Në analet laike të Bullgarisë së pasçlirimit, Mitropoliti Kliment Tërnovski njihet si Vasill Drumev - një shkrimtar dhe figurë e njohur publike, që bëri një jetë jashtëzakonisht shpirtërore, të krishterë. Për gjuhëtarët, ai është ndër zelltarët më të ndritur për pastërtinë e gjuhës bullgare, dhe për klerin tonë - një asket i besimit ortodoks. Veprat e tij - si në jetën laike ashtu edhe në atë shpirtërore - flasin në mënyrë elokuente për misionin që kreu në shërbim të Zotit dhe Atdheut. Ndër trashëgiminë letrare që la pas ishte vepra shkencore "Ligjet greko-romake mbi krimet kundër besimit dhe kishës në kohën e Bizantit", falë së cilës mori gradën "kandidat i teologjisë" në Akademinë Teologjike të Kievit në vitin 1869. Ky është hulumtimi i parë i këtij lloji për këtë temë nga një autor bullgar, thekson Hieromonku Gavriill nga Manastiri i Zografit në parathënien e kësaj vepre shkencore të Mitropolitit Kliment Tërnovski me emrin laik Vasill Drumev.
"Imagjinoni një figurë kaq të famshme të Rilindjes! Ai e mbrojti në rusisht veprën e tij të shkruar, dhe ajo mbetet e disponueshme vetëm në rusisht në një botim të Akademisë Bullgare të Shkencave, i cili, për mendimin tim, nuk është i drejtë për njerëzit që duan ta njohin atë - tha Hieromonku Gavriill në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë. – Për më tepër, se kjo vepër është themelore për jetën e mitropolitit, dhe tregon se si filluan të formohen pikëpamjet e tij, që ishin jashtëzakonisht të qëndrueshme dhe tradicionale gjatë gjithë jetës së tij. Ai nuk e ndryshon botëkuptimin e tij sipas mënyrës se si fryn era, si disa politikanë dhe personazhe publike të asaj kohe, për t'i përshtatur situatës në një mënyrë apo tjetër. Përkundrazi, për shkak të këtyre pikëpamjeve, duke mbrojtur besimin e bashkatdhetarëve, ai vuajti dhe u dënua me internim të përjetshëm.”
Në predikimin e tij të mbajtur më 14 shkurt 1893, ditën e së dielës ortodokse, Mitropoliti Kliment denoncoi ata që ishin joshur nga pasuria dhe pozita e lartë për të braktisur besimin ortodoks të baballarëve të tyre. "Në atë kohë, në një mënyrë të pakuptueshme deri më sot, "Ortodoksia" nënkuptonte Rusinë", vëren Hieromonku Gavriill dhe kujton se bashkëkohësit e Kliment Tërnovskit i vunë atij aureolën e një rusofili të betuar. Dhe nuk ka asnjë provë në jetën e tij që ai u shërbeu interesave të huaja. “Nuk kemi të drejtë t’i vëmë etiketë një njeriu të tillë, që në kohën e socializmit ishte i mirë, por sot është i keq”, thekson murgu nga Zografi dhe shton se “etiketa më e mirë është aureola e shenjtërisë, e Krishtit. “Shenjtorët nuk kanë shtetësi, ata janë banorë të parajsës dhe besimi im personal është se Mitropoliti Kliment është një banor i tillë i parajsës, shpjegon Hieromonku Gavriill dhe shton se kjo është edhe arsyeja e interesit të tij ndaj kësaj vepre, e cila përmban parime që Mitropoliti Klimenti mbrojti gjatë gjithë jetës së tij.
“Vihen re tri drejtime, të cilat janë karakteristike për të menduarit e tij, për vetëdijen dhe për jetën e tij – thekson murgu. – Këto janë interesa në jetën publike që lidhen me historinë, teologjinë dhe ligjin. Pas Çlirimit, qytetarët mirënjohës të Ruses e zgjodhën përfaqësues në Kuvendin e Madh Popullor dhe kështu hyri në politikë. Por treguese është edhe diçka tjetër – ai u zgjodh në Komisionin për hartimin e Ligjit Themeltar. Ai ishte kryetar i këtij komisioni, gjë që flet për autoritetin e jashtëzakonshëm që kishte tek të gjithë përfaqësuesit e popullit. Fakti që ai mori postin e kryeministrit në Qeverinë e Përkohshme për të pajtuar dy qarqe konfliktuale në atë kohë - Liberalët dhe Konservatorët - tregon se ai kishte shumë besim nga të gjithë. Po, Princi Batenberg e emëroi, por ai u pranua nga të gjithë dhe u njoh si kryeministër.”
Pavarësisht se janë të vetëdijshëm për pakorruptueshmërinë dhe pozitat e tij parimore, liberalët e shpifin atë. Pyetjes së Mitropolitit Kliment pse e bëjnë këtë, pasi e dinë se nuk ka abuzuar me asgjë, kryetari i Kuvendit Popullor i përgjigjet me ironi se “e gjithë puna është ngrihu që të ulem”. Sipas hieromonkut Gavriill, sot nuk është ndryshe dhe prandaj duhet të ndriçohen parimet që ndoqi Kliment Tërnovski në jetën e tij.
“Zoti drejton çdo komb dhe kur kombi nuk largohet nga Zoti, ai përparon si në jetën e tij shpirtërore ashtu edhe në atë materiale. Ajo që po përjetojmë sot është rezultat i tërheqjes sonë nga Zoti dhe largimit tonë nga Krijuesi, dhe vetëm liria e vërtetë e Krishtit, të cilën edhe Vasill Drumev predikonte, është liria drejt së cilës duhet të synojmë. Të kërkojmë këtë liri për të mos qenë skllevër të pasioneve. Dhe megjithëse ai jetonte në një kohë të stuhishme, në fund të shekullit të XIX-të, në kohën e Çlirimit tonë, në një kohë të përhapjes së ideve të reja, shihet se ai i theu të gjitha këto ide dhe i shikonte me një vështrim të krishterë që përshkoi gjithë jetën e tij."
Shembuj të virtyteve të krishtera të Mitropolitit Kliment janë në secilën prej veprave të tij. Edhe gjatë Luftës Ruso-Turke të viteve 1877-1878 ai nuk i braktisi bashkëqytetarët e tij kur ata i ofruan të largohej nga qyteti Ruse gjatë tërheqjes së rusëve. Ai nuk kishte ambicie personale dhe nuk hezitoi kur kundërshtarët e tij politikë e bënë avokatin e Bullgarisë përpara Mbretit rus Aleksandër III për të njohur Bashkimin. Ai gjithashtu shkoi te Nikolla II për t'u lutur për kurorën e Ferdinandit, të njëjtit që e dërgoi në mërgim të përjetshëm në Manastirin Gllozhenski. Ai e kapërcen veten, ambicien e tij dhe këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit që kanë zemër dhe besimi është në zemër, vëren Hieromonku Gavriill dhe përfundon: “Po, padyshim që ne duhet të ndjekim shembullin e Krishtit - të falim, t'i falim borxhlinjtë tanë dhe të jemi në gjendje t'u urojmë atyre më të mirën. Këto janë virtyte ungjillore që e tejkalojnë kuptimin njerëzor. Këtë e arrijnë vetëm njerëzit që kërkojnë shenjtërinë dhe kërkojnë Krishtin.”
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BNR - arkiv, BTA, Agjencia Shtetërore "Arkivat", impressio.dir.bg, bg.wikipedia.org
Në vitin 2007, më 11 qershor, presidenti amerikan Xhorxh Bush – i riu vizitoi Sofjen. Sipas protokollit të kohës, konferenca për shtyp që ai dha për mediat u mbajt mes eksponateve të Muzeut Arkeologjik Kombëtar. Dreka zyrtare për të ftuarin u dha më vonë..
Perperikon – qyteti shkëmbor i trakëve pranë qytetit Kërxhali, Bullgaria Jugore, është futur në top 10 të objekteve botërore që duhen parë, sipas renditjes së gazetës “Guardian”. Vendi është vendosur së bashku me strukturat neolitike në Spanjë dhe Francë,..
Më 6 dhjetor Kisha jonë Ortodokse nderon kujtimin e Shën Nikollaj Mrekullibërësit. E quajnë atë shenjtorin e mëshirës, sepse e gjithë jeta e tij iu kushtua mbështetjes së të varfërve, të vuajturve, të pafajshmëve dhe të padrejtëve. Fjalët e tij..
Në vitin 2007, më 11 qershor, presidenti amerikan Xhorxh Bush – i riu vizitoi Sofjen. Sipas protokollit të kohës, konferenca për shtyp që ai dha për..