Daniell Spasov për kuptimin e harruar të traditës "Koleduvane"
"Kënga popullore është një nga mrekullitë e Bullgarisë dhe një pasuri kulturore e jomateriale, e cila megjithatë po shkon drejt zhdukjes", tha këngëtari për Radio Bullgarinë
публикувано на 26.12.24 в 06:05
Çdo festë ka aromën, teshat dhe meloditë e saj. Kështu është edhe me Krishtlindjet. Dihet pak për këngët e Koledarëve (Grupet e djemve të Krishtlindjeve) dhe qëllimin e tyre, dhe flitet pak për to, madje në shumë raste ato që thuhen janë të gabuara. Por e rëndësishmja është që këto këngë të vazhdojnë të ekzistojnë - thotë Daniell Spasov në një intervistë për Radio Bullgarinë. Ai përveç se është këngëtar i njohur i këngëve të vjetra, jetën e tij ia ka kushtuar edhe kërkimeve të folklorit tonë në formën e tij autentike. Ai vëren me shqetësim se trashëgimia muzikore e Krishtlindjeve në vendin tonë po zhduket gjithnjë e më shumë dhe po harrohet nga brezat e rinj.
“Nuk e dimë si kanë qenë dhe si tingëllonin këngët 200 ose edhe 100 vjet më parë (nuk kishte teknologji për regjistrimin e zërit), por është e rëndësishme që trashëgimia folklorike të prezantohet ashtu siç ka arritur tek ne” – thotë muzikologu dhe përkufizon veten si një person që pati shansin e jashtëzakonshëm për të kontaktuar bartësit e gjallë të traditës. Daniell Spasov pranon se prej tyre ka mësuar shumë për këngët popullore bullgare.
"Sot, ne e njohim folklorin si këngë dhe valle të vëna në skenë. Këto janë format muzikore që ne njohim, por folklori është një sistem i gjerë, diçka shumë e ndryshme, shumë e thellë dhe primitive, dhe kërkon një qasje mjaft të qëndrueshme në studimin e tij." - kujton interpretuesi i shquar dhe vazhdon:
"Ja këto këngë - këngët e Krishtlindjeve - ato kanë qenë pjesë e ritualit festiv dhe nuk janë performuar kurrë pa arsye. Secila prej tyre kishte mesazhin e vet, kuptimin dhe rëndësinë e vet - diçka që sot nuk dihet fare. Tek ne kanë arritur vetëm disa nga këto këngë të bukura që këndojmë në skenë në ndonjë rast ose tingëllojnë të harmonizuara nga kompozitorët bullgarë, ose janë pjesë e ndonjë kërcimi. Kjo nuk e përfaqëson aspak rëndësinë e folklorit përmes të cilit përçohej dituria.
Kuptimi i traditës së Krishtlindjes është pikërisht ky - këtu djali i ri tashmë merr një status tjetër, ai bëhet burrë pikërisht përmes këngëve të Krishtlindjeve. Të rinjtë mblidheshin para festave të Krishtlindjeve, para vetë ritualit koleduvane, që është më 24 dhjetor, i mësonin këto këngë dhe kështu përfshiheshin në traditë dhe i përcillnin këto njohuri”.
Daniell Spasov flet me admirim për këngëtarët e vjetër popullor që kishte takuar në mbarë vendin, përtë cilët kënga ishte "Dhuratë nga Zoti". Këndonin saktë dhe me hijeshi pa i ditur as notat. Ata i mësonin këngët nga gjyshet e tyre dhe kështu kënga përcillej brez pas brezi - trashëgimia e vërtetë njerëzore.
"Kënga popullore është një nga mrekullitë e Bullgarisë dhe një pasuri kulturore jomateriale, e cila, megjithatë, po shkon drejt zhdukjes. Muzika në gjuhë të huaj tingëllon gjithandej përreth nesh, ndërsa kënga bullgare e Krishtlindjeve nuk gjendet askund", thotë muzikanti.
“Vite më parë, me Milen Ivanovin /një interpretues i folklorit autentik/ realizuam një studim të tillë, gjetëm këngë nga shtresa më e lashtë e traditës së Krishtlindjes, të regjistruara dikur nga Vasill Stoin në përmbledhjen “Nga Timok, te Vita”, botuar në vitin 1928. Ishte një gjë shumë e vështirë dhe aty gjetëm këngë tepër të bukura, të harruara dhe tërësisht të panjohura sot. Në të vërtetë, këngët e Krishtlindjeve janë të lashta, komplekse për t'u kuptuar, por mund të përkthehen në gjuhën moderne. Pikërisht këtë kemi bërë në disa nga këto këngë. Me Milenin, edhe me "Misterin e zërave bullgarë", kishim incizuar një CD të tërë për Krishtlindje, të cilën patëm rastin ta nxjerrim në SHBA. Quhet "Ritual" dhe u nominua për një çmim Grammy në 1994. Ato këngë tingëllojnë ndryshe dhe mund të jenë pjesë e kremtimit të festës së bullgarit të kohëve moderne, edhe pse ne nuk i japim më të njëjtën rëndësi zakonit të Krishtlindjes në atë kuptim që ekzistonte më parë dhe nuk i respektojmë kërkesat e këtij riti. Këngët tona popullore janë shumë të bukura dhe mund të tingëllojnë shumë aktuale dhe bashkëkohore”.
Shumica e interpretuesve të këngëve të Krishtlindjes, pjesëmarrës në grupet e këngëve, nuk kanë pasur talent të veçantë për të kënduar, por as këngët nuk ishin të komplikuara për t'u interpretuar. Përkundrazi, ishte e rëndësishme të mbahej mend teksti dhe mesazhi që përcillte.
Si njeri i afërt me folklorin tonë, Daniell Spasov u dërgoi të gjithë bullgarëve urimin e tij festiv:
“Do të kthehesha tek ato urimet e këngëve tona të vjetra, të cilat janë shumë të bukura: “Sa yje në qiell, aq shëndet në këtë shtëpi!” Dhe unë këtë uroj – të jemi mirë, çdo gjë tjetër vjen gradualisht kur njeriu ndjek aspiratat dhe synimet e tij, kur është i mirë, dhe kjo është shumë e rëndësishme - mirësia të jetë e pranishme, gjithçka tjetër, siç thotë Bibla, "do të na shtohet"!"
Foto: arkiva personale e Daniell Spasovit, facebook.com/ArtSilistra, tsarevo.info
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Още от БНР уеб