Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Tema nga radio rrjeti evropian "Euranet Plus":

Věra Jourová: Krizat rrisin besimin në BE

Věra Jourová
Foto: ЕPA/BGNES

Dy krizat që goditën Evropën - Covid-19 dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës - kanë rritur besimin në Bashkimin Evropian. Kështu ka deklaruar nënkryetarja e Komisionit Evropian, Věra Jourová, gjatë një takimi të veçantë me mediat evropiane, të organizuar nga projekti Euranet Plus. U prekën tema të rëndësishme për BE-në, si shpërndarja e fondeve evropiane, Shengen, masat kundër dezinformatave në rrjetet sociale.

Sipas Jourová, krizat i bëjnë evropianët të kuptojnë përfitimet e anëtarësimit në Komunitet. Pyetjes së një gazetari nga Estonia, ajo iu përgjigj kështu:

"Është fakt se gjatë COVID njerëzit nuk vunë re asnjë pengesë për tregun e përbashkët dhe zinxhirët e furnizimit nuk u ndërprenë. Kjo nuk ndodhi automatikisht. Ishte rezultat i punës së palodhur të shumë njerëzve që punonin në institucionet e BE-së. Lufta ruse, agresioni rus kundër Ukrainës dhe kriza energjetike - shumë, shumë gjëra kanë të bëjnë me të. Unë mendoj se njerëzit e kuptuan këtë, veçanërisht ata që jetojnë në vendet tona. Ju jeni nga Estonia, apo jo? Njerëzit në këtë pjesë të Evropës e kuptuan që nëse nuk do të ishim në BE dhe NATO, oreksi imperialist i Putinit do të donte të na gëlltiste përsëri. Ne jemi kafshata shumë të mëdha tani. Kështu që mendoj se këto dy kriza u treguan qartë njerëzve se pse duhet të vlerësojnë BE-në”.

Hungaria dhe Polonia janë dy vendet e BE-së me miliarda euro fonde të bllokuara për shkak të akuzave për minimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. KE pret përparim të vërtetë dhe reforma për të liruar fonde për të dy vendet, theksoi Jourová:


"Ne i përcaktojmë kriteret dhe kushtet për paratë e rimëkëmbjes sipas rekomandimeve specifike të vendit. Nuk ishte befasi as për Poloninë dhe as për Hungarinë që ato ishin kryesisht në fushën e gjyqësorit dhe të mbrojtjes së financimit të BE-së. Sa u përket rezultateve - Varshava miratoi një ligj në parlament, i cili kishte mundësi të zgjidhte jo të gjitha problemet në sistemin gjyqësor, por të paktën disa prej tyre. Tani për shkak të kërkesës së Presidentit Duda, ky ligj është në Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet të marrë vendimin, pastaj mund ta shqyrtojmë përsëri mundësinë për t'i dhënë para Polonisë.


Situata është e ngjashme edhe në Hungari, e cila gjithashtu po bën reforma në gjyqësorin e saj. Ne e monitorojmë procesin dhe kemi diskutime shumë intensive me Hungarinë – ne shpjegojmë se çfarë po kërkojmë, dhe Budapesti - çfarë bën dhe si do të funksionojë në praktikë. Nëse ndryshimi do të jetë vetëm në letër, apo mund të presim një ndryshim të vërtetë - bisedimet po vazhdojnë. Pasi të përfundojë ky proces, ne mund të sigurojmë financimin.”

Sipas zv. presidentit të KE-së, presioni kryesor për mbrojtjen e fondeve evropiane ka ardhur nga taksapaguesit dhe bizneset:

"Na thonë se është mjaft e vështirë të bësh biznes në një vend ku nuk mund të mbështetesh në pavarësinë e gjyqësorit. Ne vetë jemi nën një presion të madh dhe është detyra jonë të mbrojmë paratë e taksapaguesve evropianë. Kjo është arsyeja se pse e kemi pasuruar instrumentin tonë me këtë presion financiar.”

Věra Jourová e quajti dezinformimin në rrjetet sociale si një problem serioz në kontekstin e krizës në Lindjen e Mesme dhe luftës në Ukrainë.

Ajo deklaroi se platforma "X", deri vonë "Twitter", duhet të jetë në përputhje me legjislacionin evropian dhe të kufizojë përmbajtjen ilegale në rrjetin social. Shkasi është një hetim i BE-së se si platforma shfaq përmbajtje grafike të paligjshme dhe dezinformata në lidhje me sulmin e “Hamasit” kundër Izraelit.

Platforma madje njoftoi se po aplikon eksperimentalisht një abonim me pagesë në dy vende. "X" do t'i tarifojë përdoruesit e vet të rinj në Zelandën e Re dhe Filipine me 1 dollar në vit. Zyrtarisht, arsyeja është parandalimi i regjistrimit të profileve false dhe robotëve që përhapin spam dhe dezinformata. Qëndrimi i Brukselit:


“Së pari ky është një vendim biznesi i ‘X’, i zotit Musk. Kështu që unë nuk jam këtu për të gjykuar vendimet e tij për mënyrën se si ai punon në treg. Megjithatë, nuk jam e sigurt se nëse shërbimi paguhet kjo do ta ndikojë intensitetin e dezinformatave. Çfarë do të thotë kjo? Le të mendojmë për këtë.

Nëse njerëzit paguajnë për rrjetin social, atëherë ata do të mund të thonë më fortë se nuk duan të rrethohen nga gjuhë urrejtjeje, përmbajtje manipuluese, mesazhe që kanë potencial për të radikalizuar njerëzit, apo dezinformata klasike. Nuk e di, ndoshta. Ne sigurisht do të monitorojmë hapësirën, pa rëndësi nëse paguhet apo jo. “X” do të duhet të respektojë rregullat e reja europiane.

Rrjeti social i Elon Musk, i cili përdoret nga më shumë se 100 milionë evropianë në Komunitet, u tërhoq nga një marrëveshje vullnetare me BE-në për të luftuar dezinformimin në internet. Ajo përfshinte ndjekjen e reklamave politike, ndalimin e lajmeve të rreme dhe të punës me kontrollues faktesh.


Megjithatë, që nga gushti, lufta kundër dezinformimit është bërë një detyrim ligjor sipas ligjit të BE-së për shërbimet digjitale. Ai kërkon që kompanitë të monitorojnë platformat e tyre për përmbajtje të dëmshme dhe të zbatojnë protokolle për të bllokuar përhapjen e materialeve të rrezikshme.

Probleme ka jo vetëm me rrjetet sociale – të ashtuquajturat media alternative, por edhe me ato tradicionale. Garantimi i pluralizmit dhe i lirisë së fjalës në Evropë - kjo është baza e krijimit të ligjit të parë evropian për lirinë e medias, miratimi i të cilit është tashmë në fazën përfundimtare:


“Me Ligjin për Lirinë e Medias, ne duam të rregullojmë mjedisin mediatik dhe të krijojmë kushte në të cilat gazetarët mund të kryejnë lirisht punën e tyre pa frikë, pa u spiunuar apo ndëshkuar nga shteti për moszbulimin e burimeve të tyre të informacionit. Ne duam gjithashtu që media të jetë më rezistente kur bëhet fjalë për presionin politik. Sa larg kemi arritur në drejtimin e miratimit të tij? Shpresoj që të kemi një trialog të mirë me shtetet anëtare dhe me Parlamentin. Megjithatë, ka ende disa tema për diskutim ku Parlamenti dhe shtetet anëtare kanë ide dhe pikëpamje shumë të ndryshme”.

Jourová konfirmoi edhe një herë qëndrimin e Komisionit Evropian në mbështetje të pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen dhe shprehu shpresën se kjo do të bëhet fakt deri në fund të vitit. Kujtojmë që Austria vuri veton ndaj pranimit të Sofjes dhe Bukureshtit në zonën pa kontroll kufitar me arsyetimin se tani nuk është koha për të zgjeruar Shengenin. Kundër pranimit të Bullgarisë është edhe Holanda:


“Sa për Shengenin, mendoj se është koha për të ftuar Rumaninë dhe Bullgarinë dhe se nuk duhet të presim më. Këshilla ime është të intensifikohen përpjekjet diplomatike për të bindur veçanërisht vendet anëtare që kanë disa dyshime.”

Me rastin e Konventës së Stambollit për të luftuar dhunën në familje dhe rezistencës së 6 vendeve të BE-së, përfshirë Bullgarinë, për ta ratifikuar atë, Jourová theksoi se mjeti i vetëm i Brukselit është dialogu me pjesët konservatore të këtyre shoqërive:

“Kam bërë shumë përpjekje kur isha në Bullgari, Kroaci dhe Sllovaki. Aty u takova me përfaqësues të kishës katolike dhe ortodokse. Nuk është shumë e zakonshme që komisionerët të kërkojnë drejtpërdrejt takime me klerikët, por me të vërtetë doja të dija se çfarë nuk shkonte. Pse kishat, të krishterët nuk duan të mbrojnë gratë dhe fëmijët? Ata e përkrahin familjen tradicionale siç përshkruhet në Bibël. Nuk kisha asgjë për të thënë, ky ishte një pozicion shumë i fortë dhe ishte e qartë, se ai do të vazhdojë të ndikojë në shoqëri edhe për disa kohë”.

Foto: ЕPA/BGNES, arkiv, Rojters

Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva

Ky material është përgatitur në kuadër të rrjetit radio evropian “Euranet Plus”. Mund ta dëgjoni atë me tingullin e tij origjinal në bullgarisht KËTU.



Последвайте ни и в Google News Showcase, за да научите най-важното от деня!

Më shumë nga rubrika

WWF - Bullgaria nis fushatën e donacioneve "Abonohu për natyrën"

Organizata për mbrojtjen e natyrës WWF - Bullgaria nis fushatën "Abonohu ​​për natyrën". Zhdukja e kafshëve të egra është një film me seri në të cilin ne luajmë rolin kryesor. Në më pak se një jetë njerëzore, 73% e vertebrorëve kanë humbur në natyrë...

botuar më 24-11-06 11.43.PD

Bullgarët e vetëshpallur në Maqedoninë e Veriut janë shumë më tepër se ata të regjistruar

Shpesh thuhet me ironi se njerëzit në Maqedoninë e Veriut marrin nënshtetësinë bullgare vetëm për qëllime egoiste. Prandaj, në regjistrimin e fundit zyrtar në shtetin fqinj u regjistruan vetëm 3504. Demografi Doc. Spas Tashev është i bindur se ky nuk..

botuar më 24-11-05 7.05.PD

Si do të ndikojë në BE rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA

Para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, jo vetëm amerikanët janë të emocionuar. Edhe evropianët po presin me frymë të lodhur rezultatet – a do të sillte vërtet një fitore për Kamala Harris zhvillimi i një politike të qëndrueshme, a është Europa gati..

botuar më 24-11-04 10.30.MD