Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Biznesi i pakënaqur me pranimin e Bullgarisë në Shengen vetëm nga ajri dhe uji

Vetëm 8 për qind e eksporteve bullgare në BE janë nga uji dhe ajri, dhe pjesa tjetër nga toka, kryesisht nëpërmjet transportit automobilistik.
Foto: EPA/BGNES

Vendimi i Komisionit Evropian për hyrjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen në fund të marsit 2024, shkaktoi reagime të ashpra në vendin tonë. Presidenti Rumen Radev tha se po hyjmë në vitin 2024 me ndjenja të përziera dhe zgjidhje gjysmake – gjysmë kushtetutë, gjysmë Shengen, gjysmë të vërteta, gjysmë buxhet, gjysmë reforma, gjysmë qeverisje. Edhe bizneset në vend nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre, madje pati thirrje nga Shoqata e Kapitaleve Industriale për bojkot të iniciativave dhe mallrave austriake në territorin e Bullgarisë. Kryeministri Nikolaj Denkov dha një garanci se bisedimet me Austrinë për heqjen e kufizimeve dhe kufijve tokësorë po vazhdojnë.

Unioni i Transportuesve Ndërkombëtarë pret që Bullgaria të negociojë anëtarësimin tonë në Shengen dhe në rrugë tokësore këtë vit, pasi situata aktuale nuk ndihmon biznesin dhe ekonominë në përgjithësi.

Jordan Arabaxhiev

“Rreth 8% e eksporteve bullgare me vendet e Bashkimit Evropian janë nga deti, lumi dhe ajri, ndërsa pjesa e mbetur prej 92% janë nga toka. Kryesisht me transport rrugor dhe më pak me transport hekurudhor. Domethënë, në asnjë mënyrë nuk e ndihmon biznesin, ekonominë dhe sektorin e transportit në veçanti. Ne prej vitesh po alarmojmë se çdo vit transportuesit bullgarë humbasin nga 100 deri në 150 milionë euro vetëm nga pritja në kufirin tonë me Rumaninë, por, për fat të keq, ne nuk mund të raportojmë sukses në këtë drejtim," – tha për BNR Jordan Arabaxhiev, drejtor ekzekutiv i Unionit të Transportuesve Ndërkombëtarë në Bullgari.

Komiteti Evropian Ekonomik dhe Social, një organ këshillimor i BE-së, në të cilin marrin pjesë punëdhënës, sindikalistë dhe përfaqësues të organizatave sociale, ekonomike dhe kulturore nga vendet anëtare, miratoi një rezolutë në mes të dhjetorit të këtij viti, e cila i bën thirrje BE-së për të përshpejtuar procedurën për pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen.

Sipas Vasill Velev, kryetar i Shoqatës së Kapitalit Industrial në Bullgari, anëtarësimi i Bullgarisë në Shengen, në Eurozonë dhe në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OBEZH) janë prioritete për punëdhënësit dhe organizatat e biznesit. Kishte pritshmëri dhe shpresa serioze që një anëtarësim do të bëhej në 2023, tjetri në 2025 dhe në 2026 edhe në OBEZH.

Vasill Velev

"Kjo që ka ndodhur deri tani është një zhgënjim i madh. Nëse marrim informacion nga spedicionet, në fakt 3% e dërgesave janë me rrugë ajrore dhe me ujë, 97 janë me rrugë tokësore, pra si lëvizje e lirë e mallrave, përfitimi shkon në zero".

Në një intervistë televizive, Velev bëri thirrje për bojkotimin e mallrave, dyqaneve dhe karburanteve austriake në territorin e Bullgarisë për shkak të vetos austriake për anëtarësimin tonë të plotë. Sipas tij, transporti tranzit austriak duhet të kontrollohet vazhdimisht, siç ndodh me tonin.

Pavarësisht heqjes së kontrolleve të pasaportave në aeroporte, gjë që ngadalëson seriozisht udhëtarët që përdorin mënyra të shumta transporti për të arritur në destinacionin e tyre, kontrollet kufitare tokësore do të vazhdojnë të shkaktojnë shqetësime edhe për industrinë e turizmit.

“Shpresoj që pas festave dhe para fillimit të sezonit veror të këtij viti, do të fillohet të mendohet që Ministria e Turizmit t‘i drejtohet me një kërkesë Policisë Kufitare që të krijojë korridore të posaçme për shtetasit e BE-së për të ndihmuar transportin me autobus për të shkurtuar qëndrimin në kufi, derisa të hyjmë në zonën Shengen dhe me rrugë tokësore” – thotë kryetarja e “Bashkim E Ardhmja e Turizmit” Pavlina Ilieva.

Pavlina Ilieva

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Ekonomisë, Milen Keremedçiev, arsyen pse nuk ka datë për hyrjen tonë tokësore në Shengen, e sheh në krizën e emigrantëve, që shqetëson vendet e tjera anëtare:

“Ka një valë shqetësimi mes votuesve evropianë për rritjen e presionit të emigrantëve. E pamë në zgjedhjet e kaluara në Sllovaki, Holandë dhe çështja do të mbetet e rëndësishme për zgjedhjet e ardhshme në mbarë botën. Çështja e emigrantëve do të jetë një temë kryesore që qeveritë evropiane do të duhet të trajtojnë. Një qeveri që nuk e bën këtë do të marrë një shuplakë shumë të fortë nga votuesit - thekson Keremedçiev. Kjo tregon se votuesit janë mjaft skeptikë për trajtimin e krizës së emigrantëve, ndërsa vendet kufitare të BE-së – Bullgaria dhe Rumania, mbeten në shënjestrën e disa politikanëve evropianë”.

Milen Keremedçiev

Fotot: EPA/BGNES, BTA, Ivan Rusllanov - BNR

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

Modeli i subvencionimit të BE-së shtrembëron prodhimin bujqësor në vend

Në 15 vjet - nga 2005 deri në 2020, 75% e ekonomive bujqësore në vend janë zhdukur . Zvogëlimi është nga 500 000 në vitin 2005 në 132 000 deri në vitin 2020, njoftoi Prof. Dr. Bozhidar Ivanov - drejtor i Institutit të Ekonomisë Agrare, në kuadër..

botuar më 24-10-31 10.50.PD

Inflacioni çon në qarkullim dhe kërkesë më të lartë të kartëmonedhave të reja 100 dhe 50 leva

Vetëm për 9 muajt e parë të vitit 2024, Banka Kombëtare Bullgare nxori në qarkullim në vend rreth 11 milionë kartëmonedha të reja nga 100 leva. Nëse në fillim të vitit kishte më shumë se 131 milionë monedha në qarkullim, në fund të shtatorit ato ishin..

botuar më 24-10-30 10.56.PD

Tregu i pasurive të paluajtshme ngriu

Tregu i pasurive të paluajtshme në Bullgari “ngriu” në nivelet e vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme, të cituara nga BTA, përjashtim bëjnë qytetet e mëdha, ku ka një rritje të numrit të transaksioneve...

botuar më 24-10-28 9.07.PD