Grekët do të mund të votojnë edhe me postë
Qeveria greke ka marrë një vendim sipas të cilit grekët brenda dhe jashtë vendit do të mund të votojnë me postë. Lajmin për këtë e ka bërë të ditur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, cituar nga televizioni shtetëror grek ERT, transmeton BTA. Opsioni hyn në fuqi qysh në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian në vitin 2024. “Me futjen e votimit me postë për herë të parë në historinë e vendit tonë, hiqen të gjitha pengesat për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor për të gjithë grekët që kanë të drejtën e votës, pavarësisht se ku jetojnë dhe ku janë ditën e zgjedhjeve evropiane - në Greqi apo jashtë saj”, komentoi ministrja e brendshme Niki Kerameos. Grekët që jetojnë jashtë vendit do të votojnë vetëm me postë dhe nuk do të krijohen qendra votimi, ndërsa grekët në vend do të mund të zgjedhin mes votimit me postë dhe vizitës në një qendër votimi.
Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq: Tre të katërtat e vendeve anëtare të BE-së nuk do ta kalonin testin tani
Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, Serbisë - Ivica Daçiq, Bosnje dhe Hercegovinës - Elmedin Konakovic, Malit të Zi - Filip Ivanoviç dhe Shqipërisë - Igli Hasani, nënshkruan një qëndrim të përbashkët për luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, raporton BGNES. Kjo ndodhi në margjinat e Samitit të 30-të Ministror të OSBE-së në Shkup. Konakoviç tha se forcimi i bashkëpunimit rajonal është vendimtar në luftën kundër korrupsionit. “Nëse tani të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të duhej të kalonin atë që ne të gjithë këtu kalojmë për të hyrë në union, tre të katërtat e vendeve nuk do ta kalonin testin”, tha ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, cituar nga agjencia maqedonase e lajmeve MIA. Sipas tij, korrupsioni ekziston aty ku ka para, pushtet dhe ndikim dhe ku korrupsioni imponohet në formën e ligjit. “Marrja e komisionit në Perëndim është e ligjshme, por këtu është korrupsion”, theksoi Daçiq.
Maqedonia e Veriut dhe Hungaria do të kundërshtojnë taksën bullgare për gazin rus
Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe të Hungarisë do të veprojnë së bashku për të hequr taksën për gazin rus të vendosur nga Bullgaria më 13 tetor, për të garantuar sigurinë energjetike të të dy vendeve dhe sigurinë e furnizimit me gaz. Për këtë u dakordësuan në Shkup ministri i ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi dhe ai i punëve të jashtme të Hungarisë, Péter Szijjártó, njoftoi Ministria e Ekonomisë e Maqedonisë së Veriut. Dy ministrat e përkufizuan tarifën si "të paligjshme" dhe futjen e saj si një "akt armiqësor", njoftoi BTA.
Qiproja me masa për të promovuar prodhimin e saj bujqësor
Qiproja po prezanton një markë tregtare për produktet e saj bujqësore për të inkurajuar prodhimet vendase dhe për ta promovuar atë në turizmin e kuzhinës. Marka e re plotëson përpjekjet e ishullit për të ruajtur ushqimet tradicionale qipriote nëpërmjet regjistrimit të tyre evropian. Besohet se marka e re do të mbështesë më tej rajonet qipriote, do të nxjerrë në pah cilësinë e lartë dhe traditat e industrisë ushqimore vendase, do të pasurojë dhe promovojë produktin turistik të Qipros. Aktualisht, vendi ka 3 produkte me “emërtim të origjinës së mbrojtur” në BE, një prej të cilave është djathi tradicional “halloumi”. Informacioni vjen nga korrespondentja e BNR në Qipro, Branisllava Bobanac.
Një pemë e madhe e Krishtlindjeve dhe zejtarë nga e gjithë Rumania përballë Parlamentit në Bukuresht
Një pemë e Krishtlindjeve 30 metra e lartë shkëlqen në Sheshin e Kushtetutës përballë Parlamentit në Bukuresht. Rreth saj u organizua tregu më i madh i Krishtlindjeve në Rumani. Në mbi 130 dyqanet e “Qytetit të Krishtlindjeve”, janë ftuar zejtarë nga i gjithë vendi, krijues autentikë dhe prodhues vendas, të cilët prezantojnë artin dhe traditat e tyre, raporton BNT. Adhuruesit e argëtimit romantik mund të ngasin një rrotë Ferris, një karusel ose një slitë rul.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Foto: BGNES , Facebook/ Bujar Osmani, Facebook /Szijjártó Péter, Pexels, euronews.ro
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut: Nuk do të devijojmë nga anëtarësimi në BE, por nuk do të pastrojmë këpucë Duke vlerësuar 100 ditët e para të kabinetit të tij, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski raportoi se qeveria ia ka..
Për momentin nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për vendin tonë nga përkeqësimi i mprehtë i mjedisit të sigurisë në Lindjen e Mesme - këtë konkluzion të mbledhjes tre orëshe të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare ua bëri të ditur..
Me dy fluturime të Airbus-it qeveritar brenda dy ditësh, shteti bullgar arriti të evakuojë 169 bullgarë dhe anëtarë të familjeve të tyre që u kthyen në shtëpi nga Libani pas përshkallëzimit të tensioneve atje. 80 bullgarë të tjerë u evakuuan me..