Ajo është inxhiniere, jeton në Kozlloduj dhe i pëlqen të udhëtojë. Por kur ajo i tregon të shoqit se ka ndërmend të vizitonjë Sirinë, ai nuk ra dakort që ai ose vajza e tyre ta shoqëronin. Megjithatë, kjo nuk e pengon të realizojë ëndrrën e saj të vjetër. Për një muaj e gjysmë, Allbena Roshkova bën kërkime, arrin të kontaktojë një agjenci turistike lokale, kapërcen pengesat burokratike, përgatit me përpikëri çdo detaj të vogël të udhëtimit dhe një ditë të bukur tetori shkel për herë të parë në tokën siriane. Ajo pritet nga Bashar - një përfaqësues i agjencisë së udhëtimit që e shoqëron gjatë aventurës së saj marramendëse 10-ditore nëpër Siri. Pas luftës shkatërruese 8-vjeçare, vendi po hap gradualisht dyert që e lidhin me botën dhe po rikthen turizmin e tij - thotë bullgarja.
“Gjëja e parë që më ra në sy ishte se ata po rindërtonin rrugët e tyre pas luftës. Ato janë në gjendje shumë të mirë sidomos autostradat. Populli na priti me shumë ngrohtësi. U gëzuan shumë kur panë turistë, na njohën nga larg. Të gjithë ndalonin për të folur me ne. Disa nga të moshuarit e kishin vizituar Bullgarinë dhe thoshin "Kam qenë në Sofje", ose në Plovdiv, ose në Burgas... Ata ishin të gëzuar që po shikonin bullgarë në tokën e tyre. Për momentin po bëhet gjithçka për të rindërtuar vendin pas luftës dhe tërmetit. Pavarësisht shkallës së lartë të inflacionit dhe krizës ekonomike, unë pashë shpresë tek njerëzit. Në qytetin e Homsit, një djalë më tha me një anglishte të përsosur: "Unë nuk dua të largohem nga vendi im, por do të studioj jashtë vendit për të marrë një arsim cilësor dhe do të kthehem për të ndihmuar në rindërtimin e tij". Aty njerëzit dridhen dhe luten që lufta në rajon të mos përhapet. Ata duan që të merret një vendim kardinal dhe të përfundojë ky konflikt, që të mos ketë luftë, sepse e kanë jetuar dhe nuk duan të ndodhë më”, thotë Allbena.
Gjatë udhëtimit të saj, bullgarja arrin të shohë fytyrën e vërtetë të Sirisë, takon shpirtra binjakë, bie në dashuri me kuzhinën vendase dhe viziton disa nga monumentet më emblematike të përfshira në listën e UNESCO-s. Disa prej tyre janë shkatërruar nga Shteti Islamik:
"Ne pamë atë që kishte mbetur nga harku i triumfit i Palmirës dhe tempulli i Belit. Por Palmira është një qytet i madh antik dhe ka shumë për të parë, siç është Amfiteatri, i cili ka mbetur i paprekur”, thotë Allbena.
Ajo vizitoi Ugaritin e lashtë, ku u zbuluan gjurmët e para të shkrimit dhe pentagrami muzikor, ecën midis rrënojave të Kështjellës së Alepos, të shkatërruar nga tërmeti, e cila aktualisht është duke u restauruar.
“Ne vizituam, sado e çuditshme të tingëllojë, më shumë se 20 kisha dhe vetëm një xhami. Kjo është Xhamia Omajade (Emevi) - xhamia qendrore e Damaskut. Dhe në të është tempulli i Gjon Pagëzorit. Besohet se aty mbahet koka e shenjtorit. Kjo është e vetmja xhami në të cilën ka hyrë Papa”, tha Allbena. Dhe pranon se në kishën ortodokse “Shën Takla" e Maaluya - qyteti me komunitetin më të madh të krishterë - një ndodhi "i theu zemrën".
“Kishte kaluar orari i punës, ndërsa unë doja shumë të blija ikona për të dashurit e mi pikërisht nga kjo kishë. Por gruaja që mban çelësin e dyqanit është e moshuar dhe nuk i pëlqen të shqetësohet. Kështu që Bashari kërkoi një nga murgeshat që të na ndihmonte. Kjo grua na çoi në dhomën e saj, nxori ikonën e saj personale, të vetmen që kishte, e cila daton në vitin 1736 dhe ma ofroi si dhuratë sepse nuk kishte çfarë të bënte tjetër, gjë që më preku tmerrësisht. Unë qava, sigurisht nuk e pranova dhuratën, por i premtova se do të kthehesha me familjen gjatë orarit të punës për të blerë ikona. Këta janë njerëz që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për ty”, e mbyll në këtë mënyrë tregimin e saj Allbena Roshkova.
Foto: Allbena Roshkova
Përktheu në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Një pemë e Krishtlindjeve me dekorime bullgare është vendosur në një vend qendror në Muzeun e Industrisë në Çikago. Për të pestin vit radhazi, bashkatdhetarët nga qyteti amerikan bënë dekorimin luksoz të pemës bullgare të Krishtlindjes me mbi 30 mijë drita..
Në vitin 2023 në Shqipëri u zhvillua regjistrimi i parë i popullsisë pas njohjes zyrtare të pakicës kombëtare bullgare në vitin 2017, sipas të cilit 7057 persona janë vetëdeklaruar bullgarë. Në Shqipëri ka mbi 7 mijë bullgarë “Dy javë më parë,..
Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, objektet mjekësore në qytete të ndryshme të Bullgarisë organizojnë konsultime falas për personat me diabet dhe në rrezik të sëmundjes. Sipas të dhënave të Shoqatës Bullgare të Endokrinologjisë, çdo i treti bullgar në..
Shteti ynë bëhet vendi i parë në BE që ka inteligjencë artificiale në një nivel të lartë teknologjik në gjuhën e tij, krijuar nga një organizatë..
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës..