Bullgaria po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e dinamikës së përgjithshme të ndryshimit të vendndodhjes së qytetarëve evropianë. Nuk ka vende evropiane jo mikpritëse, por është çështje e politikave dhe interesave të ndryshme të bullgarëve, thekson etnologia Dr. Julija Popçeva nga Instituti i Etnologjisë dhe Folklorit pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, e cila në një intervistë për BNR komentoi rezultatet e një studimi ndërinstitucional kushtuar identitetit modern të bullgarëve.
A është identiteti evropian një formulë abstrakte dhe me çfarë e lidhin bullgarët?
Gati 48 për qind e bashkatdhetarëve tanë e perceptojnë Bullgarinë si një vend anëtar të BE-së dhe 30 për qind si një vend ballkanik në udhëkryq mes Lindjes dhe Perëndimit. Vetëm 2 për qind e perceptojnë Bullgarinë si një vend të orientuar drejt bashkëpunimit aktiv me SHBA-në, gjë që është brenda gabimit statistikor.
Bullgarët janë të orientuar drejt Evropës, por në të njëjtën kohë, për 62 për qind, treguesi kryesor për identitetin evropian është vendndodhja gjeografike, për 33 për qind, është e kaluara historike dhe për 27 për qind, trashëgimia kulturore. Për 23 për qind, identiteti evropian është më së shumti ekuivalent me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, ndërsa për 22 për qind të të anketuarve identifikimi është me politikën dhe legjislacionin e përgjithshëm, tregon hulumtimi.
Bullgarët identifikohen me Evropën në një masë shumë më të madhe si një kontinent dhe një qytetërim, sesa me organizimin e saj politik dhe ekonomik, zbuloi sondazhi.
“Kur flasim për lokal – kombëtar – mbikombëtar si kuptim i identitetit personal, më tepër flasim për nivele të ndryshme të këtij identiteti. Është po aq e rëndësishme që njeriu të ndihet bullgar dhe të ndihet i lidhur me vendlindjen e tij. Takojmë njerëz që e përkufizojnë identitetin e tyre etnik si të ndryshëm nga bullgarët, por në realitet ndjejnë se janë qytetarë bullgarë. Këto identitete nuk janë në luftë me njëri-tjetrin, ato ndërtohen mbi njëri-tjetrin, ato plotësojnë njëri-tjetrin. Shumë shpesh të anketuarit nga jashtë do të tregojnë saktësisht se nga cili qytet janë, nga cili fshat janë, si u pëlqen të kthehen në këtë vend. Ata vazhdojnë të ndihen të lidhur me këtë vendlindje, nëse nuk ofendohen nga shteti”, thekson Julia Popçeva.
Identiteti kombëtar i bullgarëve ka qenë gjithmonë shumë i fortë dhe shfaqet në nivele të ndryshme. Ajo që është më interesante është se ndjenja evropiane po bëhet gjithnjë e më e fortë dhe ndjenja e kufijve po mjegullohet tek të rinjtë. Për ta po bëhet gjithnjë më e lehtë të udhëtojnë jashtë vendit. Studentët e sotëm janë rritur në kushtet në të cilat Bullgaria tashmë është pjesë e BE-së, me vetëdijen se janë qytetarë të BE-së dhe nuk shkojnë të studiojnë në Perëndim me ndjenjën e emigrimit të përhershëm, por me ndjenjën e mundësive dhe njohjes së një kulture tjetër.
Ekziston edhe një ndryshim në perceptimin e Evropës dhe "jashtë vendit" në përgjithësi nga brezat e ndryshëm të bullgarëve. Brenda 30 viteve të fundit kemi pasur një regjim vizash, një regjim pa viza, pas vitit 2007 kishim të drejtë të udhëtojmë por jo të punojmë dhe pas vitit 2014 edhe të punojmë. Nga disa javë është në fuqi i ashtuquajturi Shengen i pjesshëm - ky evolucion lidhet me perceptimin e Bullgarisë si pjesë dhe pjesëmarrëse në jetën e BE-së, thekson Julia Popçeva.
“Evropa ndonjëherë shfaqet në hulumtimet tona si imazhi negativ i atij vendi që na mori fëmijët, fëmijët tanë nuk janë me ne. Ky është konotacioni negativ që ne mund ta zbulojmë disi. Por vihet re se gjithnjë e më shumë të moshuar po udhëtojnë. Të moshuarit e sotëm ishin të rinjtë e 30 viteve më parë që nisën të udhëtonin”.
Si Evropa ashtu edhe BE-ja perceptohen më shumë me vlerën e tyre kulturore-historike sesa me atë institucionale, zbuluan ata që punuan në terren për projektin.
“Hulumtimi që kemi bërë për projektin tonë mbi identitetet bashkëkohore kombëtare dhe evropiane tregon pikërisht se - Evropa dhe BE-ja janë kryesisht të përziera në idetë e njerëzve dhe nga ana tjetër - nuk janë aq të identifikuara me institucionet evropiane. Zgjedhjet evropiane po afrojnë dhe po themi se pjesëmarrja në votime përsëri do të jetë e ulët pikërisht për këtë arsye - sepse shumë shpesh në këtë sondazh kemi dëgjuar: "ne kemi qenë gjithmonë pjesë e Evropës", domethënë ka një përzierje midis idesë gjeografike, historike, kulturore për Evropën. Nuk do të thosha se Evropa ndihet larg për bullgarin modern, pavarësisht brezit të tij”, shton Julia Popçeva.
Intervistë: Jana Bojanova
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Foto:Instituti i Etnologjisë dhe Folklorit pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, Jana Bojanova, BTA
Nga raporti i Këshillit të Ministrave për zbatimin е "Strategjisë Kombëtare të Përditësuar për Zhvillimin Demografik të Popullsisë në Republikën e Bullgarisë" në vitin 2023 del qartë se për herë të parë në 38 vjet në Bullgari raporti ndërmjet rritjes..
Pak ditë më parë në Bllagoevgrad u pikturua një grafiti-mural shumëngjyrësh i krijuar në lidhje me 20-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Vepra e artit të rrugës u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë,..
Takime me autorë, botues dhe përkthyes të librave ortodoksë të viteve të fundit ofron programi i Javës së Librit Ortodoks. Ajo mbahet në kishën “Shën Prokopij i Varnës”, me takime çdo mbrëmje në orën 17.00. Një vëmendje e veçantë i kushtohet..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës..
Me iniciativën e Kishës Ortodokse Bullgare, më 30 shtator dhe 1 tetor të vitit 1998, në Sofje u mblodh një Tubim Panortodoks për të ndihmuar kapërcimin..