Partia Popullore Evropiane rriti vendet e saj në krahasim me votimin për Parlamentin e mëparshëm Evropian në 2019 me gjithsej 186 deputetë. Ndërkohë, socialistët dhe demokratët pësojnë rënie me disa mandate nga zgjedhjet e mëparshme dhe do të kenë 135 mandate, sipas rezultateve paraprake. Liberalët e "Rinovo Evropën", të cilët aktualisht janë të tretët me 79 vende, po humbasin dukshëm më shumë, pasi fituan 102 në zgjedhjet e mëparshme.
Të Gjelbrit/Aleanca e Lirë Evropiane gjithashtu kanë pësuar një rënie serioze - nga 71 mandate në votimin e mëparshëm, ata tani marrin 53. Është fakt se "Konservatorët dhe Reformistët Evropianë" kanë një rezultat më të mirë - 73 mandate tani, krahasuar me 69, 5 vjet më parë. Euroskeptikët nga “Identiteti dhe Demokracia” marrin 9 mandate më shumë – 58 në krahasim me 49 në zgjedhjet e fundit. Anëtarët e zgjedhur që nuk i përkasin një grupi politik të Parlamentit me një mandat që po skadon, marrin 50. E majta merr vetëm 36 - një mandat më pak se pesë vjet më parë. Le t’i hedhim tani një shikim Parlamentit të ri Evropian që është duke u formuar pas zgjedhjeve që mbaruan ditën e diel, më 9 qershor. Tashmë e dimë shpërndarjen dhe pamjen për pesë vitet e ardhshme. Çfarë pritet tani e tutje - afatet, procedurat - tendencat kryesore.
Pjesëmarrja mesatare e votuesve në BE është mbi 50 për qind. Shumë më i lartë se ajo në vendin tonë, por ka një detaj intrigues - në disa vende, aktiviteti për zgjedhjen e eurodeputetëve bullgarë e tejkaloi atë të deputetëve në parlamentin kombëtar, qoftë edhe pak. Çfarë mendon për këtë fenomen Teodor Stojçev, kryetar i zyrës së Parlamentit Evropian (PE) në Bullgari?
"Fenomeni është shumë interesant dhe nuk ka ndodhur më parë në Bullgari, por me sa e di unë nuk ka ndodhur edhe në vendet e tjera anëtare kur janë mbajtur zgjedhjet 2 në 1. Shpresoj se vjen nga interesimi më i madh për politikën evropiane dhe zgjedhjet evropiane. Natyrisht, mund t’i detyrohet edhe faktit se, në përgjithësi, njerëzit që votuan në zgjedhjet kombëtare dhe në ato evropiane ishin të ndryshëm - listat zgjedhore ishin të ndryshme. Ajo për zgjedhjet evropiane ishte më kufizuese pasi nuk mund të votohej për zgjedhjet evropiane nga çdokush i cili është jashtë Bashkimit Evropian (BE). Pra, kjo mund të jetë arsyeja. Por është vërtet mirë të kuptojmë rëndësinë e zgjedhjeve evropiane.”
Disa nga partitë bullgare, të cilat dërgojnë për herë të parë deputetë evropianë, po mendojnë që ata të formojnë një grup të ri parlamentar dhe jo t'i bashkohen familjeve të mëdha politike dhe partive ekzistuese. A është reale të pritet formimi i grupeve të reja parlamentare? Në përputhje me Rregulloren e Punës së Parlamentit, një grup politik përbëhet nga të paktën 23 anëtarë të zgjedhur në të paktën shtatë shtete anëtare.
“Sigurisht që nuk është një punë e lehtë, por është diçka që ndodh në fillim të çdo mandati të ri të PE-së. Madje në Bullgari ka disa parti, jo vetëm një, që nuk janë bërë ende zyrtarisht anëtarë të asnjë familje politike evropiane, por do të kenë përfaqësues në Parlamentin Evropian. Pra, ky është një proces që ne do të monitorojmë, ku do të bashkohen partitë bullgare që nuk kanë deklaruar ende përkatësinë e tyre evropiane, ose të paktën ende nuk janë bërë pjesë.”
Po ata që synojnë të formojnë një grup të ri politik?
“Duhet të ketë përfaqësim nga vende të ndryshme dhe të ketë të paktën 23 deputetë nga shtatë vende të BE-së. Pra, realisht duhet një përpjekje koordinuese për të formuar një grup të ri, nuk është e lehtë dhe është e nevojshme që partitë të kenë një vizion të përbashkët dhe të kenë ide për politika të përbashkëta, pra nuk është një proces i lehtë.”
Vizioni i përgjithshëm sigurisht që mungon në kushtet bullgare. Por nëse transferohemi në kushtet evropiane, si duken vijat ndarëse atje? A mendoni se politika e jashtme apo temat e brendshme për BE-në apo, për shembull, lufta në Ukrainë do të ndajnë shumicën brenda PE-së dhe sa tema konsensusi ka? Për shembull, lufta në Ukrainë a do ta ndajë shumicën brenda PE-së apo, përkundrazi, do ta formojë atë?
“Për mendimin tim, është më korrekte të flitet për mazhoranca / në numrin shumës / në PE, sepse sipas temës për të cilën votohet, ka kohë që ka kaluar koha kur qendra e majtë dhe qendra e djathta kishin një shumicë në PE dhe mund të nxirrnin vetë vendimet për të cilat kishin rënë dakord. Tani për tani ka të paktën tre parti, ose katër, në disa raste, në varësi të mazhorancave që formohen, që të mund të miratohet ndonjë vendim. Prandaj, për tema të ndryshme, mendoj se do të ketë lloje të ndryshme mazhorancash në PE, të cilat do të jenë më dinamike nga sa jemi mësuar të shohim. Ndihma për Ukrainën në kontekstin e agresionit rus kundër saj është diçka që në përgjithësi bashkon një pjesë të madhe të përfaqësuesve evropianë, ndaj kjo nuk do të jetë një temë përçarëse, por më tepër unifikuese për një pjesë të madhe të eurodeputetëve. Do të ketë еdhe të tillë që nuk kanë një qëndrim të tillë, por le të shohim sa do të jenë në parlamentin e ardhshëm. Por në përgjithësi ata janë vërtet një pakicë shumë e vogël. Linja të tjera, që sigurisht janë shumë të rëndësishme, nuk do t'i quaja domosdoshmërisht vija ndarëse, ose do të rezultojnë të jenë linja bashkuese, janë qëndrimi ndaj të ashtuquajturës “Marrëveshje e Gjelbër” dhe politikat që synojnë zhvillimin e BE-së në një mënyrë më të qëndrueshme si ekonomi dhe si qëndrim ndaj mjedisit. Kjo është diçka që mendoj se do të debatohet gjerësisht dhe do të jetë një nga gjërat për të cilat do të ketë mjaft dallime mendimesh në PE-në e ardhshme. Natyrisht, ka edhe çështje për të cilat përgjithësisht konsensusi është shumë më i madh, për shembull digjitalizimi i Evropës, diçka që po vazhdon prej disa vitesh dhe vlerësohet lart.”
Çfarë është përpara për sa i përket afateve dhe procedurave? A do të jetë zgjedhja e Presidentit të Komisionit Evropian (KE) tema tjetër e nxehtë në horizont?
“Tema e parë e nxehtë nga këndvështrimi ynë sigurisht që do të jetë formimi i Parlamentit të ri Evropian, i cili do të jetë në mes të korrikut në seancën themeluese në Strasburg, në të cilën do të zgjidhet kryetari i PE-së, zëvendësit dhe në përgjithësi do të fillojë formimi i tij si një organ legjislativ, pastaj edhe komisionet parlamentare. Duhet të zhvillohen edhe negociatat për Presidentin e Komisionit Evropian. Pritet që së pari të votohet kandidatura për kryetar të Komisionit, ndoshta në shtator. Në shtator, me siguri do të miratohet presidenti i ri i KE-së, dhe rrjedhimisht më vonë do të fillojë seanca dëgjimore për komisionerët për secilin vend të BE-së dhe më vonë, me shumë gjasa në nëntor, do të votohet e gjithë përbërja e Komisionit Evropian.”
***
Dhe tani një vështrim drejt një nga efektet tektonike të zgjedhjeve evropiane - Franca - doreza e hedhur nga Presidenti Emmanuel Macron, i cili shpërndau Asamblenë Kombëtare dhe shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak të humbjes të së djathtës ekstreme në zgjedhjet evropiane. “Unë po ju kthej të drejtën për të zgjedhur të ardhmen tuaj”, tha Presidenti Macron kur njoftoi shpërndarjen e parlamentit. Sa janë gjasat që vota franceze në zgjedhjet evropiane të përmbysë status quo-në në vetë Francën?
Alexandre Levy, një gazetar francez nga botimi zviceran “Le Temps”, i cili zgjodhi të vëzhgojë proceset në Evropë pikërisht nga Bullgaria:
“Rezultatet e zgjedhjeve të PE-së kanë përmbysur tashmë status quo-në, sepse për herë të parë në historinë e kësaj partie të ekstremit të djathtë ajo del me një rezultat kaq bindës, dy herë më të lartë të lojtarëve të zakonshëm dh të partive tradicionale. Nga ana tjetër, për herë të parë zgjedhjet evropiane po ndryshojnë situatën politike në Francë, të jem i sinqertë, zgjedhjet evropiane në vende si Franca nuk ishin me interes të madh për votuesit, por edhe për vetë partitë, të cilat tradicionalisht dërgojnë atje njerëz që duan t’i largojnë nga skena politike. Madje disa prej tyre e konsiderojnë Brukselin si njëfarë dënimi. E them këtë me pak dhimbje, të paktën kështu ishte deri më tani.”
Si një vend për të dalë në pension?!
“Diçka e tillë, dmth nuk ishte aq e rëndësishme, mund t'ju jap shumë shembuj, për shembull ministrja e drejtësisë Rachida Dati, e cila në atë kohë ishte dërguar direkt nga Nicolas Sarkozy si në internim, dhe ajo vetë e tha këtë. Pra, ka precedentë të tillë të nënvlerësimit apo madje të injorimit të këtyre zgjedhjeve...Dhe tani ato janë në qendër të jetës politike të Francës dhe një president që është në fund të mandatit të tij të dytë bën një lëvizje shumë të rrezikshme. Të gjithë e vlerësojnë, si kolegët e mi, ashtu edhe ata të huaj, si një lojtar pokeri. Do të fitosh, ose do të humbasësh. Dhe rreziku që Franca të hyjë në një verë të nxehtë është me të vërtetë një realitet. Sepse afatet janë shumë të shkurtra dhe rreziku është shumë i madh që Emmanuel Macron të përfundojë mandatin e tij me një kryeministër nga partia e Marine Le Pen, që do të jetë një precedent dhe ndoshta fundi i një tabuje”.
Çfarë mund të mësojë Evropa nga zgjedhjet në një vend si Bullgaria?
“Natyrisht, ka se çfarë mund të mësojë... Këto janë zgjedhjet e gjashta në tre vjet.”
Ndoshta mund të mësojë se si mund të hysh lehtësisht në një cikël të keq për demokracinë?
"Po, mësimi tani është shumë i qartë, për fat të keq, nga ajo që po shohim. Dhe unë ndaj plotësisht mendimin e disa politologëve këtu se ndoshta këto zgjedhje janë ultimatumi i fundit për partitë tradicionale. Nëse do të ketë zgjedhje të tjera, siç shumë njerëz kanë frikë, situata do të ndërlikohet shumë dhe ndoshta pikërisht ky është mësimi.”
Ky material është përgatitur në kuadër të radio rrjetit evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të sillte vërtet një fitore për Kamala Harris zhvillimi i një politike të qëndrueshme, a është Europa gati..
Zoti i ka dhuruar njeriut cilësinë e madhe - të ëndërrojë, dhe ne ëndërronim që pikërisht këtu, në Muzeun Getty, të dëgjonim në bullgarisht për hapjen e një ekspozite të jashtëzakonshme, një ekspozitë kushtuar një populli të lashtë, një ekspozitë që flet..
Në edicionin e 14-të të Sistemit të Vlerësimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Bullgari për vitin 2024, Universiteti i Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” është në vendin e parë në 22 fusha profesionale. Sistemi i vlerësimit krahason performancën e 51..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e..