Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Radio Bullgaria tek bullgarët në Shqipëri

Për të ruajtur identitetin e tyre, bullgarët në Shqipëri kanë nevojë edhe për mbështetje shtetërore

Bullgaria është atdheu im i dytë - thotë Bledar Alterziu nga Elbasani "

11
Foto: Krasimir Martinov

"Ti thua se je bullgar, por nuk e di gjuhën bullgare" - më shumë se një ose dy nga bashkatdhetarët tanë nga komunitetet historike bullgare në mbarë botën janë përballur me këtë qortim të zyrtarëve në Bullgari. Mes tyre është edhe Bledar Alterziu nga Shqipëria. Ai iu përgjigj fyerjes në këtë mënyrë: "Unë nuk di bullgarisht, sepse nuk kam pasur mundësi ta mësoj. Por kam dëshirën...". Dhe ai u bën thirrje politikanëve të sotëm të sigurohen që njerëzit si ai - bullgarë me origjinë dhe në zemër - të mos dëgjojnë më kurrë një qortim të tillë.
Bledar Alterziu u diplomua për Shkenca Politike në Universitetin e Sofjes "Shën Kliment Ohridski", dhe më pas bëri masterin për Financa Publike në Universitetin e Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore (UNSS). Ai jeton në qytetin e Elbasanit, por është me origjinë nga rajoni i Gollobordës, ku 65% e popullsisë e identifikojnë veten si bullgarë (Census `2023). Vitet e fundit, Bledari ka fituar përvojë në administratën lokale, duke u marrë me aktivitete të ndryshme, që përfshijnë edhe menaxhimin e projekteve në kuadër të programeve evropiane.

Kontakti i tij i parë me Bullgarinë ishte më 6 gusht 1998. Ai e kujton edhe sot e kësaj dite: “Ne sikur vinim nga një realitet tjetër, sepse në atë kohë në Shqipëri mbizotëronte një kaos institucional”. 
Vendimi i tij për të ardhur në vendin tonë ishte tërësisht racional dhe lidhej me vështirësitë e tranzicionit në Shqipëri, megjithëse këto kanë qenë vite sprovash edhe në vendin tonë. Pavarësisht kësaj, Bledari është mirënjohës që ka pasur mundësinë si person me origjinë bullgare të studiojë në vendlindjen e paraardhësve të tij.

"Ishte e vështirë, por pata fatin që vitet e para t'i kaloja në Sofje me shokë dhome bullgarë, gjë që më ndihmoi të mësoja gjuhën - na thotë ai. - Mora një televizor në konvikt. Kështu, nga televizori, nga radioja, nga gazetat unë fillova ta mësoja më mirë gjuhën bullgare. Po, nuk e flisja në mënyrë perfekte, por të paktën fitova vetëbesim dhe kuptohesha mirë me njerëzit”.

Gjuha bullgare është gur themeli për ruajtjen e vetëdijes kombëtare tek bullgarët në Shqipëri. Shumica e tyre përdorin një formë më të vjetër të gjuhës sonë, prandaj përplasja me normën e saj letrare është një sfidë për shumë bullgarë nga Shqipëria. Sot në përvetësimin e gjuhës moderne bullgare ndihmojnë shkollat e së dielës, si ajo e Elbasanit, në ambientet e së cilës zhvilluam bisedën tonë me Bledar Alterziun.
Ai na tregon se vitet e fundit aktiviteti i shkollave dhe shoqatave bullgare në Shqipëri është shumë më i organizuar në krahasim me vitet 90 të shekullit të kaluar. Me ndihmën e Shoqatës "Bullgarët e Shqipërisë" dhe të shtetit bullgar, fëmijët tashmë kanë shkollat e tyre të së dielës bullgare. Një rol të rëndësishëm në këtë proces ka luajtur edhe njohja zyrtare e bullgarëve si pakicë kombëtare nga shteti shqiptar në vitin 2017. Por gjuha bullgare mbetet ende një sfidë e madhe për studentët në vendin tonë që vijnë nga Shqipëria. Me çfarë konkretisht mund të ndihmojë shteti bullgar në këtë proces, pyesim bashkëbiseduesin tonë.

"Fëmijët këtu mësojnë për Bullgarinë, dëgjojnë për Bullgarinë, por do të ishte mirë edhe të mund ta shikonin këtë Bullgari. Le të ketë një shkëmbim të ndërsjellë. Ne këndojmë dhe kërcejmë këngë dhe valle tradicionale nga rajoni ynë, por le të marrim pjesë edhe në festivale të tilla në Bullgari. Në këtë mënyrë, njohuritë nuk do të mbeten vetëm si pjesë e orëve mësimore. Fëmijët do të mund ta prekin dhe ndjejnë Bullgarinë. Kjo gjë sigurisht që do t'i motivojë ata shumë më tepër”.

Kështu, shumica e bullgarëve në Shqipëri nuk do ta shohin Bullgarinë si vendin që u jep shtetësinë dhe pasaportën evropiane, por edhe si një vend ku ata përmirësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre.

"Unë përveç diplomave, jam mirënjohës edhe për faktin që njoha një botë tjetër. Botëkuptimi im u zgjerua në Bullgari. Arrita të jetoj në këtë shoqëri dhe ta kuptoj. Të njëjtën gjë dua edhe për fëmijët tanë. Ky është çmimi i fshehur që unë fitova nga qëndrimi në Bullgari”.
Bledar Alterziu edhe sot e kësaj dite mban kontakte me Bullgarinë. Ai udhëton shpesh në Sofje dhe nuk humbet asnjë rast për të takuar miqtë e tij nga universiteti. “Bullgaria është atdheu im i dytë” – thotë Bledari.

"Kam udhëtuar një pjesë të madhe të vendit - Sofje, Varna, Burgas, Veliko Tërnovo, Plovdiv, Kazanllëk, Karllovo, Kjustendill... Më pëlqen kudo. Ndihem i qetë. Unë komunikoj në bullgarisht, njerëzit më kuptojnë, unë e njoh mentalitetin. Jam 45 vjeç dhe 25 vite të jetës sime janë të lidhura me Bullgarinë."
Kostandina Bello nga Radio Bullgaria në bisedë me banorët e Gollobordës
Në një bisedë për nevojat e pakicës kombëtare bullgare, Bledar Alterziu i rekomandoi shoqërisë dhe institucioneve bullgare që të jenë më të kujdesshëm dhe tolerantë ndaj qytetarëve shqiptarë me origjinë bullgare, ndërsa politikanëve të jenë më aktivë dhe të punojnë për mbrojtjen e minoritetit bullgar në Shqipëri:

"Një ngjarje që nuk do ta harroj kurrë nga koha kur isha student në Bullgari - isha në vitin e parë, kishte rënë bora e parë dhe duke dalë nga konvikti, shoh një vajzë në korridor, një vajzë të bukur. U prezantova dhe kur i thashë nga isha, ajo ngatërroi vendpushimin bregdetar Allbena, me Shqipërinë dhe më pyeti si ka mundësi që jam prej andej, sepse në Allbena nuk jeton njeri, pasi është thjesht një vendpushim detar. Pra dua të them se shumë njerëz në Bullgari nuk e dinë që në Shqipëri ka bullgarë. Dhe jo vetëm kaq - ka edhe politikanë që nuk e dinë këtë. Ose ndoshta nuk u intereson. 
Gollobordë, Shqipëri
Kur bëhet fjalë për bullgarët jashtë vendit, disi të gjithë fokusohen në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut. Po, unë nuk dua që ne të jemi në qendër të vëmendjes, por le të mund të bëhet dallimi dhe të dihet se ka bullgarë edhe në vende të tjera. Dhe se në Shqipëri ka njerëz që punojnë për gjuhën bullgare, bëjnë çmos për të ruajtur kulturën tonë dhe ata duhet të inkurajohen. Rekomandimi im për politikanët është që kur marrin vendime ta kenë parasysh edhe këtë fakt. Falë Zotit, vitet e fundit është rritur interesimi për ne nga ana Bullgarisë, po vijnë politikanë, ministra, nënpresidentja Jotova. Kështu që, unë pres nga politikanët bullgarë të jenë aktivë. Krahas prezencës, të kenë edhe projekte aktuale që prekin drejtpërsëdrejti njerëzit nga minoriteti ynë, që ndihmojnë në zhvillimin e tyre – kulturor, social, ekonomik, arsimor...”.

Bledar Alturziu i rikthehet edhe kujtimeve të fëmijërisë, kur në Shqipëri sundonte regjimi totalitar i Enver Hoxhës.

"Në atë kohë jeta e bullgarëve në Shqipëri ishte ndryshe. Për shembull, në rajonin tonë - Gollobordë, ne nuk kishim mundësi të mësonim gjuhën letrare bullgare. Dhe për këtë duhen vlerësuar këta njerëz - vështirësitë me të cilat u përballën dhe përpjekjet që ata kanë bërë për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre, pavarësisht se ishin nën presionin e shtetit dhe paragjykimeve shoqërore. Situata nuk ishte e tillë në rajonin e qytetit të Korçës (Shqipëria Lindore), ku shteti, në një mënyrë apo në një tjetër, sadopak të jepte mundësinë të studioje deri në klasën e katërt. Ndërsa tek ne as që mund të imagjinohej një gjë e tillë. 
Shkolla në fshatin Ostren i Madh, Gollobordë
Në kohën e komunizmit kam udhëtuar vetëm një herë në Gollobordë. Dhe më kujtohet atëherë që babai im duhej të kërkonte leje të posaçme nga policia e Elbasanit për të vizituar këto vende, sepse ato ishin atëherë në zonën kufitare midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë së atëhershme. Dhe për të shkuar në Gollobordë, kaloje dy-tre pika policie me një kontroll të reptë. dmth. në vendin tënd ti duhet të kërkoje leje për të udhëtuar. Ja sa e vështirë ka qenë për njerëzit prej andej të udhëtonin në vendet e tyre të lindjes. Dhe çfarë i mbetet gjuhës bullgare në shkollë etj. 
Këto gjëra duhet t'i dinë edhe politikanët kur marrin vendime. E them këtë duke pasur parasysh atë që kam vuajtur dhe përjetuar ndër vite në Bullgari. Kur kemi shkuar me bashkëqytetarët tanë për të dorëzuar dokumentet për shtetësinë bullgare, ata personalisht më janë drejtuar me fjalët: “Ti je bullgar nga Shqipëria, por nuk e di gjuhën bullgare”. Unë nuk e di sepse nuk kam pasur mundësi ta mësoj. Por kam dëshirën. Dhe si prisni që një person 40 apo 50 vjeç të dijë bullgarishten letrare, kur nuk ka pasur mundësinë për ta mësuar. 
Në shtëpinë e një familjeje nga Ostreni i Madh, Gollobordë
Ndërsa rezultatet e punës së shkollave të së dielës, të cilat tashmë janë duke punuar, do të shihen vite më vonë. Sot mësuesit i mësojnë fëmijëve të vegjël bullgarishten letrare. Dhe rezultatet e kësaj pune do të shihen në të ardhmen. Duhen të paktën 10-15 vjet që ky trajnim të japë fryte. E mira është se këtu ka ende njerëz që punojnë dhe merren me këto çështje. Prandaj presim mbështetje nga institucionet bullgare. Vëmendja e tyre do të na japë më shumë motivim për të ruajtur identitetin tonë dhe njerëzit do të dinë se ku dhe kujt t'i drejtohen."

E pyesim bashkëbiseduesin tonë nga Elbasani se cila është lidhja mes shqiptarëve dhe bullgarëve, çfarë kemi të përbashkët?

"Së pari ne jemi të dy popuj në Ballkan, së dyti, të dy vendet kanë qenë nën psuhtimin osman, ndaj ndanin të njëjtat vështirësi. Në marrëdhëniet shoqërore dhe familjare, në parime jemi pothuajse të njëjtë. Na dallojnë vetëm kufijtë, gjuha dhe fakti që feja më e përhapur këtu është Islami, ndërsa në Bullgari – Krishtërimi ortodoks. Por kjo nuk na pengon të jemi të afërt. Ne pëlqejmë të njëjtat ushqime, sistemi ynë i vlerave është pothuajse i njëjt, kemi të njëjtat tradita në familjet tona dhe në komunikimin me miqtë tanë... Jemi shumë më të ngrohtë, në krahasim me botën perëndimore, ku marrëdhëniet duken më të ftohta... Ne nxehemi për gjërat më të vogla, në një mënyrë ballkanike. Dhe kjo ndoshta është kështu sepse pimë raki... (thotë duke qeshur ai)."
Po si informoheni për Bullgarinë? Dhe a jeni i interesuar për atë që ndodh në vendin tonë?

"Po, unë informohem. Dhe dua të di se çfarë ndodh në Bullgari. Kështu është çdo ditë e imja. Madje kam të shkarkuara në telefon aplikacione të ndryshme informacioni nga Bullgaria. Unë jam shtetas bullgar dhe është normale të informohem për proceset dhe ngjarjet në Bullgari - kulturë, sport, politikë, ekonomi. Po, është e vërtetë, unë jetoj në Shqipëri, por Bullgaria është atdheu im i dytë dhe jam i lidhur me këtë vend - si emocionalisht, ashtu edhe ligjërisht dhe ekonomikisht."

Foto: Krasimir Martinov, Kostandina Bello, Pixabay

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Tervell-Ljubomir Bojanov

Si Tervell-Ljubomir ndjek ëndrrat e tij më të guximshme si zbulues në Bullgari

Kurioziteti për botën përreth nesh dhe një dëshirë e pandërprerë për të ecur përpara dhe për të kuptuar se çfarë fshihet pas çdo hapi të ri dhe përparimi në shkencë - ky është filli kryesor i përparimit për një shkencëtar shumë të ri në Bullgari...

botuar më 24-07-16 7.30.PD

Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello: Shqiptarët janë një popull tolerant dhe i vlerësojnë bullgarët

Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe në Shqipëri gjuha bullgare studiohet në mënyrë akademike. Lektorati jonë është pjesë e Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe prej disa..

botuar më 24-07-09 7.30.PD
Doktori Stajko Stajkov

Dr. Stajko Stajkov hodhi themelet e klimatologjisë në Bullgari

Pas Çlirimit të Bullgarisë në vitin 1878, vendi ynë filloi të zhvillohet me ritme të shpejta për të kompensuar mungesën pesëshekullore nga harta historike e botës. Të rinjtë bullgarë diplomoheshin në universitete prestigjioze evropiane dhe ktheheshin..

botuar më 24-07-05 7.10.PD