Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Çfarë është puna për bullgarin – nga ministri deri në njeriun e pastrehë

Foto: Reuters

Dita Ndërkombëtare e Punës në vetëdijen masive të bullgarit shpesh lidhet me periudhën e socializmit dhe demonstratat madhështore që brezi i vjetër i kujton mirë. Megjithatë, ajo ka rrënjë shumë më të thella. Filloi me protestat e punëtorëve në Çikago në vitin 1886, të njohura si "Trazirat e Haymarket", kur punëtorët industrialë kërkuan më shumë të drejta dhe, më konkretisht, një ditë pune 8-orëshe. Mbi 200 punëtorë u plagosën në shtypjen e protestës nga autoritetet, dhe pati një numër dyshifror viktimash, si nga ana e protestuesve, ashtu edhe nga ana e organeve të rendit publik që shuan trazirat.

Si e perceptojnë bullgarët 1 majin.

Edhe pse pas 10 nëntorit 1989, festa humbi një pjesë të përbërësit të saj ideologjik, 1 maji është ende një festë zyrtare në Bullgari. Dhe mbi të gjitha, një ditë pushimi, kur nuk punojmë dhe shpesh zgjedhim të shkojmë në një udhëtim pranveror. A e ruan ende Dita e Punës vlerën e saj simbolike dhe a e kuptojmë ende kuptimin e saj?

"Vlerat janë ndryshuar shumë nëse i shohim nga ideja tradicionale e njeriut të bindur dhe punëtor që punon nga mëngjesi deri në mbrëmje për ta nxjerrë bukën e gojës - kjo ka kohë që është zhdukur. Të rinjtë preferojnë lirinë dhe pavarësinë", pohon antropologu social Harallan Aleksandrov:

Harallan Aleksandrov

"Puna si një nga format më të larta të shprehjes së vetvetes, siç ishte në kohët e mëparshme, padyshim që është zhvlerësuar. Në shumicën e shoqërive të vona moderne, kjo ide ka ndryshuar dhe puna nuk është modeli kryesor, përmes të cilit një person është i pranishëm në botë. Brezat e rinj e shohin pjesëmarrjen e tyre shoqërore me një regjistër të ndryshëm sjelljeje. Gjëra të tilla si shprehja artistike e vetvetes, suksesi profesional, zhvillimi, argëtimi... renditen shumë më lart se puna. Megjithatë, puna nuk është hequr, ajo vazhdon të konsiderohet formalisht një vlerë. Por ajo që njerëzit e konsiderojnë sukses është prestigji që kanë, jo kontributi që japin."

Mungesa aktuale e njerëzve të kualifikuar në tregun e punës i vendos punëtorët në një pozicion shumë më të mirë për të negociuar dhe për të kërkuar kushte më të mira, thotë eksperti, duke shpjeguar:


"Çështja është nëse ato mund të organizohen. Institucionet sindikale janë tradicionalisht të forta, kryesisht në administratën shtetërore. Por nuk ka dyshim se kushtet e punës janë përmirësuar ndjeshëm. Megjithatë, zhvillimet teknologjike po i tejkalojnë ato njerëzore dhe kjo ka shumë të ngjarë të intensifikohet me ardhjen e inteligjencës artificiale, kur shumë njerëz do të humbasin vendet e tyre të punës", parashikon studiuesi i sjelljes sociale. Edhe pse bullgarët në përgjithësi jetojnë më mirë se dy ose tre dekada më parë, ne vazhdojmë të prekim fundin në renditjen për kënaqësinë në jetë dhe lumturinë: "Sa për ankimin - kjo duket si një karakteristikë kombëtare, duke pasur parasysh perceptimin e botës që bullgarët kanë pasur që nga kohërat e lashta - se bota ka shumë kërcënime dhe se "shumë e mirë nuk është e mirë", shpjegon antropologu social.


Dhe ndërsa të moshuarit përpiqen të punojnë edhe pas daljes në pension për të qenë në gjendje të mbështesin buxhetin familjar, bullgarët e rinj kërkojnë një realizim të menjëhershëm në planin financiar. Përshtypje të tilla ndan edhe ish-Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal Ivan Shishkov. Ai kujton se puna e ndershme është thelbësore për çdo shoqëri. "Para se të punojmë me ndershmëri, duhet të kemi arsimimin tonë. Fëmijët tanë duhet të rriten me dijeninë se për të pasur sukses, duhet të punosh shumë dhe të jesh i arsimuar."

Ivan Shishkov

"Dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme të punosh ndërsa je i ri, në mënyrë që të zhvillosh më tej cilësitë e tua dhe pastaj të mendosh se sa do të fitosh. Kjo vlen edhe për administratën shtetërore - të rinjtë që duan të punojnë në administratë dhe ta ndihmojnë vërtet shtetin duhet ta dinë se administrata nuk është aq joshëse financiarisht, por ofron njohuri dhe cilësi të tilla që ia vlejnë, në mënyrë që një ditë një person të jetë vërtet i dobishëm për shoqërinë dhe për veten e tij."

Mendimi se politikanët nuk punojnë, ndoshta disi i pritshëm, mbahet nga njerëzit, që fati i ka çuar në shkallën më të ulët në shoqëri - të jenë njëkohësisht të papunë dhe të pastrehë.

Fotografia është ilustruese

"Si mund ta vlerësojmë Ditën e Punës kur nuk gjejmë dot punë? Dhe jemi pa strehë. Çfarë mund të bëjmë? Shteti është fajtor. Dikur të gjithë punonin" -ankohet Nikollaj, i cili jeton në rrugë, në qendrën ideale të kryeqytetit. Ai shtoi se ka pësuar një mikrogoditje në tru, por nuk ka ndihmë nga shteti. Megjithë gjendjen e tij shëndetësore, ai ka dëshirë për të punuar.

Por jo të gjithë ankohen për kushtet që u ofron sistemi:

"Çdo ditë është dita e punës, kur punon shumë. Puna e palodhur është të japësh sinqerisht gjithçka që mundesh nga vetja. Dhe në fund, kur të largohesh, të mos kesh turp për atë që ke bërë", ndan pikëpamjen e tij për etikën profesionale Emill, një punëtor në një dyqan frutash dhe perimesh - një punë që kërkon zgjim çdo ditë në orët e para të natës dhe punë serioze fizike.

Ndryshe nga sa besohet gjerësisht, njerëzit me aftësi më të mëdha financiare gjithashtu duan të punojnë. Dhe më e rëndësishmja - kjo u sjell atyre kënaqësi.


"Puna për mua është jeta e përditshme. Biznesi i vogël, dhe jo vetëm, kërkon kujdes, vëmendje, punë dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme. Dhe një angazhim të përditshëm, pavarësisht nëse bëhet fjalë për punën me klientët, apo me pjesën administrative, sepse gjithmonë ka diçka që duhet rregulluar", ndan Svetosllava Stojanova, menaxhere e një lokali në qendër të Sofjes.

A e ndihmon apo e pengon shteti biznesin?

Shërbime elektronike përmes një pajisjeje mobile

"Mund të ketë disa përmirësime në shërbimet administrative. Dhe më e rëndësishmja, disa gjëra mund të ofrohen tërësisht në internet. Sepse ka raste kur duhet të shkoj në një institucion të caktuar, gjë që është humbje kohe dhe gjithashtu humbje parash, sepse në vend që të punoj, duhet të jem atje. Kushdo që merret me biznes e di se për çfarë bëhet fjalë. Bashkia, për shembull, duhet të jetë më e shpejtë, më fleksibile, shumica e shërbimeve duhet të ofrohen në internet, gjë që do të kursejë si burime, ashtu edhe kohë."

Adoleshentët gjithashtu duan të punojnë shumë dhe të jenë të pavarur, mësojmë nga Presijan, i cili do të mbarojë shkollën e mesme pas disa vitesh.

"Puna do të thotë të punosh shumë për diçka dhe në shumicën e rasteve pret një shpërblim për atë gjë. Po, kam dëshirë të punoj shumë, jam përqendruar te softueri dhe hardueri. Atje ka një të ardhme, atje ka më shumë bukë", kështu i riu i sheh perspektivat përpara tij. Shoku i tij i klasës Anatoli gjithashtu nuk punon, por ai reflekton mbi temën e punës:

"Unë stërvitem, por sporti është si puna. Nga sporti, njerëzit mund të marrin cilësi që do t'i ndihmojnë më vonë në jetë. Disiplina.”

Të nderuar miq, ekipi i Radio Bullgarisë ju uron një festë të bukur!

Foto: Reuters, apnews.com, BGNES, arkiv, BNR

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Milen Cvetkov

Për personalitetet që lanë gjurmë në shoqërinë bullgare dhe filmin “Milen”

Pashkët e vitit 2020 mbetën në histori për dy arsye. E para ishte gjendja e jashtëzakonshme, për shkak të Covid-19 që po shpërthente atëherë dhe që na imponoi një sërë kufizimesh, pasojat e të cilave ende po i përballojmë. E dyta, për fat të keq, është..

botuar më 25-04-17 7.00.PD

Populli i Antarktikut i Bullgarisë është paraqitur në një ekspozitë fotografike në Sofje

Banorët dhe mysafirët e Sofjes do të kenë mundësinë të mësojnë për shkencëtarët bullgarë në Antarktidë dhe rolin e tyre të rëndësishëm në eksplorimin saj. Ekspozita "Njerëzit e Antarktikut - Kujdesi për Tokën" mund të shihet në Urën e të Dashurive te..

botuar më 25-04-17 6.05.PD

Numri i studentëve të huaj në Bullgari është dyfishuar në një dekadë

Të huajt përbëjnë 8,6% (15 737) prej të gjithë studentëve në Bullgari. Numri i tyre për dekadën e fundit është dyfishuar. Këtë e tregojnë të dhënat e Qendrës Kombëtare të Informacionit dhe Dokumentacionit për vitin 2024, të publikuara në një..

botuar më 25-04-16 4.01.MD