Çdo vit, më 25 Mars, Kisha shënon një nga festat e saj më të ndritshme – Ungjillëzimi i Hyjlindëses. I shënuar nga lajmi i mirë i ngjizjes së papërlyer, ai personifikon mëshirën e pafund të Zotit për njerëzit dhe veçanërisht për gruan nënë, të bekuar për të mbajtur jetën e re. Më e pastra ndër virgjëreshat u zgjodh për të lindur Jezu Krishtin, i cili do t'i kthejë fëmijët e dashur të Perëndisë në Mbretërinë e Qiellit. Me ngjizjen e papërlyer të Virgjëreshës Mari, me hirin e Zotit, shenjtërohet barku i saj, si dhe e gjithë natyra femërore. Si festë e Shën Mërisë, Ungjillëzimi është Dita e Nënës, e ngritur në një piedestal të lartë në sytë e njerëzve dhe vetë Krijuesit.
“Ungjillëzimi është një nga festat e mëdha të kishës sonë ortodokse, kushtuar Nënës së Bekuar të Zotit, e cila është modeli i të gjitha nënave të krishtera”, thotë teologia dhe autore e letërsisë së krishterë Aleksandra Karamihaleva në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë:
"Kjo është për të gjithë ne, një festë e shpresës së justifikuar që Shpëtimtari ynë i premtuar pas Rënies do të lindë në mish dhe do të shlyejë fajin e racës njerëzore. Rruga jonë për në Parajsë, për në Mbretërinë e Perëndisë do të jetë përsëri e hapur për të gjithë ndjekësit besnikë të Krishtit Shpëtimtar. Këtu, ndoshta, është vendi për të vënë në dukje se mëmësia nuk ishte pjesë e planeve të Virgjëreshës së Bekuar, e cila që në fëmijërinë e saj të hershme iu përkushtua Zotit dhe bëri një betim se do t'i shërbente Zotit në virgjëri gjatë gjithë jetës së saj. Mirëpo, pa asnjë hezitim, ajo iu përgjigj lajmit të mirë të Shën Kryeengjëllit Gabriel: "Ja shërbëtorja e Zotit. U bëftë tek unë sipas fjalës sate!".
Në kohën tonë, vështirë se mund ta imagjinojmë një përulësi të tillë pa shembullin e dhënë nga Virgjëresha e Bekuar. Ajo e pranon thirrjen e Zotit pa asnjë hezitim, pa frikë apo dyshim. “Jeta e secilit prej nesh, me sprovat dhe gëzimet e saj, është një seri e vazhdueshme Lajmërimesh, në të cilat Zoti në një mënyrë apo në një tjetër shpreh vullnetin e tij të mirë dhe pret përgjigje nga ne”, vëren Aleksandra Karamihaleva dhe shton se Zoti zbulon vullnetin e tij nëpërmjet detyrave tona të përditshme dhe rasteve të vazhdueshme për të vepruar sipas udhëzimeve ungjillore. Këto janë gëzimet, rrethanat e dhimbshme, sprovat e rënda, nevojat e atyre që na rrethojnë, si dhe tundimet që vijnë nga ata përreth nesh.
“Dhe në praktikë, thelbi i krishterimit është pikërisht ky, të jemi të mençur në të gjitha rastet kur Zoti na thërret të dëshmojmë besimin tonë. Të përgjigjemi me këtë përulësi të Virgjëreshës së Bekuar: “U bëftë tek unë sipas fjalës sate”. Në këtë ditë, në festën e Ungjillëzimit, është e përshtatshme që secili prej nesh të pyesë veten para ndërgjegjes se sa jemi në gjendje të përgjigjemi me “U bëftë tek unë sipas fjalës sate”, në rastet kur vullneti i Zotit nuk përputhet me planet tona. Kur përballemi me diçka të pashpjegueshme nga ana njerëzore, të pazgjidhshme ose absurde, në një situatë jashtëzakonisht të ndërlikuar, kur rreziqet duket se përgjojnë rreth nesh ose kur ndjejmë se jeta jonë po kthehet 180 gradë - të kuptojmë se sa i fortë është besimi ynë te Zoti, në planin e mirë të Zotit për ne, në dashurinë dhe mëshirën e Zotit. Atëherë shihet se sa e fortë është vendosmëria jonë për t'ia dhënë veten tonë, gjithë jetën Krishtit Perëndisë, siç premtojmë në çdo liturgji."
Pikërisht në vështirësitë, qofshin ato personale apo sprovat me të cilat përballemi si shoqëri, besimi ynë te Zoti duket se forcohet dhe bëhet më i fuqishëm, përfundon Aleksandra Karamihaleva dhe shton: "Besimi është në nevojën tonë për mbështetje, për fuqinë e Zotit, dhe është thënë - në dobësinë tonë tregohet fuqia e Zotit!"
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Svetllana Dimitrova
Nga raporti i Këshillit të Ministrave për zbatimin е "Strategjisë Kombëtare të Përditësuar për Zhvillimin Demografik të Popullsisë në Republikën e Bullgarisë" në vitin 2023 del qartë se për herë të parë në 38 vjet në Bullgari raporti ndërmjet rritjes..
Pak ditë më parë në Bllagoevgrad u pikturua një grafiti-mural shumëngjyrësh i krijuar në lidhje me 20-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Vepra e artit të rrugës u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë,..
Takime me autorë, botues dhe përkthyes të librave ortodoksë të viteve të fundit ofron programi i Javës së Librit Ortodoks. Ajo mbahet në kishën “Shën Prokopij i Varnës”, me takime çdo mbrëmje në orën 17.00. Një vëmendje e veçantë i kushtohet..