Këneta е Bojanës është e vetmja ligatinore natyrore në territorin e Sofjes, e cila është ende shtëpia e një numri speciesh të mbrojtura të bimësisë ujore, amfibëve dhe zvarranikëve. Ky fenomen natyror ndodhet në 670 m mbi nivelin e detit midis disa lagjeve metropolitane. Por si shumë territore të ngjashme në vendin tonë, Këneta e Bojanës është e kërcënuar nga aktiviteti njerëzor. Probleme serioze lindën pasi zona iu rikthye privatëve si tokë bujqësore. Si rezultat, këneta iu nënshtrua sulmeve të shumta - mbushja me dhe, prerja e pemëve, përhapja e masave tokësore dhe rrafshimi i terrenit në pronën private, si dhe heqja e bimësisë. U shfaq gjithashtu një plan për ndërtim në territorin e saj. Dhe jo shumë kohë më parë, situata arriti deri në atë pikë ku aktivistët qëndruan para ekskavatorëve për të parandaluar shkatërrimin e kënetës.
Mezi në gusht të vitit 2023, me insistimin e organizatave joqeveritare, Këneta e Bojanës u shpall objekt ujor nga Drejtoria e Basenit. Por ky urdhër aktualisht po apelohet nga pronarët privatë. Në muajin maj të këtij viti qytetarët u takuan me ish-ministrin e mjedisit dhe ujërave, Julian Popov, me kërkesën që këneta të shpallet habitat për speciet e mbrojtura. Në transmetimin “Dita jonë” të BNR- “Hristo Botev” Aleksandër Kolev, kryetar i Shoqatës “Mbrojtja e Kënetës Bojana” tha:
“Këneta e Bojanës dhe zona rreth saj mund të bëhet parku i parë ekologjik në zonën e qytetit të Sofjes. Një park ekologjik me funksione klimatike që lidhen me parandalimin e përmbytjeve, me kontrollimin e temperaturave jashtëzakonisht të larta gjatë muajve të verës. Një park rrëzë malit Vitosha, që do të jetë i aksesueshëm për qytetarët dhe mysafirët e qytetit tonë dhe që do të mbrojë nga pasojat e rëndësishme të ndryshimeve klimatike.”
Pavarësisht shpalljes si objekt ujor, në momentin e fundit të mandatit të tij, ish-krye arkitekti i rajonit “Vitosha” miratoi një vizë për projektimin dhe lejen e ndërtimit të 5 objekteve shumëkatëshe në terrenin ku ndodhet Këneta e Bojanës. Por u bë e qartë se administrata e re e qytetit ka plane të tjera për zonën natyrore. Kohët e fundit, këneta u përfshi në programin e menaxhimit të kryetarit të Bashkisë Metropolitane në kategorinë që lidhet me të ashtuquajturat “Pyka të gjelbra” përmes të cilave mund të realizohen mjedise parku në shkallë të gjerë.
“Në vitin 2021 u kryen një sërë studimesh të Kënetës Bojana, gjatë të cilëve u zbuluan më shumë se 128 lloje zogjsh, një pjesë e madhe e të cilëve janë të mbrojtura, përfshirë edhe në direktivat evropiane të biodiversitetit. 19 nga banorët e kënetës janë në Librin e Kuq të Republikës së Bullgarisë. Në këtë fazë ka mirëkuptim edhe nga kryetari i Bashkisë së Sofjes, nga komuna rajonale, nga Inspektimi rajonal i mjedisit dhe i ujërave dhe inspektime të tjera, që kjo gjë të ruhet” - thotë Aleksandër Kolev.
Përveç shpendëve, Këneta Bojana është një habitat për një sërë speciesh amfibësh. Fauna e pranishme në zonën e ligatinës është objekt i mbrojtjes së Trashëgimisë Natyrore Evropiane.
“Këneta e Bojanës është një shembull specifik me këtë, që është pjesë e zonës së urbanizuar brenda kufijve të Sofjes. Dhe megjithëse me ligj territore të tilla nuk mund të ekzistojnë brenda kufijve të qyteteve dhe në zona të urbanizuara, ne duhet të arrijmë ta rregullojmë dhe ta ruajmë atë në mënyrë të tillë që të përmbushë funksionet e saj si moçal. Dhe ato janë të lidhura me përmbajtjen e sasive të mëdha të ujërave nëntokësore dhe shiut, të cilat këneta i lëshon ngadalë drejt qytetit përgjatë lumenjve. Dhe jo që të ndodhin përmbytje, të cilat ne i vëzhgojmë prej vitesh në pjesë të ndryshme të Bullgarisë” - tha në përfundim Aleksandër Kolev.
Lexoni më shumë:
Përpiloi: Veneta Nikollova bazuar në materialin e Ljuba Konstantinova për BNR - "Hristo Botev"
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: MOSV, BGNES, stolica.bg
Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të sillte vërtet një fitore për Kamala Harris zhvillimi i një politike të qëndrueshme, a është Europa gati..
Zoti i ka dhuruar njeriut cilësinë e madhe - të ëndërrojë, dhe ne ëndërronim që pikërisht këtu, në Muzeun Getty, të dëgjonim në bullgarisht për hapjen e një ekspozite të jashtëzakonshme, një ekspozitë kushtuar një populli të lashtë, një ekspozitë që flet..
Në edicionin e 14-të të Sistemit të Vlerësimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Bullgari për vitin 2024, Universiteti i Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” është në vendin e parë në 22 fusha profesionale. Sistemi i vlerësimit krahason performancën e 51..
Instituti për Shkenca Kompjuterike, Inteligjencë Artificiale dhe Teknologji (INSAIT) pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski" vuri në..