Viti 2024 filloi me ndryshime të shumta në lidhje me të ardhurat e qytetarëve bullgarë. Paga minimale tani është 933 leva (477.04 EUR). Rritja krahasuar me vitin e kaluar është 19.6%, ose me 153 leva (78.23 EUR). Paga minimale për orë është 5.58 leva (2.85 EUR) Të ardhurat minimale të sigurimit për punëtorët e vetësiguruar janë rritur deri në shumën e pagës minimale dhe maksimumi është rritur nga 3 400 leva (1 738.39 EUR) në 3 750 leva (1 917.34 EUR). Kufiri i varfërisë tani është 526 leva (268,94 euro), d.m.th. një rritje prej 4,4% krahasuar me vitin 2023. Shuma maksimale ditore e kompensimit në para për papunësinë është rritur nga 85.71 leva (43.82 EUR) në 107.14 leva (54.78 EUR). Përfitimi minimal i papunësisë mbetet i pandryshuar - 18 leva (9.2 EUR). Rritja e pagës minimale paraqet disa rreziqe që lidhen me pushimet nga puna në rajonet më të varfra të vendit, thonë analistët.
“Sigurisht, kur kostot për sipërmarrësit rriten, qoftë nga çmimi më i lartë i energjisë elektrike, siç ishte vitin e kaluar, apo siç është tani - nga rritja e kostove të stafit, kjo ushtron presion në një mjedis sfidues dhe një ekonomi evropiane, për të cilën një pjesë e madhe e biznesit tonë operon, veçanërisht industria - shpjegoi ekonomisti Petër Ganev në një intervistë për BNR-Vidin. - Ne e dimë se ka pasur një prapambetje të pagave minimale, disi të provokuara nga mungesa e buxhetit dhe stabilitetit ekonomik, kështu që do të të jetë e vështirë për sipërmarrësit dhe ata do të duhet të kërkojnë zgjidhje, por ky është mjedisi i zakonshëm në të cilin ata veprojnë."
Sipas tij, inflacioni, i cili aktualisht është rreth 5-6%, do të vazhdojë të bjerë, por nuk do të zhduket plotësisht.
“Po hyjmë në një vit tjetër sfidash globale gjeopolitike dhe politike të brendshme dhe nuk pres që viti 2024 të jetë një vit qetësie, rritjeje dhe stabiliteti, siç kemi pasur në vitet para pandemisë Covid-19. Megjithatë, për sa i përket anës së të ardhurave në familje dhe perspektivës së buxhetit të shtetit, gjërat duken më mirë se dy vitet e fundit, kur filluam pa buxhet të miratuar”.
Ekonomisti Stojan Pançev nga ana tjetër nuk është dakord.
"Të ardhurat po e arrijnë inflacionin sepse nëse të ardhurat tuaja nuk janë rritur me 30% që nga viti 2021, vlera reale e parave tuaja ka rënë dhe ju jeni më të varfër pa u ulur paga juaj nominale në realitet."
Sipas të dhënave të Eurostat, të publikuara në prag të vitit 2024, bullgarët tashmë arrijnë 62% të fuqisë blerëse të evropianëve. Megjithatë, sipas Pançevit, kjo mund të jetë për shkak të inflacionit të lartë në BE dhe në Eurozonë:
"Unë pres që kjo normë e rritjes së shpejtë të të ardhurave të ngadalësohet thjesht sepse rritja e çmimeve po ngadalësohet gjithashtu. Në shumë sektorë të shtetit kemi aktualizime pothuajse automatike të pagave. Kjo do të thotë se për ata që punojnë, efekti i inflacionit është më i ulët, megjithëse kishte grupe të veçanta nga sektori publik që protestuan - punonjës të Institutit Kombëtar të Statistikave, punonjës të kulturës që nuk morën këtë lloj indeksimi dhe rrjedhimisht, të ardhurat e tyre mbetën seriozisht prapa - kujton ekonomisti. - Sektori privat në 2 vitet e fundit ishte përpara nga pikëpamja e rimëkëmbjes nga inflacioni sipas statistikave, por ka edhe disa sektorë ku do të ketë vështirësi”.
Cilat janë pritshmëritë në lidhje me ndikimin e inflacionit mbi të ardhurat, komentojnë edhe qytetarët. Midis tyre është Dimitër Iliev - pronar i një dyqani të vogël veshjesh në Vidin:
“Sistemi është llogaritur që gjërat të jenë afërsisht njësoj. Rritet paga minimale, por rriten edhe sigurimet, ka një inflacion të heshtur, të fshehur që anulon rritjet dhe në përgjithësi mendoj se nuk do të ketë ndryshim thelbësor- shpjegon Iliev. - Nga ana tjetër, një vend varet shumë nga ajo me çfarë krahasohet. Nëse e krahasojmë veten me vendet më të pasura, nuk jemi mirë. Nëse e krahasojmë veten me vendet e varfra në Afrikë dhe Azi, jemi super. Me fqinjët tanë, niveli është pak a shumë i njëjtë."
Qytetarët e kanë të vështirë të parashikojnë se si do të zhvillohet fuqia blerëse e tyre këtë vit – tregon një sondazh mes banorëve të Vidinit. Disa janë optimistë, duke vërejtur pauzën momentale të rritjes së çmimeve, të tjerë presin një rritje të inflacionit, i cili do të “përpijë” rritjen e shpërblimeve.
Foto: BGNESPërgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Punëdhënësit po kundërshtojnë në gjykatë rritjen e pagës minimale. Asociacioni i Kapitalit Industrial në Bullgari njoftoi se paraqitën një ankesë në Gjykatën e Lartë Administrative. Rreth 430 000 njerëz në vend marrin pagën minimale. Ka dy arsye për..
Nëse kriza politike vazhdon, përfitimet e humbura do të arrijnë një prag nga i cili biznesi bullgar në mënyrë të pakthyeshme do të fillojë të humbasë aftësinë konkurruese për shkak të deficiteve në rritje në arsim, kujdesin shëndetësor,..
Ne po shkojmë drejt opsionit që të mos kemi një buxhet të miratuar shpejt për vitin 2025, tha për BNR Llëçezar Bogdanov, kryeekonomist nga Instituti për Ekonominë e Tregut. Gjatë prezantimit të opsionit alternativ të institutit për buxhetin e shtetit,..
Ka lëvizje në ekonomi në çdo rajon të Bullgarisë, pasojat e krizës së Covid-it janë kapërcyer, turizmi është rikuperuar plotësisht, gjë që është e dukshme..