Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Koncertmjeshtri i Orkestrës Filarmonike të Vjenës:

Rainer Honeck: Çdo herë më bën përshtypje se sa mirë luajnë muzikantët bullgarë

42 vjet më parë, Sofja ishte e errët dhe gri, thotë violinisti

Rainer Honeck
Foto: salzburgerfestspiele.at

Ai punon një nga profesionet më prestigjioze dhe më interesante. Fytyra e tij është e njohur në mbarë botën, por njerëzit zakonisht e imagjinojnë atë me mjekrën e mbështetur në një violinë Stradivari. I ftuar i Radio Bullgarisë është Rainer Honeck, koncertmjeshtër i Orkestrës së famshme Filarmonike të Vjenës (OFV).

Violinisti i shquar austriak ishte në Sofje javën e kaluar për një koncert me pianisten bullgare me famë botërore Pllamena Mangova, orkestrën e dhomës "Solistët e Sofjes" dhe dirigjentin e saj Konstantin Dobrojkov.
Ky është koncerti i tij i parë si me orkestrën ashtu edhe me Pllamena Mangovën, për të cilën ai thotë se është "i impresionuar nga energjia e saj e jashtëzakonshme, emocioni dhe virtuoziteti që përcjellë duke luajtur". Por ky nuk është koncerti i tij i parë në Sofje. Ja se si Maestro Honeck rrëfen një përvojë të errët dhe disi dëshpëruese të tij në të kaluarën:
Pllamena Mangova dhe Rainer Honeck
“Në fakt, 42 vjet më parë kam qenë në Sofje dhe kam luajtur me Karajan dhe orkestrën. Sigurisht që kam kujtime! Ishte shumë errësirë, shumë gri, ndjenja ishte e rëndomtë, kjo ishte në kohën e komunizmit. Por tani gjithçka është e ndritshme, e pastër dhe e këndshme. Shpresoj se nuk do të kalojnë edhe 42 vjet të tjera nga koncerti im i radhës në Sofje”.

Rainer Honeck ishte 20 vjeç kur iu bashkua Operës Shtetërore të Vjenës dhe Filarmonisë së Vjenës si violinë e parë në vitin 1981. Në moshën 23-vjeçare u bë koncertmjeshtër në Opera dhe në moshën 31-vjeçare u bë koncertmjeshtër i Filarmonisë së Vjenës: “Fillova me Karajan. Këto ishin dhjetë vitet e tij të fundit dhe unë pata mundësinë të luaja me të dhe të prekja veprimtarinë e tij mësimore”.

Duke luajtur me dirigjentët më të shkëlqyer të kohës sonë, a keni takuar një shpirt binjak - dikë me të cilin ndjeni një lidhje artistike?

"Siç thashë, mbaj mend shumë gjëra nga 10 vitet e mia të para, Karajan, Böhm dhe Abbado, Bernstein dhe Kleiber... Çdo javë luanim me një dirigjent të ndryshëm, ato ishin vite jashtëzakonisht intensive. Më pëlqeu shumë Mariss Janssons (1943- 2019). Më pëlqeu shumë muzikaliteti i tij, profesionalizmi i tij, fakti që ai ishte gjithmonë në kërkim të bukurisë dhe ishte teknikisht i përsosur në të njëjtën kohë. Por ka shumë dirigjentë që janë fantastikë, nuk mund të them se njëri prej tyre nuk më pëlqen apo se njëri më pëlqen më shumë se tjetri. Sepse shpesh çdo dirigjent ka një repertor që e bën shumë, shumë mirë, dhe një repertor tjetër që nuk e bën dhe aq mirë sa ndonjë dirigjent tjetër, për shembull. Edhe Karajani, kur dirigjonte Mozartin dhe Haydnin - ishte shumë bukur, por mund të ishte edhe pak më i gjallëruar”. 

Koncertmjeshtri i Filarmonisë së Vjenës është personi i duhur për të pyetur se cili është sekreti i tingullit të njohur "vjenez" që e bën kaq të dallueshëm luajtjen e Filarmonisë së Vjenës.

“Shumë njerëz më pyesin për këtë. Mendoj se tingulli vjenez është një përzierje e bukurisë – bukuria është gjëja më e rëndësishme, por edhe emocioni që vjen nga thellësia e shpirtit të muzikantit. Edhe kur luan shumë butë, pianissimo, duhet të shprehësh gjithë atë tension dhe emocion.

Në Vjenë ne jemi gjithashtu të bekuar me këtë sallë të bukur - Musikverein, që është e famshme për tingujt e saj të mrekullueshme. Sigurisht që jemi një orkestër e mirë, por luajmë edhe me dirigjentët më të mirë në botë.

Kështu ka qenë që në kohët e lashta, për më shumë se 180 vjet - Orkestra Filarmonike e Vjenës ka luajtur gjithmonë me dirigjentët më të mirë. Kjo krijon një traditë. Dhe kjo traditë përcillet nga muzikantët më të vjetër tek më të rinjtë”.

Nuk është sekret për askënd që violinistja bullgare Allbena Danaillova, koncertmjeshtrja e parë në historinë e Filarmonisë së Vjenës, është jo vetëm kolege, por edhe partnere e jetës së Rainer Honech.

Si ka ndikuar kjo marrëdhënie në perceptimin tuaj për Bullgarinë dhe popullin bullgar?

"Sigurisht, perceptimi im ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Nuk dija shumë për Bullgarinë më parë", thotë ai dhe shton:

“Mendoj se muzikantët bullgarë kanë një përgatitje jashtëzakonisht të mirë. Kjo është diçka që nuk e dija më parë. Çdo herë më bën përshtypje se sa mirë luajnë këta njerëz. Kur Allbena erdhi në Vjenë dhe punoi në orkestër, asaj iu desh të përshtatej edhe me stilin vjenez të të luajturit. Ajo ia doli shumë shpejt dhe mund të them jo vetëm nga pikëpamja personale, por edhe nga pikëpamja artistike se është vërtet një anëtare shumë e vlefshme e orkestrës”.
Violinistja Allbena Danaillova pranë Rainer Honeck gjatë koncertit të Vitit të Ri të Filarmonisë së Vjenës
Në 1 janar, pothuajse çdo shtëpi në Evropë dhe në botë kumbon nga Koncerti i Vitit të Ri të Filarmonisë së Vjenës.
A është stresuese të dish se e gjithë bota po të shikon?

“Po, shumë. Edhe pse muzika duket shumë e lehtë, e gëzuar dhe pozitive, si muzikant duhet të jesh shumë i kujdesshëm që të mos gabosh, ta performosh vërtet mirë. Muzika e Strauss duhet luajtur shumë, shumë mirë. Nëse nuk është në tempin e duhur, me artikulimin e duhur ose në frymën e duhur, mund të jetë e mërzitshme - një nga ato muzika që dëgjon me gjysmë veshi. Por e luajtur në frymën e duhur, me intensitetin e duhur, thjesht fluturon! Dhe diferenca mes dy shfaqjeve është shumë e vogël”.

Dirigjenti i koncertit më 1 janar 2025 do të jetë Riccardo Muti. Por Rainer Honeck nuk do të jetë në krah të Maestro Mutit, sepse siç shpjegoi ai: “Ne mbajmë radhën, kam luajtur unë në koncertin e fundit, kështu që do të më shihni sërish në vitin 2026”.

Foto: salzburgerfestspiele.at, Facebook / Pllamena Mangova, wienerphilharmoniker.at, bulgaren.org, EPA/BGNES
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello


Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

“Të mos ndalojmë së kërkuari” – mesazhi në muzikën e Zhivko Vasilevit

Një rrugëtim i jashtëzakonshëm mes zhanreve muzikore dhe vendndodhjeve gjeografike na pret sonte më 14 nëntor. Në sallën 11 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK) në Sofje nga ora 19:00, toni i butë i fyellit bullgar do të takohet me tingujt klasikë të..

botuar më 24-11-14 8.40.PD

"U përmbys mali" – “Deep Zone Project” u përcjell brezave muzikën e mirë bullgare

Grupi “DEEP ZONE Project” po përgatit eventin e tij më të mirë të vitit – për herë të parë grupi po organizon “DEEP ZONE All Stars”, duke bashkuar të gjithë solistët e tij dhe bashkëpunimet gjatë viteve të kaluara. Dhe ata nuk janë të paktë në çerek..

botuar më 24-11-13 8.45.PD

Edicioni i vjeshtës i SoFest i bashkon artet

Edicioni vjeshtor i SoFest do të tërheqë fansa të arteve të ndryshme në Sofje me ngjarje interesante dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme. Nga data 14 deri më 17 nëntor në Sofia Live Club i presin dy shfaqje teatrale dhe koncerte të ndryshme. Dhe këtë..

botuar më 24-11-12 6.15.PD