Thonë se duhani më i mirë në Bullgari prodhohej në Rodopet Lindore, pikërisht në zonën e qytetit të Ardinos. Duhani ishte i varietetit më aromatik oriental dhe përdorej kryesisht për eksport jashtë vendit. Ai kërkohej nga prodhuesit kryesorë të cigareve në mbarë botën dhe nga magnatët e duhanit si Philip Morris. Tradita gati dyshekullore e kultivimit të duhanit në Bullgari do të hyjë në histori së shpejti. Për gati një dekadë, mjetet kryesore të jetesës së popullsisë në Ardino janë zëvendësuar me veprimtari të tjera dhe askush nuk mbjell më duhan në fusha. Vendasit ende tregojnë histori të lidhura me duhanin që nuk do të përsëriten kurrë. Për shembull, sesi vetëm me duhanin e një sezoni të korrur dhe të shitur, një kultivues i zakonshëm mund të blejë një shtëpi në qytetin e madh, etj. Duhani për ne do të thoshte liri – thotë një nga banorët e Ardinos. Sipas tij, njerëzit përcaktonin vetë se sa do të mbillnin dhe çfarë rendimentesh do të merrnin në fund të vitit.
Për të mos harruar këtë pjesë të historisë që lidhet me jetesën e zonës, në godinën e Muzeut Historik Komunal hapi dyert koleksioni i parë muzeor i dedikuar tërësisht prodhimit të duhanit.
Qyteti ka arsye të jetë krenar për këtë - në fillim të shekullit të 20-të, rajoni i Ardinos u bë një nga më të rëndësishmet për prodhimin e duhanit në zonën e Ksanthit. Në fillim të shekullit kishte dy magazina të mëdha ku përpunohej duhan dhe pas vitit 1944 u ndërtua një fabrikë e madhe. “Në koleksionin muzeor tregohet gjithashtu se rajoni i Ardinos është bërë lider në të gjithë rajonin e Kërxhalit për sa i përket prodhimit të duhanit”, thotë Taner Çobanov, kurator në Muzeun Komunal në Ardino:
Rritja e duhanit ishte punë skllavërie, njerëzit ngriheshin në agim të errët për të shkuar në fusha dhe për të mbledhur gjethet. Kur dielli fillonte të digjej shumë fort, ata shkonin në shtëpi, por jo për të pushuar, por për të filluar të bënin fije me gjethet e duhanit të mbledhur. Gishtat e tyre bëheshin aq të zinj nga katrani, sa nuk mund të laheshin. Dhjetë vjet më parë nuk kishte asnjë familje e cila të mos e kultivonte duhanin.
Ai është sjellë në trojet tona nga banorët e zonës që kanë punuar në magazinat e duhanit në Ksanthi – vendasit i kanë sjellë farat e duhanit në vendlindje, por e kanë bërë fshehurazi, sepse në fillim të shekullit në Perandorinë Osmane ishte e ndaluar kultivimi i duhanit nga myslimanët.
Kushtet për kultivimin e tij janë shumë të favorshme, megjithëse arat tona janë të vogla dhe të copëtuara, por vetë toka është jashtëzakonisht e përshtatshme dhe për këtë duhani është kultivuar në masë - kryesisht varietetet orientale dhe së fundmi varieteti "Krumovgrad".
Të dhënat e para për kultivimin e duhanit në Ardino datojnë nga viti 1847, kur vendbanimi quhej Egri Dere, atëherë aty ka kaluar udhëtari francez Auguste Viquenel. Ai e bëri përshkrimin e parë të detajuar të malit të Rodopeve në një udhëtim, i cili përfundoi me një raport drejtuar drejtorit të përgjithshëm të duhanit në Paris. Në të përmendet gjithashtu duhani i prodhuar në rajonin e Ardinos.
Një histori kaq e pasur nuk mund të futet në një cep të vogël në muzeun e qytetit të Ardinos. Prandaj, me sugjerim të Bashkisë, i gjithë kati i dytë, i cili më parë përdorej si magazinë, iu nda Muzeut të Duhanit.
“Para se të krijonim muzeun, gjatë hulumtimit, vizituam disa fshatra në rrethin e Krumovgradit ku ende rritet duhani, dhe fshatrat afër nesh ku kultivohej kjo kulturë më parë” - thotë Taner Çobanov:
“Ne jemi kujdesur që vizitori kur të hyjë në muze, të mund të ndjekë të gjithë rrugën e duhanit – duke filluar nga përgatitja e arave e gjer te blerja e prodhimit nga magazinat e duhanit. Kështu u krijua ekspozita e përhershme me temë "Prodhimi i duhanit dhe manipulimi i duhanit në rajonin e Ardionos".
Menjëherë pas lajmeve të para në media për muzeun, na telefonuan shumë njerëz, shumica janë studiues të duhanit në trojet tona, por edhe prodhues të zakonshëm. Të gjithë shprehën gatishmëri të vinin dhe të ndihmonin. Prandaj, shpresoj që Muzeu i Duhanit në Ardino të bëhet një nga koleksionet muzeale më tërheqëse në Bullgari në vetëm 1-2 vjet”.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: Muzeu i Bashkisë së Ardinos
Arkeologët zbuluan në Plovdiv më shumë se 500 monedha nga periudha të ndryshme dhe shufra ari për të bërë bizhuteri. Gjetjet janë nga gërmimet e shpëtimit në rrëzat e Qytezës së Vjetër pranë portës së madhe lindore të Filipopollit të lashtë. Në epokën..
E quajnë Virgjëreshën e Shenjtë Nëna e Jetës së vërtetë, e cila me lutjet e saj shpëton shpirtrat e njerëzve nga vdekja. Ajo është më e dashura dhe më e lavdëruara pas Zotit, tek e cila të gjithë i drejtohen. Kisha e nderon atë më 15 gusht, Ditën e..
Dy kisha me emrin e Shën Nikollës ngrihen në një oborr në fshatin Vlladimirovo në rajonin e qytetit Montana të Bullgarisë Veriperëndimore. Njëra është ortodokse dhe tjetra katolike, gjysmë e rrënuar. Tempulli katolik u ndërtua në vitet 1422-1423 nga..