Pas zbardhjes së rezultateve të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian (PE), tashmë ka nisur “beteja për pushtet”. Në pamje të parë duket se kontrolli do të mbetet në koalicionin mes Partisë Popullore Evropiane, Socialistëve dhe Demokratëve dhe “Rinovo Evropën”, por stabiliteti nuk është i sigurt dhe negociatat që po zhvillohen aktualisht mund ta lëkundin.
Synimi është të arrihet një ekuilibër në përfaqësimin e familjeve politike, si dhe një ekujlibër gjeografik. Natën e zgjedhjeve, Ursula von der Leyen u bëri thirrje partive të qendrës që të ndërtonin një mburojë kundër ekstremeve si në të majtë ashtu edhe në të djathtë:
“Qendra ka stabilitet. Por është gjithashtu e vërtetë që e majta ekstreme dhe e djathta ekstreme po fitojnë mbështetje, ndaj dhe rezultati vjen me një përgjegjësi të madhe për partitë në qendër. Mund të kemi dallime për disa çështje të veçanta, por ne të gjithë kemi interes për stabilitetin dhe duam një Evropë të fortë dhe efikase. Gjatë fushatës sime, punova shumë për të ndërtuar një shumicë të gjerë dhe efektive të forcave pro-evropiane. Qëllimi im është të vazhdoj në këtë rrugë me ata që janë pro-evropianë, pro-ukrainas dhe "për" sundimin e ligjit. Dhe, natyrisht, këto zgjedhje nuk u zhvilluan në vakum. Bota rreth nesh po dridhet. Forcat nga jashtë dhe nga brenda po përpiqen të destabilizojnë shoqëritë tona dhe të dobësojnë Evropën. Ne kurrë nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë.”
Pa mbështetjen e Partisë Popullore Evropiane, e cila ka më shumë vende në organin legjislativ, nuk do të jetë e mundur të formohet një shumicë në Parlamentin e ri Evropian, theksoi kryetari i Partisë Popullore Evropiane (PPE) Manfred Weber:
“Drejtimi kryesor për Evropën është i qartë. Ai është i qendrës së djathtë, kjo është Evropa për të cilën votuan njerëzit. Kjo do të thotë se Partia Popullore Evropiane ka rolin e rëndësishëm për të qenë e përgatitur për të negociuar me të gjithë të tjerët në një mënyrë demokratike. Por edhe për të përcaktuar elementët e rëndësishëm për vitet në vijim, që janë konkurrenca dhe siguria.”
Në një intervistë ekskluzive për radio rrjetin evropian Euronet Plus, analisti në Qendrën Kërkimore të Politikave të Bashkimit Evropian me qendër në Bruksel “Miqtë e Evropës”, Jamie Shеa, komentoi se suksesi i partisë së Asamblesë Kombëtare të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen ishte për shkak të fushatës së fokusuar në çështjet e sigurisë, migracionit dhe punëve të brendshme dhe jo në pozicionet pro-ruse. Dhe me shume:
“Ne do t'i thjeshtonim shumë gjërat nëse i trajtojmë partitë e ekstremit të djathtë në tërësi. Disa prej tyre janë pro-ukrainase, disa të tjera mbështesin NATO-n, ka të tilla që duan të punojnë me SHBA-në, disa të tjerë - me Rusinë dhe duan izolim. Disa mbështesin tregun e lirë, të tjerët mbështesin korporatat. Disa duan të punojnë brenda sistemit, dhe disa duan ta mposhtin atë nga jashtë. Jo të gjitha partitë e ekstremit të djathtë janë të njëjta. Ka ndarje mes tyre, të cilat do të jenë një faktor për shkak të të cilit ata mund të jenë më pak efektivë në Parlamentin Evropian në synimin e tyre për të ndryshuar politikat.”
Sipas ekspertëve, temat dhe çështjet unifikuese do të jenë ekonomia dhe siguria, duke lejuar që politikat të bëhen “pjesë-pjesë”.
A ka vërtet ndonjë surprizë të madhe nga këto zgjedhje apo përkundrazi - do të kemi më shumë nga e njëjta? Përgjigja e Marin Lesenskit, drejtor i Programit “Politikat Evropiane dhe Pjesëmarrja Qytetare” në Institutin “Shoqëria e Hapur”:
"Befasia ishte se, në fakt, partitë tradicionale u paraqitën më mirë se sa pritej dhe vala e ekstremit të djathtë ndodhi vetëm deri diku."
Dhe komenti juaj për shqetësimin se mund të krijohet një grup i ri parlamentar pro-rus në PE? Ka më shumë se 90 mandate, aspak të pakta, të cilat nuk janë të lidhura ende me asnjë parti – mes tyre janë mandatet e partive “Alternativa për Gjermaninë”, ajo hungareze “Fidesz”, ajo italiane “5 Yjet”, "Konfederata" polake dhe disa të tjerë…
"Kjo është ende e mundur pasi ata janë në kërkim të një vendi. Mund të shohim një bashkim të tillë që do të jetë vërtet shqetësues. Unë dua të nënvizoj kontradiktën e ideologjisë së tyre, pasi ata e deklarojnë veten mbrojtës të vlerave tradicionale evropiane, duke vepruar në të njëjtën kohë në favor të një fuqie të jashtme që dëshiron të shkatërrojë një Evropë të bashkuar.”
Çfarë mendoni se do të bëjë EPP – a do të punojë me të djathtën apo të majtën për të formuar një shumicë?
"Kjo është pyetja kryesore, pasi Partia Popullore Evropiane doli fituesja e madhe e këtyre zgjedhjeve. Unë mendoj se ata do të punojnë si me të majtën, ashtu edhe me të djathtën. Ndërkohë, Komisioni do të kërkojë aleatë për politika të caktuara nga konservatorët dhe reformistët europianë, ndoshta jo nga i gjithë formacioni, por nga partia e kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila ka kontributin më të madh në këtë grup."
Megjithatë, partitë e majta i dhanë Ursula von der Leyen një ultimatum - nëse ajo do t'i lejonte partitë e krahut të djathtë të vendosnin axhendën, ato do të tërhiqnin mbështetjen e tyre.
"Ky do të jetë një problem. Nuk e di se si do ta trajtojë ajo, sepse, për shembull, ne po shohim që EPP ka paraqitur tashmë kërkesa për të ndryshuar Marrëveshjen e Gjelbër, por të Gjelbrit dhe shumica e socialistëve dhe demokratëve duan ta mbajnë atë, kështu që ne do të shohim negociata të rëndësishme të politikave të veçanta. Rusia bëhet shkak për ndarjen e madhe mes partive. Edhe pse Giorgia Meloni është nga një parti e ekstremit të djathtë, ajo mbështet Ukrainën, kështu që do të punojë me partitë e tjera. Temat e tjera të mëdha janë Marrëveshja e Gjelbër dhe migrimi, ku ka pasur reforma kohët e fundit, por ndoshta do të ketë më shumë ndryshime. Po flasim deri tani për zgjedhjet europiane, të cilat janë shumë të rëndësishme, por gjërat do të ndryshojnë edhe në Këshillin Europian, ku janë qeveritë. Evropa nuk ka kohë për të humbur, pasi është e dukshme se forcat e jashtme - Rusia, Kina, ushtrojnë presion të madh ekonomikisht dhe politik mbi Bashkimin Evropian në tërësi dhe mbi vendet e veçanta.”
Dhe cilat politika mendoni se do të ndikohen nga zgjedhjet evropiane? Natyrisht një prej tyre do të jetë Marrëveshja e Gjelbër, por zgjerimi, mbrojtja - si janë gjërat atje, a ka ndonjë ndryshim për shkak të rezultatit të votimit?
"Këto janë tema të mëdha. Zgjerimi është përsëri në axhendë. Si një motiv gjeopolitik lidhur me luftën në Ukrainë, shihet se nuk mund të ketë një vakum rreth Evropës dhe ne duhet të veprojmë shumë shpejt. Dhe veprimet tani po përfshijnë jo vetëm Ballkanin Perëndimor - fqinjët tanë të afërt, por edhe Ukrainën dhe Moldavinë, deri vonë edhe Gjeorgjia konsiderohej si një kandidat i tillë. Kështu që kjo do të jetë një nga çështjet për të cilat Evropa do të duhet të punojë shumë në vitet e ardhshme. Është në interesin e Bullgarisë që zgjerimi të ndodhë shpejt. Shpresoj gjithashtu që politika e mbrojtjes të jetë një nga gjërat unifikuese midis familjeve të ndryshme partiake në Evropë, pasi ka një shkallë të madhe të mbivendosjes së interesave.”
A mund të presim që, thënë në mënyrë figurative, “frerët” e BE-së të kalojnë nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, të cilët duken të dobësuar, te kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ai polak Donald Tusk, të cilët duken gjithnjë e më të fortë?
“Polonia është një nga vendet në zhvillim dinamik në Evropë me peshë gjithnjë e më shumë, ndaj do të jetë një nga liderët. Melonin e përmend më tepër si një surprizë, pasi me shumë zgjuarsi ajo përfiton nga vakuumi në Bashkimin Evropian me liderë të dobët. Kryeministrja e Estonisë Kaja Kalas është propozuar si Ministre e Jashtme Evropiane, e cila ka qëndrime shumë të forta në lidhje me politikën e jashtme evropiane, ajo mund të ndërtojë ura midis vendeve të ndryshme në Evropë, kështu që Bashkimi të ketë një politikë të jashtme shumë më të bashkuar.”
Cilat do të jenë linjat dhe temat ndarëse dhe unifikuese në Parlamentin e ardhshëm evropian?
"Tema unifikuese do të jetë për një Evropë më të fortë, por pjesa më e vështirë do të jetë se si të arrijmë atje. Kur po flasim për Marrëveshjen e Gjelbër - në politikat evropiane kjo quhet një tranzicion i dyfishtë drejt politikave të gjelbra dhe një tranzicion dixhital. Sipas sondazheve të gjithë e kërkojnë këtë, por çështja është se si të arrijmë atje, të paktën cilat janë pasojat sociale dhe ekonomike, përkundrazi, gjërat e vogla, detajet, do të jenë pengesa. Gjëja tjetër e rëndësishme janë vizat për Evropën. Duhet të jemi të vëmendshëm, të ndjekim se çfarë po bëhet dhe jo aq çfarë po flitet."
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Minoriteti kombëtar bullgar në Shqipëri është një nga më të mëdhenjtë në vend, sipas të dhënave nga censi i fundit zyrtar i popullsisë atje. 7 057 persona janë deklaruar si bullgarë, në krahasim me 23 000 që janë identifikuar si grekë, 12 000 si..
Një pemë e Krishtlindjeve me dekorime bullgare është vendosur në një vend qendror në Muzeun e Industrisë në Çikago. Për të pestin vit radhazi, bashkatdhetarët nga qyteti amerikan bënë dekorimin luksoz të pemës bullgare të Krishtlindjes me mbi 30 mijë drita..
Në vitin 2023 në Shqipëri u zhvillua regjistrimi i parë i popullsisë pas njohjes zyrtare të pakicës kombëtare bullgare në vitin 2017, sipas të cilit 7057 persona janë vetëdeklaruar bullgarë. Në Shqipëri ka mbi 7 mijë bullgarë “Dy javë më parë,..