisionerët e BE-së

Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..

botuar më 24-11-20 9.20.PD
Prof. asoc. Spas Tashev

Rajonet ku jetojnë bullgarë në Shqipëri është e nevojshme të kenë autonomi administrative

Minoriteti kombëtar bullgar në Shqipëri është një nga më të mëdhenjtë në vend, sipas të dhënave nga censi i fundit zyrtar i popullsisë atje. 7 057 persona janë deklaruar si bullgarë, në krahasim me 23 000 që janë identifikuar si grekë, 12 000 si..

botuar më 24-11-19 7.30.PD