Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Po, ka një shkollë të tillë rurale në Bullgari! Shkolla e ndryshme në Carev Brod

24 maji është një festë e trefishtë për mësuesit dhe nxënësit

4
Foto: Veneta Nikollova

“Nuk duam të jetë gri, duam të jetë e bukur” – ky është mesazhi i shkollës së mesme “Shenjtor Kirill dhe Metodij” në fshatin Carev Brod. “Shkollë e ndryshme” është motoja tjetër e shkollës, në të cilën mësojnë 118 nxënës deri në klasën e 7-të nga gjithsej 10 vendbanime në rajonin e qytetit Shumen të Bullgarisë Verilindore. Dhe që shkolla është e bukur dhe e ndryshme, është e dukshme sapo kaloni pragun e saj. Aq shumë sе është kthyer në një atraksion turistik dhe njerëzit vijnë nga afër dhe larg për ta parë atë si një lloj … mrekullie. Vizitorët e përkufizojnë në librin e përshtypjeve si "pallati i fëmijëve", "galeria e fotografive" ose "shkollë - shenjtërore".

Më shumë se 120 pllakate, vizatime dhe piktura, si dhe portrete të figurave historike dhe citate, që bëjnë thirrje për tolerancë dhe dashuri për të mësuar, zbukurojnë muret e shkollës së fshatit Carev Brod. Çdo dhomë e klasës është e mobiluar dhe e dekoruar në mënyrë tematike dhe ka multimedia, ndërsa tualetet kanë fotocela. Çdo të hënë, kur fillon mësimi i parë, tingëllon himni i Republikës së Bullgarisë, përderisa të martën, himni i qytetit Shumen shënon fillimin e orës së mësuesit të klasës. Dhe të gjithë këndojnë me entuziazëm.

Por kjo nuk është e gjitha! “Në shkollën tonë, e cila ka më shumë se 100 vjet histori, arsimohen fëmijë me origjinë, kultura dhe ngjyrë të ndryshme të lëkurës, sepse në të kaluarën Carev Brod ishte i njohur si një fshat ndërkombëtar me më shumë se 13 grupe etnike. Dhe unë do të thosha se ne kemi një frymë rilindëse dhe secila nga kremtimet tona kthehet në një festë të mbarë fshatit”, tha drejtori shumëvjeçar Tihomir Trifonov për Radio Bullgarinë. Dhe më shumë:

“Që nga viti 2009 kemi një thes grushtimi që është afër dhomës së mësuesit. Kemi vendosur fotot e mësuesve në anën tjetër, dhe kjo është për të ulur agresionin. Nëse ndonjë nxënës, për shembull, është i zemëruar me një mësues, në vend që të shprehë drejtpërdrejt pasionet dhe emocionet, ai mund të lehtësojë veten në këtë mënyrë. Një zile melodike sigurisht ekziston në shumë shkolla, por e jona ka 15 tone të ndryshme me kohëzgjatje 30 sekonda. Çdo ditë nga ora 6:45 deri në orën 17:30, radiostacioni i shkollës luan muzikë pop bullgare, por në mënyrë të tillë që të mos ndërhyjë në mësim. Dhe mendoj se kjo gjithashtu edukon në patriotizëm.”

Edhe pse shkolla po riparohet dhe rinovohet vazhdimisht, asnjë mjeshtër nuk ka shkelur këmbë në të prej 15 vitesh. “Për riparime dhe lyerje kujdesemi ne – kryesisht stafi ndihmës, ndonjëherë përfshihen edhe mësuesit”, thotë Tihomir Trifonov. Dhe si arrijnë ta mbajnë veten financiarisht?

“Ne marrim të ashtuquajturin buxhet të deleguar, i cili përcaktohet rreptësishtë sipas numrit të nxënësve. Nga ana tjetër, ne kemi toka të dhëna vite më parë me dekret mbretëror. Pasi e fituam një proces gjyqësor toka nuk iu kthye shkollës por të ashtuquajturit Bordi Mbikëqyrës i Shkollës. E regjistruam bordin në vitin 2000, dhe na ndihmon shumë. Dhe së treti, por jo për nga rëndësia, njerëzit na ndihmojnë pa pagesë në mënyra të ndryshme - me ushqime apo materiale ndërtimi etj.”, shpjegon drejtori.

Shkolla mban prej kohësh një bashkëpunim të shkëlqyer me manastirin benediktin femëror më shumë se 100-vjeçar "Zemra e Shenjtë e Jezusit" në fshatin Carev Brod. Motrat benediktine nga Gjermania, Koreja e Jugut, Nigeria dhe vende të tjera u mësojnë anglisht fëmijëve.

“Për 25 vjet bëjmë një kamp veror 5-ditor me motrat, ato ofrojnë drekë dhe mëngjes, ne - organizim metodologjik, dërgojmë mësues në detyrë dhe pajisje sportive në manastir. Fëmijët kanë biseda mësimore morale, por pa didaktikë dhe fe. Në manastirin benediktin ata luajnë e ushtrojnë sporte të ndryshme. Gjatë këtyre 5 ditëve organizojmë ekskursione gjysmëditore në zonë, të cilat janë të orientuara nga patriotizmi” - thotë Trifonov.

Për nxënësit e shkollës 24 Maji është festë e trefishtë. Krahas Ditës së Alfabetit, Arsimit dhe Kulturës Bullgare, në këtë datë ata kremtojnë edhe mbrojtësit e shkollës së tyre, duke nderuar vëllezërit e Selanikut dhe Shën Benediktin, i cili u shpall shenjtor më 24 maj të vitit 1807. Dhe Konstandin Kirili Filozofi dhe Metodij, së bashku me Shën Benediktin, janë mbrojtësit shpirtërorë të Evropës, na kujton Tihomir Trifonov.

Shihni video reportazhin tonë nga fshati Carev Brod, takimin me motrat benediktine dhe vizitën në shkollën e fshatit "Shenjëtor Kirill dhe Metodij" - ka mundësi për përkthim automatik të titrave.

Lexoni më shumë:


Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova

Video: Veneta Nikollova

Fotot: Veneta Nikollova, Shkolla fillore “Shenjtor Kirill dhe Metodij”, fshati Carev Brod, Komuna Shumen




Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Galeria

Më shumë nga rubrika

Bullgaria votoi! Po tani çfarë?

Lodhja nga zgjedhjet, pjesëmarrja jashtëzakonisht e ulët e votuesve (pak mbi 30%), të rinjtë në qendrat e votimit dhe një shpresë e brishtë, thuajse e paperceptueshme për stabilitet dhe normalitet politik. Kështu mund t'i përshkruajmë zgjedhjet e kaluara..

botuar më 24-06-11 7.30.PD

Bullgarët maqedonas janë të ngopur me zgjedhjet e shpeshta

Interesimi për zgjedhjet për Parlamentin bullgar dhe Parlamentin Evropian në Maqedoninë e Veriut është i njëjtë si në zgjedhjet e mëparshme - numri i votuesve pritet të jetë i njëjtë, rreth 130. Por bullgarët e Maqedonisë së Veriut u ngopën me votimin e..

botuar më 24-06-09 7.27.MD

A do të mbizotërojë vota e protestës është pyetja e madhe në këto zgjedhje

“Nëse duhet të bëjmë një krahasim mes Bullgarisë dhe Holandës, të dyja vendet vitin e fundit ranë në një situatë të vështirë lidhur me pamundësinë e formimit të qeverisë. Duheshin krijuar koalicione jashtëzakonisht të vështira dhe kjo nuk mund të..

botuar më 24-06-09 10.15.PD