Radio Bullgaria te bullgarët në Shqipëri
Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello: Shqiptarët janë një popull tolerant dhe i vlerësojnë bullgarët
публикувано на 09.07.24 в 07:30
Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello: Shqiptarët janë një popull tolerant dhe i vlerësojnë bullgarët
Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe në Shqipëri gjuha bullgare studiohet në mënyrë akademike. Lektorati jonë është pjesë e Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe prej disa vitesh profesor i gjuhës, letërsisë dhe kulturës bullgare është Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello.
"Gjuha bullgare këtu është një lëndë me zgjedhje dhe studiohet për 4 semestra - shpjegoi ai në një intervistë për Radio Bullgarinë. - Lektorati ekziston prej shumë vitesh - që nga koha e socializmit. Studentët mësojnë kryesisht gjuhën bullgare, por gjatë mësimit ata njihen si me literaturën ashtu edhe me historinë e Bullgarisë. Mbizotërojnë studentët me origjinë shqiptare, por jo rrallë interes për gjuhën shfaqin edhe të rinjtë nga vende të tjera, veçanërisht ata që vijnë në programe të ndryshme evropiane, si "Erasmus". Ka edhe nxënësi shqiptarë me origjinë bullgare nga trevat historiko-gjeografike me popullsi kompakte bullgare – Gora, Gollo Borda, Prespa e Vogël".
Studentët më anë të gjuhës bullgare gjejnë përmbushje në fushën e turizmit, shkencës dhe administratës shtetërore. Prej katër vitesh po fiton popullaritet edhe Shkolla Verore e Gjuhës Bullgare, e cila realizohet me ndihmën e Universitetit të Veliko Tërnovos në Bullgari.
"Duke qenë se orët e gjuhës bullgare në fakultet janë të pamjaftueshme, në korrik, pothuajse për të gjithë muajin, ne ofrojmë mundësinë që studentët të përmirësojnë njohuritë në lidhje me gjuhën dhe kulturën e Bullgarisë - vazhdon Prof. Asoc. Bello. - Kushdo që dëshiron mund të regjistrohet dhe ka mundësinë për disa javë të studiojë gjuhën letrare bullgare dhe një pjesë të letërsisë dhe historisë së Bullgarisë.
Ne ftojmë pedagogë nga Universiteti i Veliko Tërnovos dhe nga universitete të tjera në Bullgari, si dhe shqiptarë vendas që e njohin Bullgarinë dhe gjuhën bullgare dhe mund të bëjnë krahasime interesante me gjuhën dhe letërsinë shqipe".
Gjatë Shkollës Verore mbahen edhe seminare në terren. Për shembull, vitin e kaluar pjesëmarrësit në këtë iniciativë vizituan qytetin historik të Beratit, i cili gjithashtu ruan një sërë artefaktesh që lidhen me historinë bullgare. Siç dihet, Berati ishte pjesë përbërëse e Mbretërisë së Parë dhe të Dytë Bullgare dhe sot është një qytet-muze, i përfshirë në vitin 2008 në Listën e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore të UNESCO-s.
"Vetë emri i Beratit vjen nga gjuha bullgare dhe do të thotë "qytet i bardhë" - na tregon Raqi Bello. - Aty ruhen lipsanet e Shenjtorëve Gorazd dhe Angjellari, dy nga dishepujt e Shenjtorëve Kirill dhe Metodij. Të gjitha këto dihen kryesisht nga specialistët në Bullgari dhe për këtë arsye misioni juaj si gazetarë është shumë i rëndësishëm, pasi ju i prezantoni njerëzit me ne, me historinë tonë dhe me traditat tona. Ja pra në Berat ruhen artefakte me vlerë për bullgarët. Përveç lipsaneve të Shenjtorëve Gorazd dhe Angjellari, në një kishë që ndodhet në kalanë e Beratit që sot është kthyer në një muze, ruhen ikona mesjetare nga të gjitha kishat në Shqipëri. Midis tyre është edhe ikona origjinale e Shenjtorëve Kirill dhe Metdodij dhe pesë dishepujve të tyre, në të cilën paraqitet fjetja e Gorazdit dhe Angjellari, një ikonë e punuar nga i famshmi piktor ikonash vendas Onufri."
Shqiptarët e dinë shumë mirë se cila është historia e territorit të tyre dhe e tregojnë ashtu siç është – na tregon Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello nga Universiteti i Tiranës duke u ndalur edhe te çështja e tolerancës.
Në kryeqytet mund të takojmë familje bullgare nga e gjithë Shqipëria. Sepse ne jemi një popullsi vendase e formuar historikisht - ashtu siç janë bullgarët në vetë Bullgarinë e sotme. Në Tiranë kemi familje nga të gjitha këto zona me popullsi bullgare - Gora në veri-lindje të Shqipërisë, Gollo Borda në pjesën veriore të vendit dhe nga zona e Korçës - në lindje. Të gjithë i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat bullgare”.
Foto: Krasimir Martinov, Kostandina Bello, Fakulteti i gjuhëve të Huaja - Universiteti i Tiranës
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Още от MË THUAJ...