Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Gëzuar Ditën e Pavarësisë! 112 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

Ljuben Karavellovi dhe lufta e popullit shqiptar për pavarësi

4
Foto: Pixabay, wikipedia.org; kolazhi: Ivan Petrov

Revolucionari i madh Ljuben Karavellov (1834-1879), shkrimtar dhe publicist i Rilindjes sonë, ka lënë një gjurmë të thellë në letërsinë bullgare si prozator, poet, fejtonist, kritik i letërsisë. Ljuben Karavelllovi ishte dhe udhëheqës i Lëvizjes Çlirimtare Bullgare kundër robërisë osmane për lirinë dhe pavarësinë e Bullgarisë dhe si kryetar i Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar dha një kontribut të madh për përpilimin e strategjisë dhe taktikës së programit të revolucionit.

Duke organizuar lëvizjen çlirimtare të bullgarëve në një periudhë veçanërisht të rëndë, Ljuben Karavellovi proklamonte vazhdimisht edhe të drejtën për liri e pavarësi të të gjithë popujve ballkanikë dhe vëllazërimin në luftën e tyre të përbashkët.

Ljuben Karavellov (1834-1879)
Në një kushtrim të titulluar “Vëllezërve të mi” Karavellovi shkroi:

“Lumturinë e njeriut nuk e mbron as skeptri e as froni, as kurora e as monarkia; lumturia e njeriut është në lirinë e tij, në lirinë e thjeshtë njerëzore.” Dhe u bënte thirrje popujve të Ballkanit të arrinin mirëkuptim për të fituar lirinë e plotë – lirinë popullore, lirinë personale, lirinë njerëzore. Ljuben Karavellovi jo një herë bënte thirrje për bashkim në emër të luftës për liri dhe për përparimin e popujve ballkanikë, për mbrojtjen e tyre nga planet grabitqare të fuqive evropianoperëndimore. Për qartësi dhe bindje më të madhe ai sillte mësime të hidhura nga historia, kur përçarja u pat sjellë vuajtje popujve ballkanikë dhe fitore – armiqve të tyre.

Në veprimtarinë e tij të gjerë publicistike e revolucionare Ljuben Karavellvi i jepte shprehje dhe qëndrimit të vet ndaj Shqipërisë, ndaj gjendjes dhe luftërave të popullit shqiptar.

Në kryeartikullin e botuar në numrin 4 të gazetës “Svoboda” (“Liria”) të datës 26 nëntor 1869 ai shkruante: “Në Gadishullin Ballkanik jetojnë pesë kombe, që janë thirrur të përmbysin Perandorinë e kalbur Turke dhe mbi rrënojat e saj të themelojnë pesë shtete të reja. Këto kombe janë: bullgarët, serbët, rumunët, grekët dhe shqiptarët.”

Gazeta Svoboda, botuar nga Ljuben Karavellovi
Në faqet e gazetave “Svoboda” dhe “Nezavisimost” (“Pavarësia”) Ljuben Karavellovi kritikonte ashpër projekte dhe sugjerime të ndryshme të gazetarëve, publicistëve, burrave të shtetit të Evropës Perëndimore për ritransformimin e kartës së Ballkanit, për zgjidhjen e “Çështjes Lindore” në një mënyrë që nuk merrte në konsideratë kufijtë etnikë të popujve ballkanikë. Ai shpallej me forcë kundër propozimit që Shqipëria të bëhej një shtet me Greqinë dhe theksonte se ajo duhej të kishte pavarësi të plotë. Në numrin e 43-të të gazetës “Svoboda” të 8 prillit 1872, Karavellovi shkruante: “Sa për Shqipërinë ne do të thonim se shqiptarët kanë po aq të drejtë të jetojnë të pavarur sa dhe grekët, rumunët, serbët dhe bullgarët.” Ai propozonte që të gjithë këta popuj të krijonin shtete të veta – të pavarura dhe më vete.

Gazetat Svoboda dhe Nezavisimost, botuar nga Ljuben Karavellovi
Gazetat “Svoboda” dhe “Nezavisimost” shpeshherë botonin njoftime për kryengritje të shqiptarëve kundër mbledhjes së taksave, kundër arbitrarizmit të memurëve turq.

Karavellovi kishte bindjen e fortë se edhe shqiptarët ishin në radhët e luftëtarëve kundër Perandorisë Osmane: “Përveç bullgarëve, edhe 14 milionë sllavë të Jugut, 5 milionë rumunë, 2 milionë shqiptarë dhe 72 milionë rusë, me të gjithë këta i duhet të luftojë tani Perandorisë Turke” – shkruante Karavellovi në numrin e 27-të të gazetës “Svoboda” nga tetori i vitit 1870.

I nisur nga bindja se lufta e përbashkët e popujve ballkanikë do t’ua sillte lirinë, Karavellovi, si kryetar i Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar, merrte pjesë në një radhë provash për organizimin e aksioneve në shkallë ballkanike. Në ecurinë e krizës ballkanike të viteve 1866 – 1868 ai vinte në dukje me gëzim lëvizjen revolucionare që kishte shpërthyer njëkohësisht në Shqipëri, Bullgari, Epir, Thesali, Kretë dhe bënte apel për bashkëveprime, për bashkimin e përpjekjeve.

Vulat e Komitetit Qendror Revolucionar Bullgar
Ljuben Karavellovi ishte në korrent të aksionit të përbashkët të popujve ballkanikë – shqiptarë, bullgarë e malazezë, që po përgatitej në pranverë të vitit 1862, kur Garibaldi kishte premtuar të vinte në ndihmë, duke zbarkuar në bregun shqiptar, sepse kishte shpresë për pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve.

Popujt e Ballkanit ushqejnë shpresa të reja për liri në periudhën e luftës midis Francës dhe Prusisë  (19 korrik 1970 – 10 maj 1871). Në atë kojë nisi përgatitja e një kryengritjeje të përbashkët në Ballkan – në Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri, Bullgari e Mal të Zi. Në qershor 1871, me sa duket me pëlqimin e Ljuben Karavellovit, vojvoda Panajot Hitov nënshkroi me serdarin e Malit të Zi, Pero Matanoviç, një marrëveshje për kryengritje të përbashkët në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari e Shqipëri.

Komiteti Qendror Revolucionar Bullgar, në krye me Ljuben Karavellovin, e pat rrahur këtë çështje në pranverë të vitit tjetër. Asistonte edhe Apostulli i Lirisë Vasil Levski. Pas kësaj nisi vjelja e armëve dhe e të hollave. Në vjeshtë të vitit 1872 Levski përsëri shkoi në Bukuresht në lidhje me kryengritjen e përbashkët.

Fatkeqësisht, aksioni i parashikuar dështoi. Mbase nuk mjaftuan forcat për një nismë të tillë të madhe. Por ideja e kryengritjes ishte revolucionare dhe në kohë.
Kështu, revolucionari i madh, shkrimtari dhe publicisti Ljuben Karavellov proklamonte dhe luftonte për të drejtën e lirisë dhe pavarësisë së të gjithë popujve ballkanikë, për vëllazërimin e tyre në luftën e përbashkët.

Pllaka përkujtimore e Ljuben Karavellovit në Bukuresht të Rumanisë 

Lexoni më tepër nga koleksioni i Radio Bullgarisë:

Foto: Pixabay, wikipedia.org, koprivshtitza.com, bulgarianhistory.org, Nadina - wikimedia.org, BGNES, desant.net, arkiv;

Kolazhi: Ivan Petrov    

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva (në bazë të materialeve arkivore të Redaksisë së Gjuhës Shqipe)



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Në Odesos, u zbulua një statujë e ruajtur plotësisht nga shekulli II - III

Një statujë unike nga periudha romake e qytetit Odesos, e datuar paraprakisht në fund të shekullit II dhe gjysmën e parë të shekullit III, u gjet gjatë gërmimeve në zonën e stacionit hekurudhor në Varna, njoftuan arkeologët nga Muzeu Historik..

botuar më 24-10-15 6.52.MD

Një lagje e tërë e shekujve XIII-XIV e ngjashme me qytetin Hobbit u zbulua nga arkeologët në Perperikon

Një kompleks prej një duzinë shtëpish të vogla, të vendosura në pjesën jugore të qytetit shkëmbor Perperikon, u zbulua nga arkeologët nën drejtimin e Prof. Nikollaj Ovçarov. Sipas tij, bëhet fjalë për një lagje të tërë që daton nga shekulli XIII-XIV,..

botuar më 24-10-08 6.24.MD
Foto: Muzeu Kombetar i Shkencave Natyrore - Akademia Bullgare e Shkencave

Më shumë se 30 fosile kafshësh nga koha e dinozaurëve u mblodhën nga shkencëtarët pranë Trën

Si dukej bota e kafshëve në zonën e qytetit të sotëm të Trënit (Bullgaria Perëndimore) më shumë se 80 milionë vjet më parë - kësaj pyetjeje po përpiqen t'i përgjigjen paleontologët nga Muzeu Kombëtar i Shkencave Natyrore në Akademinë Bullgare të..

botuar më 24-10-06 11.05.PD