Turqia dëshiron të zgjerojë bashkimin doganor me BE-në
Ankaraja dëshiron të përditësojë urgjentisht bashkimin doganor me BE-në për të përmbushur realitetet ekonomike globale, raporton agjencia Anadolu. Bashkimi doganor BE-Turqi është krijuar që në vitin 1995, por është i kufizuar në mallrat industriale dhe produktet bujqësore të përpunuara. Marrëveshja tregtare duhet të shtrihet në shërbimet dhe prokurimet publike, tha ministri i tregtisë Ömer Bolat. Ai pranoi përfitimet e bashkimit, por vuri në dukje se kufizimet pengojnë ndjeshëm bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të Turqisë me BE. Ka "probleme të vazhdueshme strukturore" në marrëveshjen aktuale, e cila është parashikuar si një marrëveshje e përkohshme deri në anëtarësimin e plotë në BE. Turqia është i vetmi vend jashtë BE-së që ka një marrëveshje për bashkim doganor me komunitetin.
Bukureshti dëshiron të blejë portin moldavian Giurgiulești
Rumania dëshiron të blejë portin e vetëm të Moldavisë në Danub, ku rrjedh lumi kufitar Prut. Ish-republika sovjetike ka dalje në Detin e Zi përmes portit të Giurgiulești, raporton Digi24. Porti trajton një pjesë të trafikut të mallrave nga dhe për në Ukrainë të devijuara për shkak të luftës. Aktualisht është në pronësi të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Banka nuk konfirmon nëse do të negociojë me Bukureshtin mbi marrëveshjen. Giurgiulești është një brez i vogël prej 430 metrash dhe i jep Moldavisë qasje në Danub. Ish-republika sovjetike mori daljen e saj në vitin 1999 nga Ukraina përmes një shkëmbimi territoresh. Giurgiulești është porti i vetëm i Moldavisë që është gjithashtu i aksesueshëm për anijet detare. Rumania ka tre porte të tilla të Danubit në Galați, Brăila dhe Tulcea. Ato kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me portet ukrainase lumore-detare Reni dhe Izmail të bombarduara nga Rusia.
Serbët nuk janë të vetëdijshëm se çfarë do të ndodhë me Kosovën
Sipas 46% të qytetarëve të anketuar serbë, Serbia e ka humbur Kosovën. 1/3 janë në pozicion të kundërt dhe 1/5 e të anketuarve nuk përgjigjen, sipas një studimi përfaqësues nga Instituti i Çështjeve Evropiane dhe Smart Plus Research, të cituar nga TV En 1. Opinionet nëse Beogradi do ta njohë pavarësinë e Kosovës janë të ndarë - 32 .3% besojnë se është e mundur, 39.8% - se Serbia nuk do ta njohë, ndërsa 27.9% nuk mund të përgjigjen. Krahasuar me anketat e mëparshme, ka një rritje të dukshme të atyre që besojnë se qeveria do ta njohë Kosovën. Njohja e Kosovës si kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE nuk mbështetet nga shumica e qytetarëve serbë – 69.8%. Shumica e të anketuarve, ose 45.3%, besojnë se qeveria nuk mund ta rimarrë kontrollin e Kosovës.
Kroatët do të kërkojnë një punë të dytë për ta ndihmuar buxhetin e familjes
Dy nga tre kroatë po mendojnë të gjejnë një punë të dytë për të përmbushur nevojat e tyre bazë, njoftoi agjencia kroate e lajmeve HINA, duke cituar një sondazh nga uebsajti i kërkimit të punës MojPosao. 67% e 750 të anketuarve po mendojnë të gjejnë një punë të dytë, tregon anketa. Rritja e çmimeve për energjinë elektrike, ushqimin dhe shpenzimet e tjera të jetesës po vënë në provë shumë njerëz që punojnë dhe familjet e tyre, vuri në dukje faqja e specializuar. Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të pagave, shumë kroatë kanë vështirësi në plotësimin e nevojave të tyre bazë. Sipas shumicës së të anketuarve, shumica e të ardhurave të tyre - deri në ¾ e pagës - shkojnë për ushqimin dhe pagimin e faturave, vëren HINA.
Rezidenca e diktatorit Enver Hoxha po kthehet në një qendër arti
Qeveria shqiptare ka vendosur ta kthejë shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha në një qendër arti, raportoi agjencia telegrafike shqiptare ATA. Qeveria në Tiranë ka miratuar uljen e qirasë për disa prej ambienteve në “Rezidencën qeveritare Vila 31” në Tiranë me qëllim zbatimin e projektit kulturor “Vila Art Rezidencë Tirana”. Sipas vendimit, masa e qirasë do të jetë e barabartë me koston e energjisë elektrike, ujit dhe mirëmbajtjes së ambienteve për kohëzgjatjen e projektit. Rezidenca në fjalë, ku banonte familja e Enver Hoxhës, ndodhet në lagjen “Blloku” të Tiranës. Në socializëm, "qyteti i ndaluar" i nomenklaturës së lartë komuniste ishte i paarritshëm për njerëzit e zakonshëm. Sot, vila e famshme nr. 31 është një rezidencë qeveritare që jepet me qira nga autoritetet.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Vesella Mançeva
Foto: aa.com.tr, gifp.md, n1info.rs, hina.hr, ndertimi.info
Sipas të dhënave nga exit poll-et e të gjitha agjencive sociologjike, GERB-SDS me lider Bojko Borisov është padyshim forca e parë politike. Vitet e fundit partia është përmbajtur nga komentet para shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ...
Në prag të zgjedhjeve të gjashta të parakohshme parlamentare në më pak se tre vjet, vërehet lodhja e qytetarëve bullgarë nga pashpresa menaxheriale. Një gjë e tillë duket se ekziston edhe në fushën politike – dëshmi është fushata tejet letargjike..
Abdullah Öcalan propozoi bisedime paqeje me PKK nga burgu Lideri i Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), Abdullah Öcalan, i cili po vuan një dënim me burgim të përjetshëm, u vizitua nga një i afërm i tij për herë të parë..