Serbia raporton rënie të emigrantëve dhe mbyll disa qendra të refugjatëve
Komisionerja për Refugjatët dhe Migrimin e Serbisë, Natasha Stanisavlleviç, bëri të ditur se numri i emigrantëve në vend u ul me 80% dhe u vendos që përkohësisht të mbyllen 7 qendra refugjatësh, transmetoi TANJUG. Vendimi hyn në fuqi nga 1 gushti dhe do të jetë i vlefshëm deri më 30 shtator. “Gjatë kësaj periudhe do të bëjmë sërish analiza për të rregulluar punën e qendrave në periudhën e dimrit”, theksoi Stanisavlleviç. Ajo vuri në dukje se në 7 muajt e parë të vitit 2024, numri i emigrantëve në vend ishte 10 423. Qendrat aktualisht strehojnë 472 refugjatë, ndërsa numri i tyre në të njëjtën kohë në vitin 2023 ishte midis 3500 dhe 4000. Stanisavlleviç vuri në dukje se shumica e emigrantëve hyjnë në Serbi nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.
VLEN dëshiron të ketë një Akademi Shqiptare të Shkencave në Maqedoninë e Veriut
Koalicioni partiak shqiptar VLEN, i cili është partner koalicioni i VMRO-DPMNE-së në pushtet, kërkoi që në Maqedoninë e Veriut të ketë dy akademi të shkencave – maqedonase dhe shqiptare, njofton BGNES. Drejtuesit e VLEN-it bënë me dije se plani është që fillimisht akademia të financohet nga buxhetet e 4 bashkive shqiptare dhe më pas të merret financim nga buxheti i shtetit. "Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është i qartë. Kemi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (MANU), e cila mbledh shkencëtarë nga etni të ndryshme dhe duhet të punojmë në drejtim të pasurimit të mendimit shkencor, kjo është e ardhmja", tha kryeministri Hristijan Mickoski për iniciativën shqiptare. Ish-kryetari i MANU-së Vllado Kambovski komentoi se në një shtet nuk mund të ketë dy akademi dhe se “shkenca nuk mund të etnizohet”.
Një ligj turk për fatin e qenve të rrugës ndezi pasionet publike
Parlamenti turk miratoi një ligj sipas të cilit komunat do të kenë afat deri në vitin 2028 të mbledhin qentë endacakë nga rrugët dhe t'i vendosin në strehimore. Qentë agresivë dhe të sëmurët terminalë do të eutanizohen. Norma e mëparshme parashikonte që bashkitë të sterilizonin dhe vaksinonin të gjithë qentë e rrugës dhe t'i kthenin në vendin ku ishin gjetur. Vlerësohet se në Turqi ka rreth 4 milionë qen endacakë dhe komunat kanë sterilizuar rreth 2.5 milionë kafshë në 20 vitet e fundit. Në Ligji theksohet se në vend ka 322 strehimore me kapacitet për 105 mijë qen dhe bashkitë do të ndajnë 0.3% të buxhetit të tyre për fushatën. Mijëra njerëz protestuan kundër ligjit dhe pati përplasje me policinë, njoftoi BTA. Mbrojtësit e të drejtave të kafshëve kanë frikë se disa komuna do të preferojnë t'i vrasin qentë me pretekstin se janë të sëmurë.
Kryeministri Edi Rama zëvendësoi disa ministra në Shqipëri
Kryeministri shqiptar Edi Rama njoftoi para një kongresi të Partisë Socialiste në pushtet se do të zëvendësojë 4 ministra në qeveri. Ministria e Mbrojtjes do të drejtohet nga Pirro Vengu, i cili merr detyrën nga Niko Peleshi. Në vend të ministrit të mëparshëm të financave, Ervin Mete, qëndron Petrit Malaj. Ministria e Punëve të Brendshme do të drejtohet nga Ervin Hoxha. Ministri i brendshëm deri më tani ishte Taulant Balla, por ai u bë ministër për marrëdhëniet me parlamentin, njofton Radio Televizioni Shqiptar (RTSH). Rama bëri të ditur se Tirana paraqiti dokumentet për të pritur takimin e NATO-së në vitin 2027. Si prioritete të vendit, ai shpalli ndërtimin e Korridorit Nr.8 të Transportit nga Adriatiku deri në Detin e Zi, linjën detare nga Trieste në Itali, përmes Durrësit deri në Kalamatë në Greqi, pistën e Formulës 1 në Elbasan dhe aeroportin ndërkombëtar në Vlorë.
Po ringjallin projektin për një kanal të lundrueshëm nga Bukureshti në Danub
Deri në fund të vitit, studimi i fizibilitetit të kanalit Bukuresht-Danub mund të jetë gati, njoftoi televizioni kombëtar rumun TVR. Ndërtimi filloi në 1986, por u ndal pas revolucionit të vitit 1989, pavarësisht se ishte 70% i përfunduar. Kanali 67 km parashikohej të ishte gati për 5 vjet me një kosto prej 1.44 miliardë euro. Nëse përfundon, projekti, i njohur si "Zhvillimi i lumenjve Arxhesh dhe Dëmbovica për lundrim", do të bëjë të mundur transportin detar midis kryeqytetit rumun dhe Detit të Zi nëpërmjet Danubit. Objekti do të lejojë gjithashtu një lidhje të drejtpërdrejtë të Bukureshtit me kryeqytetet e tjera si Beogradi, Budapesti, Bratislava, Vjena dhe me kanalin Rejn-Main-Danub. Projekti ka 6 impiante hidroteknike - 4 në Arxhesh dhe 2 në Dëmbovica, secila prej të cilave do të ketë edhe një hidrocentral. Kanali do të dalë nga Danubi te Oltenica përballë qytetit bullgar Tutrakan.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto: BTA, telegraf.rs, euronews.al, time.mk, cotidianul.roTurqit dhe grekët duan më shumë pika kalimi përgjatë Vijës së Gjelbër në Qipro Partitë politike greke qipriote dhe turke qipriote u kanë bërë thirrje liderëve të tyre që të hapin më shumë pika kalimi përgjatë Vijës së Gjelbër që ndan Qipron për..
Pasi për të njëmbëdhjetën herë ia dolën të zgjedhin kryetaren e Legjislaturës së 51-të të Kuvendit Popullor në personin e Natalija Kisellovës, të propozuar nga “BSP – E majta e Bashkuar”, deputetët votuan për zgjedhjen e nënkryetarëve të..
Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, u dëgjua nga Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian. Ai tha se disa nga kujtimet e tij më të bukura janë nga Bullgaria, por akuzoi Sofjen për ngecje të integrimit evropian të..