Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Mickovski ka marrë mandatin për formimin e qeverisë në Maqedoninë e Veriut

Hristijan Mickovski

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka marrë mandatin deri më 24 qershor për të paraqitur në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, raporton BTA. Ai paraqiti në parlament një projektligj për strukturën e re të kabinetit, riorganizimin e ministrive dhe krijimin e sektorëve të rinj. Më 9 maj, një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, VMRO-DPMNE filloi negociatat për formimin e kabinetit me koalicionin e partive shqiptare VLEN. Negociatat po zhvillohen edhe me lëvizjen e majtë ZNAM, e cila u shkëput nga socialistët. Kryetari i partisë më të madhe shqiptare DSI, Ali Ahmeti, tha se refuzimi i Mickovskit për t'i përfshirë në qeverinë e re është shkelje e Marrëveshjes së Ohrit, sipas së cilës partia më e madhe e bllokut maqedonas bën koalicion me partinë më të madhe të bllokut shqiptar në vend.

Sllovenia u bë vendi i 13-të i BE-së që njohu shtetin palestinez


Parlamenti slloven miratoi njohjen e një shteti të pavarur palestinez. Lubjana ndoqi shembullin e Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë. Më parë, Partia Demokratike Sllovene e ish-kryeministrit Janez Jansa paraqiti një propozim për të thirrur një referendum konsultativ për këtë qështje. Kështu që votimi u desh të shtyhej për 30 ditë. Ndryshe nga të gjitha parashikimet, Kryetarja e Parlamentit Urska Kllakoçar Zupançiç e përfshiu propozimin për të refuzuar referendumin në një seancë kaotike gjashtë orëshe, e cila u ndërpre disa herë. Kroacia është "absolutisht pro njohjes së shtetit palestinez, por vetëm kur kjo gjë të mund të zbatohet," tha ministri i jashtëm kroat Gordan Grlic Radman. Tashmë 13 nga 27 vendet në BE e njohin shtetin e Palestinës. 8 prej tyre, përfshirë edhe Bullgarinë, e kanë bërë këtë përpara se të anëtarësoheshin, përcjell rtvslo.si.

Italia ka nisur mbajtjen e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri

Italia ka marrë nën kontroll një pikë të re të regjistrimit të emigrantëve në qytetin port shqiptar të Shëngjinit. Objekti u vizitua nga kryeministrat e Italisë dhe Shqipërisë Giorgia Meloni dhe Edi Rama. Italia do të hapë në Shqipëri dy pika të tjera të nxehta për emigrantët dhe një qendër për mbajtjen e tyre para riatdhesimit dhe do t'i paguajë Tiranës 34 milionë euro në vit për ta. Në këto pika do të ketë çdo muaj 3000 emigrantë dhe refugjatë që nuk kanë arritur në Itali dhe janë shpëtuar nga anijet italiane në det. Meloni shkoi në Shqipëri për të falënderuar vendin që pranoi të presë mijëra azilkërkues për pesë vitet e ardhshme, ndërsa Italia përpunon kërkesat e tyre, tha ATA. Rama tha se marrëveshja ishte një shenjë mirënjohjeje në emër të shqiptarëve që u strehuan në Itali, të cilët “ikën nga ferri dhe ëndërruan për një jetë më të mirë” pas vitit 1990.

Turqia ka mbështetur kërkesën e Athinës për kthimin e statujave nga Partenoni

Turqia ndërhyri çuditërisht dhe mbështeti përpjekjet e Greqisë për të rikthyer "Mermeret e Elginit" nga Mbretëria e Bashkuar, raporton "Daily Telegraph". Qeveria greke pretendon se Lord Elgin vodhi skulpturat antike nga Athina në shekullin e 19-të, ndërsa shefat e Muzeut Britanik thonë se ai kishte shkruar leje ligjore për t'i marrë ato. Qëndrimi i Turqisë u shpreh në një takim të UNESCO-s kur Greqia përsëri kërkoi që Muzeu Britanik t'i kthente Athinës skulpturat e krijuara 2500 vjet më parë. Zeynep Boz, një përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës së Turqisë, i tha UNESCO-s se historianët turq "nuk dinë për ndonjë dokument që legjitimonte blerjen e fuqisë koloniale në atë kohë". “Të heshtësh do të thotë të njohësh pretendimin britanik”, theksoi përfaqësuesi turk.

Rumania ka akuzuar një shtëpi mode për kopjim të paligjshëm të bluzës kombëtare të grave


Ministria Rumune e Kulturës dëshiron që kompania franceze e modës Louis Vuitton të njohë trashëgiminë dhe vlerën kulturore të bluzës tradicionale të grave të qëndisura rumune nga rajoni i Sibiut. Ajo është shpallur Trashëgimi Kulturore Jomateriale Botërore nga UNESCO. Organizata “La Blouse roumaine” sinjalizoi se në koleksionin e ri të shtëpisë së modës ka këmisha të frymëzuara nga rumunët, por pa përmendur origjinën dhe pa pëlqimin e kujdestarëve të kësaj trashëgimie “Nëse një stilist rumun do ta kishte kopjuar produktin e tyre do të ishte një skandal. E kundërta është thjesht frymëzim”, thuhet në një nga komentet në Facebook. "Faleminderit që i kushtuat vëmendje. Bëhet fjalë për një dizajn të të talentuarit Nicolas Ghesquière, i cili frymëzohet nga tradita të ndryshme”, është përgjigjur shtëpia e modës. Çmimi i një këmishe është mbi 5000 dollarë, shkruan Digi24.

Përpiloi: Ivo Ivanov
Foto: EPA/ BGNES, apnews.com, telegraph.co.uk

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello

Më shumë nga rubrika

Vesna Bendevska

Pushtetarët në Shkup vazhdojnë të shtypin bullgarët në Manastir

Nënkryetarja e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Vesna Bendevska, paraqiti në Prokurorinë e Manastirit, se Klubi Kulturor Bullgar “Ivan Mihajllov” në qytet vazhdon të funksionojë, pavarësisht fshirjes nga regjistri qendror, njoftoi BTA, duke iu..

botuar më 24-11-05 10.59.PD
Борис Руге в Хърватия , 30.10.24 г.

Ngjarjet me adresë ballkanike

Polemika në Kroaci për dërgimin e personelit ushtarak në misionin e NATO-s në mbështetje të Ukrainës Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Boris Ruge vizitoi Kroacinë për t'u shpjeguar deputetëve vendas rreth misionit të Aleancës në..

botuar më 24-11-02 10.05.PD

KE: Maqedonia e Veriut ende nuk i ka përfshirë bullgarët në kushtetutë

"Maqedonia e Veriut ende nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të përfshirë në kushtetutë qytetarët që janë pjesë e kombeve të tjera, siç janë bullgarët". Kështu thuhet në një raport për zgjerimin e BE-së, të prezantuar nga..

botuar më 24-10-30 5.52.MD