Nga vreshti në shishe – “Mavrudi” legjendar si pjesë e kartëvizitës së Bullgarisë

 “Poezia në një shishe” - kështu e përcaktojnë njohësit varietetin emblematik të verës vendase “Mavrud”. Ajo karakterizohet me një ngjyrë të thellë rubin, si dhe nivele të larta të taninit dhe acideve. Në pijen legjendare bullgare mbizotërojnë aromat e frutave të pyllit, marmelatës së trëndafilit, notave tokësore, barishteve dhe erëzave. Dhe plakja në fuçi lisi i jep një shije të butë dhe të dendur.

“Mavrudi” kultivohet me shekuj në trojet tona, por konsiderohet se qendra e origjinës së tij është rajoni i qytetit Asenovgrad (ish Stanimaka) të Bullgarisë Jugore, ku edhe sot gjendet përqendrimi më i madh i vreshtave të këtij varieteti rrushi.

Nuk është rastësi që kjo verë është një emblemë e Bullgarisë”, thotë Ekaterina Hristova nga Shoqata Bullgare e Profesionistëve të Verës dhe shton:

"Dhe jo sepse është varieteti më i popullarizuar në Bullgari, por sepse është unik për këtë rajon që nga koha e trakëve. “Mavrudi” rritet edhe në rajone të vogla të Greqisë Veriore, por ndihet më mirë në Bullgari dhe mund të jetë padyshim kartëvizita e vendit tonë. Prej 5 vitesh ne shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Mavrudit duke ndjekur shembullin e ditëve ndërkombëtare të varieteteve ikonike lokale të mbajtura në mbarë botën. Veprimtaria mbahet me iniciativën e shoqatës sonë me mbështetjen e organizatës ndërkombëtare The Wine & Spirit Education Trust."

Shumë legjenda tregohen për origjinën e Mavrudit. Sipas njërës prej tyre, Khan Krum ndaloi prodhimin dhe konsumimin e verës, sepse besonte se kjo ishte shkaku i disfatës së ushtrisë së tij. Por një burrë me emrin Mavrud vazhdoi fshehurazi të bënte verën, duke ua ofruar ushtarëve të plagosur, të cilët shëroheshin shpejt dhe ktheheshin në fushën e betejës. Khan Krum mësoi për efektin e mrekullueshëm të pijes dhe e anuloi menjëherë ndalimin, dhe urdhëroi varietetin e rrushit të emërohej pas burrit të guximshëm. 

Në të kaluarën, e ashtuquajtura Stanimashka Mallaga ishte shumë e njohur. Besohet se krijuesi i saj ishte prodhuesi dhe tregtar nga qyteti  Asenovgrad Aristidis Çorbaxhaka. Vera e tij legjendare përgatitej duke zier mushtin derisa të merrej rreth 30-40% e vëllimit të tij. Vera vjetërsohej për tre vjet në fuçi të vogla lisi dhe vetëm atëherë u ofrua në treg. Mirëpo, teknologjia nuk përdoret më.

“Nuk është rastësi që Dita Ndërkombëtare e Mavrudit është më 26 tetor – Dita e Shën Dhimitrit, sepse legjenda është se verëbërësi Çorbaxhaka fillonte të vjelë rrushin pas Ditës së Shën Dhimitrit, ose në nëntor sipas kalendarit të vjetër, d.m.th shumë vonë.  Ky ishte një rrush shumë aromatik dhe bënte një verë shumë të trashë. Prej andej vjen përshtypja e gabuar, se “Mavrudi” është një verë shumë e trashë, shumë e rëndë. Realisht, si profil vere, “Mavrudi” është në fakt me trup mesatar (për nga dendësia dhe pesha) dhe ka aciditet shumë të këndshëm. Këto ditë kemi lloje të ndryshme të verës “Mavrud” - Mavrud natyralë, Mavrud me ngjyrë roze dhe të tjera.” 

Si pjesë e mozaikut turistik të Bullgarisë, “Mavrudi” ka shumë admirues mes të miqve të huaj. Prandaj, interesi për turnetë e verës me degustime të varietetit emblematik janë mjaft të njohura. Fatkeqësisht, jo kudo në vendin tonë ofrojnë verëra bullgare. Por ky trend po ndryshon. Gjithnjë e më shumë, restorantet tona punojnë në partneritet me kantinat e verës lokale, të cilat i furnizojnë me varietete lokale, duke përfshirë dhe “Mavrud”. “Sepse turisti dëshiron të provojë shijet dhe aromat e destinacionit përkatës dhe vera është pjesë e këtij mesazhi” – thotë në përfundim Ekaterina Hristova.

Lexoni më shumë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova