Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2025 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Çmimet e pronave në bregdetin tonë vazhdojnë të rriten, por më ngadalë

Foto: Bashkia Varna

Gjatë viteve të fundit, tregu i pasurive të paluajtshme në Bullgari ka shënuar një rritje të vazhdueshme. Është folur për një flluskë çmimesh, e cila filloi të fryhej seriozisht që në periudhën e pandemisë, por pritshmëritë për shpërthimin e saj nuk u realizuan. Përkundrazi, investimi në pasuri të paluajtshme është i preferuar për bullgarët dhe interesi reflektohet edhe në çmime, të cilat vitin e kaluar patën një rritje dyshifrore – mesatarisht rreth 15%. Megjithatë, disa faktorë mund të ndikojnë në tregun e pasurive të paluajtshme gjatë vitit 2025. Nga njëra anë është anëtarësimi i vendit në Shengen dhe afrimi drejt Eurozonës. Edhe pse për momentin çmimet e pronave shpallen në euro, pritet që futja e monedhës së përbashkët evropiane të çojë në një rritje të mëtejshme të çmimeve. Nga ana tjetër, vërehet një ulje e numrit të lejeve të dhëna për ndërtim, si dhe shtrëngimi i masave rregullatore të Bankës Kombëtare Bullgare, gjë që justifikon pritshmëritë që rritja të vazhdojë. Kërkesa më e madhe për prona është në qytetet e mëdha dhe në bregdetin tonë, ku është regjistruar një rritje rekord e çmimeve prej 30% në baza vjetore.

Në bregdet, interesi i blerësve është për të blerë shtëpi – në veri për të blerë vende banimi, ndërsa në jug për t'i dhënë me qira. Gjithashtu vërehet një rënie e kërkesës për hapësira tregtare, mësoi Radio Bullgaria nga agjentët e pasurive të paluajtshme në rajon.
Burgas
“Lufta në Ukrainë solli një gjallërim shumë serioz të tregut, veçanërisht në qytete si Burgasi,” tregon Mariella Bonçeva – ndërmjetëse në një nga agjencitë e pasurive të paluajtshme në qytet. Ajo shton se fluksi i refugjatëve ka krijuar një interes shumë të madh për banesat me qira, gjë që ka çuar në një rritje të madhe të çmimeve në këtë sektor, në disa raste duke arritur afërsisht 100%. Bonçeva shton se kjo rritje vazhdon, por zbuloi edhe një arsye tjetër për këtë:
Burgas
“Burgasi po ecën në mënyrë aktive drejt shndërrimit të tij në një qytet studentor, me zhvillimin e degëve dhe programeve të reja universitare. Kjo, logjikisht, sjell më shumë qiramarrës në qytet. Në disa spitale kanë mbërritur një numër i madh specialistësh, të cilët gjithashtu kanë marrë banesa me qira. Prandaj interesi si për qira, ashtu edhe për blerje me qëllim investimi është i madh. Sa i përket shitjeve – 2000 euro për metër katror është një kufi që tani kalohet shumë shpesh në Burgas.”

Georgi Grunov, punonjës në një nga agjencitë e pasurive të paluajtshme në Varna, tregon se në kryeqytetin tonë bregdetar kërkohen kryesisht prona për përdorim personal.

Megjithatë, çmimet e tyre e kanë kaluar kufirin prej 2000 euro për metër katror që para dy vitesh. Ai thotë se tregu është mjaft intensiv dhe shton:

“Kohët e fundit kam lexuar shumë artikuj për rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme tek ne. Kjo është e vërtetë, por ritmet nuk janë më si më parë. Dy vitet e mëparshme pati një rritje shumë më të madhe. Tani ritmet janë më të qeta, më të qëndrueshme dhe më normale. Varna mbetet një nga qytetet më të zhvilluara në Bullgarinë verilindore dhe tregu është mjaft i lëvizshëm. Punojmë kryesisht me bullgarë dhe më pak me të huaj – gjermanë dhe anglezë. Së fundmi kanë filluar të shfaqen edhe rumunë, të interesuar për bregdetin tonë verior, por klienti kryesor është ende bullgari. Kërkohen kryesisht banesa për të jetuar, më pas vijnë klientët që kërkojnë për investim – për t’i dhënë me qira ose për t’i rishitur. Edhe të huajt kërkojnë shtëpi për vete. Ata duan të transferohen e të jetojnë këtu, jo thjesht të blejnë një pronë në Bullgari. Ka edhe nga ata që blejnë apartamente për të pasur ku të kalojnë pushimet. Klima dhe ambienti në Bullgari, sipas tyre, janë të favorshme,” thekson Georgi Grunov.
Lagjja Medika, Burgas
Ajo që na bën përshtypje është se në jug – në Burgas – blerësit e pronave për të kaluar pushimet janë kryesisht të huaj dhe bullgarë nga martesa të përziera. Ndërsa në veri – në Varna – bullgarët po orientohen drejt perifërive të qytetit, ku po lindin komplekse të reja të mbyllura. Të rinjtë që sapo kanë përfunduar shkollën e mesme po orientohen drejt blerjes së një banese, dhe jo drejt marrjes me qira, siç ndodhte vitet e kaluara.

Përmbledhja nga të dy bashkëbiseduesit tanë është se hyrja e Bullgarisë në zonën Shengen ende nuk ka ndikuar në tregun e pasurive të paluajtshme, ndërsa debatet rreth Euros kanë shkaktuar një blerje euforike të pronave. Asgjë nuk e konfirmon pritshmërinë për “shpërthimin” e flluskës së tregut dhe rënien e çmimeve, pasi kërkesa është ajo që përcakton çmimet, dhe tregu mbetet ende shumë aktiv. Edhe pse parashikimet janë të vështira, pritshmëritë më logjike janë që rritja e shpejtë e çmimeve në vitet e fundit të zëvendësohet nga një rritje më e butë, me ritme të ngadalta dhe të moderuara.

Foto: Bashkia Varna, Bashkia Burgas,  idealstroy.bg, BTA
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Krishti u ringjall! Bota e krishterë e mirëpriti festën e festave

Pikërisht në mesnatë, Patriarku Daniill shpalli Ngjalljen e Krishtit dhe përshëndeti bullgarët me “Krishti u Ngjall” nga Katedralja e Shën Aleksandër Nevskit. Laikët e mbledhur para kishës u përgjigjën me thirrjen e gëzueshme “Me të vërtetë u..

botuar më 25-04-20 10.06.PD

Patriarku Daniil: Në paqe me Zotin dhe me fqinjët tanë, le të punojmë së bashku për shpëtimin tonë

Patriarku bullgar dhe Mitropoliti i Sofjes Daniil përshëndeti besimtarët me "Krishti u ringjall!" dhe në fjalimin e tij të Pashkëve theksoi detyrën e të krishterëve ortodoksë për t'i treguar botës gëzimin qiellor përmes veprave të dritës. " Le të..

botuar më 25-04-20 7.45.PD

Mitropoliti Anthonij: Drita e Ngjalljes së Krishtit na jep forcë të hirshme në rrugën e jetës sonë

E gjithë bota e krishterë feston sot Ngjalljen e Ndritshme të Krishtit. Për popujt ortodoksë, kjo është dita më e ndritur - Festa e Festave, e cila kremton fitoren e jetës mbi vdekjen. Në Bullgari, ne e quajmë Ditë të Madhërishme, në përkthim fjalë..

botuar më 25-04-20 12.25.PD