“Mësimi më i rëndësishëm që ai na ka lënë është dashuria, dashuria në çdo një kuptim – ndaj fëmijëve, ndaj artit, ndaj jetës, ndaj miqve. Ai është kultivuar me këtë dashuri, e ka marrë nga familja. Prindërit e tij të kujdesshëm, shumë të varfër dhe të zakonshëm, gjithmonë mendonin për birin e tyre si për një person të jashtëzakonshëm. Gjithmonë i qëndronin pranë – bile atëherë, kur jetonin në shtëpizën njëkatëshe me dy dhoma dhe me një kuzhinë në fshatin Kalishte dhe kur Metodi u ka thënë se dëshiron të mësojë gjuhën franceze. Atëherë prindërit e mirë u mbartën në Sofje, në një shtëpi akoma më të vogël në lagjen e tanishme Krasno Selo. Sepse ai dëshironte të mësonte dhe ishte pranuar në Kolegjin Francez. Dëshironte gjithashtu t’i binte violinës – “Mirë, do t’i bjerë violinës...” – këtë e tregojnë motrat Nevena dhe Milena Andonovi, të cilat e humbën babin e tyre akoma kur ishin fëmijë. Edhe sot atо përpiqen ta mbajnë të gjallë ndjenjën për të. “Ai lëvizte me shpejtësi shumë të madhe dhe rrezatonte shumë gëzim dhe frymëzim” – kujtojnë dy motrat. Në kujtesën e vajzave Metodi është ai që gjithmonë mungonte, ai është babai, i cili jetonte në gëzim, i frymëzuar nga puna e vet.
Metodi Andonovi filloi rrugën e tij të regjisorit në teatrin e qytetit bregdetar Burgas, në vitet kur elita artistike e kryeqytetit e vizitonte këtë teatër për të ndjekur shfaqje me cilësi më të lartë. Kjo është periudha e lavdisë më të madhe të teatrit të Burgasit – nga mesi i viteve të 50-ta deri në mes të 60-ave, kur katërshja e famshme Metodi Andonov, Leon Daniel, Vili Cankov dhe Julia Ognjanova krijuan teatrin modern bullgar.
“Në Burgas shkova menjëherë pasi mbarova institutin, tregoi Metodi në një intervistë që ruhet në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare. – Nga puna ime atje kujtoj disa skena nga shfaqjet “Geracite”, “Xhaxhallarët” dhe “Në gjurmët e gëzimit” të Viktor Rozovit. Në Teatrin Satirik të Sofjes erdha në vitin 1959. Dhe ardhja ime këtu është ngjarja më e madhe e jetës sime teatrale. Puna ime në këtë teatër e paracaktoi përgjithmonë fatin tim. Preferoj aktorët e vërtetë, të cilët kanë një sjellje jetëplotë në skenë. Të cilët mund të ngrihen mbi të tjerët, të frymëzohen dhe të krijojnë çastet e tyre të shkëlqyeshme. I dua aktorët, të cilët kanë një ndjenje të posaçme për modernizëm, por jo ata që janë të ftohtë dhe racionalë, sidoqoftë që të jenë modernë.”
Kjo intervistë e Metodi Andonovit është e vitit 1968. Në këtë vit është xhiruar filmi i tij i parë – “Dhoma e bardhë”. Filmi ka merituar çmimin e parë “Trëndafili i Artë” në Varna dhe po ashtu çmimin e parë në Festivalin e Filmit në Delhi. Më pas Metodi Andonov është larguar nga teatri, i pakënaqur me gjërat pa vlerë dhe xhelozinë. Por gjithsesi në periudhën e mëparshme ka sjellë disa nga shfaqet më të shquara në historinë e Teatrit të Satirës. “Qasja e tij tek jeta ishte një vrapim të palodhshëm”, kujton shkrimtari Jordan Radiçkov. Metodi Adonov është pikërisht personi që e “ka ftuar” Radiçkovin në skenën teatrale, duke ia zbuluar sekretet e artit teatral. Miqtë, të afërmit dhe aktorët e kujtojnë Metodi Andonovin si njeri i cili vrapon pa pushim. Pas punës në orët e vona ai ka rimenduar të gjitha detajet e roleve dhe episodeve. “Ai që ka punuar me Metodi Andonovin sigurisht e ka parë venën që pulsonte në ballë, shtatin e tij të drejtë dhe të brishtë dhe njëkohësisht të fortë. Një hark shigjeta e të cilit qëllon në zemër”, rrëfen aktorja Tatjana Llollova në librin e saj biografik. Energjia dhe prania e tij karakteristike dallohen dhe po ashtu në kinematografi. Katër dekada pas premierës së kryeveprës “Briri i dhisë” – një histori të prekshme për dhunën dhe dashurinë, ende ka forcë ndikuese. I pritur në mënyrë triumfale nga publiku bullgar, filmi u dallua si më i miri në Festivalet e Kinematografisë në Bullgari, Çeki, SHBA, dhe Portugali. “Briri i dhisë” (bullg. “Koziat rog”) është i vetmi film bullgar në “listën e shkurtër” të çmimeve Oskar në vitin 1972.
“Në pjesën dërmuese të filmave dhe shfaqjeve ku kam trajtuar temat, konfliktet dhe personazhet bashkëkohore, këto i kam marrë direkt nga realiteti ynë. Mendoj se në vepra siç është rasti me filmin “Briri i dhisë”, subjekti është marrë nga e kaluara, por faktet kanë të bëjnë me realitetin tonë. Për këtë dëshmon fakti se publiku e kërkonte dendur filmin. Unë e kam të vështirë të interpretojë krijimtarinë time, por mund të them se qëllimi im i vetëm ishte trajtimi i temës bashkëkohore.”
Në vitin 1974 kur Metodi Andonov është ndarë nga jeta në moshën 42 vjeçare, ai ka qenë artist i mirënjohur, profesor, regjisor i shfaqjeve më të bukura në Teatrin e Satirës dhe autor i katër filmave. Ka merituar një sërë çmimesh prestigjioze. Sot emrin e Metodi Andonovit e mbajnë një rrugë kryeqytetase, salla e dhomës e Teatrit të Satirës, vatra kulturore në vendlindjen e tij. Me emrin e tij lidhet “Bririn e dhisë”, i cili film sa kohë nuk zbret nga ekrani.
Përgatiti në shqip: Jordanka Ivanova, Anna Kapitanova
Bullgaria tjetër – këta janë mijëra bullgarët, të shpërngulur jashtë shtetit pas grusht shtetit prosovjetik më 9 shtator të vitit 1944. Të shpërndarë nëpër tërë botën ata jetojnë me imazhin e atdheut, me të kaluarën e tij kontradiktore, me të tanishmen..
Në një letër të vet Xhuzepe Verdi shkruan: “Mos e mësoni këngëtarin si të këndojë. Në se ai e ka talentin, ai e di si”. Dhe sikur ato fjalë janë të thënë pikërisht për këngëtaren Gena Dimitrova – ylli operistik bullgar, i cili i pushtoi skenat botërore..
“Pata nota të dobëta të gjuhës bullgare dhe të letërsisë. Dhe kjo, sepse kurrë nuk arrita të bëjë hyrje, ekspozitë, përfundim në një ese. Filloja, sa doja dhe përfundoja sa doja.” Këtë e rrëfeu para shumë kohe shkrimtari Jordan Radiçkov, për të cilin..