"Dy ditët më të rëndësishme në jetë janë dita kur keni lindur dhe dita kur e zbuloni pse." Ky është një mendim që i atribuohet shkrimtarit të famshëm Mark Twain. Bashkëbiseduesja jonë ndjek gjurmët e dashurisë, të cilat e çojnë në një vend tjetër, në një kontinent tjetër. Bashkëshorti i saj, i cili është gjysmë zimbabveas, u diplomua për gazetari në Bullgari dhe të dy shkuan së bashku në Zimbabve dhe më vonë u vendosën në Republikën e Afrikës së Jugut. Dhe aty, papritur, bullgarja zbuloi një talent të saj, i cili ia tregoi misionin e jetës së saj.
Ajo quhet Matina Genkova-Mpofu dhe është autore e 6 librave për fëmijë të shkruara në anglisht. Njëri prej tyre, i quajtur "Thingamagic" (“Gjëja”), është nominuar për letërsinë më të mirë të Afrikës së Jugut në kategorinë "Libra për fëmijë" për vitin 2021. Në të autorja flet për kafshët e kërcënuara me zhdukje, por edhe na frymëzon idenë se, pavarësisht se sa të ndryshëm jemi të gjithë, është më mirë të jetojmë në paqe dhe dashuri. Libri u përkthye nga anglishtja në zulu dhe u nominua sërish, këtë herë për përkthim.
Por si hyri shkrimi në jetën e saj?
“Kurrë nuk e kam menduar se do të filloj të shkruaj. Në rrethin tim të ngushtë, në familje, burri im është njeriu i fjalës, unë isha njeriu i logjikës dhe i matematikës. Kështu që ishte një shok i vërtetë edhe për të dy se unë fillova të shkruaj”, thotë sinqerisht Matina.
Çelësi i talentit rezulton të jetë dashuria e nënës.
“Kur djali ynë ishte rreth 3 vjeç (meqë ai filloi të bënte pyetje para se të fliste shumë mirë), mendova se duhej të përgatitesha t'i shpjegoja pse dukej ndryshe nga unë dhe babai i tij, sepse ai është nga një martesë e përzier. Fillova të kërkoja libra në biblioteka, në librari dhe nuk munda të gjeja ndonjë që t’i jepte përgjigje kësaj pyetjeje. Pastaj fillova të mendoj - nëse nuk gjej një libër të tillë, pse të mos përpiqem ta shkruaj. Në fillim nuk dija fare se si ta filloja, nuk e kisha idenë, sepse është shumë e vështirë t'i shpjegoj një fëmije shumë të vogël pse ai duket në një mënyrë të ndryshme nga të dy prindërit."
Frymëzimi erdhi papritur një mëngjes herët në Ditën e Shën Valentinit. U botua libri i parë i Matina Genkova-Mpofu "Mom, why am I different?" /"Mami, pse jam ndryshe?"/ në të cilin ajo shpjegon në mënyrë të kapshme dhe magjepsëse pse madje anëtarët e së njëjtës familje mund të kenë ngjyra të ndryshme lëkure. Përgjigja jepet përmes një pije kaq të dashur për fëmijët - është njësoj si kur tretim kakaon në ujë, marrim një lëng kafe dhe nëse shtojmë qumësht, bëhet çokollatë e nxehtë! Hmmm…. “ Por theksi i librit nuk është aq shumë tek ndryshimi në ngjyrën e lëkurës, sa tek fakti se nuk ka rëndësi sesi dukeni, por që ju i doni prindërit tuaj dhe prindërit tuaj ju duan, dhe se secili prej nesh është i ndryshëm dhe unik. Nuk ka asnjë person tjetër si ne në botë”, shpjegon Matina. " Mom, why am I different?" bëhet një fillim i ri për të. Libri i shkruar me shumë dashuri korr suksese dhe ribotohet.
Afrika e magjeps Matinën menjëherë - njerëzit, natyra, perëndimet e diellit: "Atje perëndimet janë të jashtëzakonshme. Ju mund ta shihni diellin duke lëvizur dhe duke perënduar për rreth 15 minuta!" Jeta atje i mësoi asaj se njeriu duhet të fokusohet në gjërat vërtet të rëndësishme dhe të mos shqetësohet për ato të parëndësishmet. Pyetjes banale për përshtatjen me një kulturë krejtësisht të ndryshme ajo i përgjigjet papritur. Në fakt, e thjeshtë dhe e mençur:
"Përgjithësisht përshtatem lehtësisht. Po, kishte disa dallime shumë të mëdha. Por të gjithë njerëzit mendojnë se kultura e tyre është shumë specifike ose shumë e ndryshme. Por shumë kultura kanë shumë, shumë gjëra të përbashkëta. Më shumë nga sa mendojmë."
Ndër gjërat që i bënë Matinës shumë përshtypje në fillim, kur mbërriti në tokën afrikane, janë përshëndetjet e gjata të banorëve vendas, për shembull, herët në mëngjes. "Sepse ato mund të vazhdojnë për gjysmë ore ose më shumë, në varësi të numrit të njerëzve. Nuk është vetëm "Mirëmëngjes". Çdo njeri i përshëndet të tjerët me "Mirëmëngjes", pastaj i pyet nëse janë mirë, pastaj nëse kanë fjetur mirë dhe kjo mund të vazhdojë për një kohë të gjatë. Ishte shumë e çuditshme për mua”, shpjegon bullgarja.
Ndonëse prej vitesh jeton jashtë vendit, Matina nuk e harron Bullgarinë dhe sa herë që mundet kthehet për të vizituar të afërmit e saj. Sot komunikimet moderne kanë vetinë magjike t’i shkurtojnë distancat! Për të është shumë e rëndësishme që djali i saj, i cili ka lindur jashtë vendit, të mos humbasë lidhjen me rrënjët dhe tregon se djali është mjaft i mirë në të folur bullgarisht. Përveç kësaj, në Afrikën e Jugut ekziston një komunitet i mrekullueshëm, shumë aktiv bullgar, i bashkuar rreth klubit lokal bullgar. Aty mblidhen rregullisht bashkatdhetarët tanë për t'u parë dhe biseduar në bullgarisht, për të ruajtur traditat, ndërsa fëmijët e tyre gjatë kësaj kohe ndjekin shkollën bullgare të së dielës "Dielli". Nga atje ata mund të huazojnë një libër për fëmijë për ta lexuar në shtëpi.
"Për mendimin tim, kompjuterët, tabletët, telefonat përdoren shumë. Por asgjë nuk mund ta zëvendësojë ndjenjën e mbajtjes së një libri me aromën e tij. Dhe është shumë e rëndësishme që librat t'u lexohen fëmijëve që në moshë të re, pavarësisht se në cilën gjuhë. Do të doja që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe tabletët, telefonat të mos e zëvendësojnë plotësisht letërsinë artistike, ashtu siç e dinim ne si fëmijë”.
Këtë e ndau në fund të takimit në studion e Radio Bullgarisë Matina Genkova-Mpofu - zonja me një fjalë elegante, e cila me librat e saj u jep përgjigje pyetjeve të vështira të fëmijëve në gjuhë të kuptueshme.
Foto: arkiv personal
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Ichak Finci ka lindur më 25 prill, pjesë e të ashtuquajturit “brezi i artë” i aktorëve bullgarë. Për udhëtimin e tij 91-vjeçar në tokë, Icko Finci le gjurmë të dallueshme në jetën teatrale, filmike dhe kulturore bullgare. Ai ka lindur në Sofje,..
Qyteti shqiptar i Pogradecit, i vendosur në bregun jugperëndimor të liqenit të Ohrit, është një vend ku jetojnë dhe punojnë shumë qytetarë shqiptarë me origjinë bullgare. Qyteti është qendra e bashkisë me të njëjtin emër në qarkun e Korçës, në..
Bullgarët në Shqipëri janë njohur si pakicë kombëtare në vitin 2017, por nuk kemi të dhëna zyrtare për numrin e tyre, pasi ende nuk janë publikuar të dhënat përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë së vitit të kaluar. Jo pak shqiptarë me vetëdije..