Programi i ditës
Madhësia e tekstit
Radioja Kombëtare Bullgare © 2024 Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Ngjarjet me adresë ballkanike

Një ferr i zjarrtë në Greqi


Zjarre të shumta shpërthyen në territorin e Greqisë ditët e fundit dhe grimcat e pluhurit në ajër tejkaluan 10 herë normën. Edhe Athina e gjeti veten nën një qiell të zi. Zjarret shkatërruan dhjetëra mijëra hektarë pyje. Në parkun kombëtar “Dadija” pranë kufirit turk, sipas policisë, u gjetën më shumë se 20 trupa të djegur - të emigrantëve të paligjshëm që ishin fshehur. Ndërkohë, autoritetet organizuan evakuimin e banorëve vendas, turistëve, emigrantëve dhe banorëve të banesave sociale nga zonat e rrezikshme. Në shuarjen e zjarreve u përfshinë edhe ekipe të huaja, mes të cilëve 36 zjarrfikës shumë të trajnuar nga Bullgaria. “E gjithë jeta jonë ka ikur. Shikoni, gjithçka është në zjarr”, tha për BNT një banor i periferisë së Athinës, Fili, ku u dogjën shtëpi, dyqane dhe një fabrikë. “Në momentin që shkoni diku, sistemi i njoftimeve ju dërgon informacione për drejtimin që duhet të shkoni, ku rrugët janë të mbyllura”, tregon një bashkatdhetari ynë në Greqinë Veriore për organizimin e ofruar nga autoritetet lokale. Për momentin situata është përmirësuar lehtë pas reshjeve të papritura të dendura të shiut. Policia ndaloi disa persona për tentativë zjarrvënie, raportoi nga Greqia korrespondentja e BNR Katja Peeva.

Hakan Fidan: Presim që BE të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Turqisë


Turqia planifikon të diskutojë me përfaqësuesit e BE në shtator rinovimin e udhërrëfyesit të marrëdhënieve të saj me bllokun. "Ne presim që BE të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Turqisë. Ne e dimë se deri më tani nuk është bërë asnjë vlerësim racional dhe procesi ishte i politizuar". Kështu tha ministri i jashtëm turk Hakan Fidan në përgjigje të një pyetjeje të BTA-së gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministren dhe ministren e jashtme të Bullgarisë Maria Gabriel, e cila ishte për vizitë në Ankara. Sipas Fidan, anëtarësimi i Turqisë do të forcojë pozitën e BE-së si një faktor global, por vendet anëtare të BE-së nuk e konsiderojnë këtë çështje në këtë mënyrë. Në samitin e NATO-s të 11-12 korrikut në Vilnius, Turqia ra dakord të heqë veton ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO nëse hapet rruga e Turqisë drejt anëtarësimit në BE.

Turqisë iu dha statusi i kandidatit për anëtarësim në BE në vitin 1999, por që nga viti 2018, negociatat e pranimit kanë ngecur për shkak të shqetësimeve të BE-së mbi abuzimet e të drejtave të njeriut dhe respektimin e sundimit të ligjit në vend.

Lidhja e gazit Serbi-Bullgari pritet të jetë gati në tetor


Ministrja serbe e Energjisë Dubravka Đedović inspektoi ndërtimin e lidhjes ndërsistemore të gazit Serbi-Bullgari. Ajo pret që tubacioni i gazit të përfundojë këtë tetor, njoftoi Radio Televizioni Serb. Sipas Đedović, 100% e tubacioneve për ndërtimin e gazsjellësit janë dorëzuar, 70% janë vendosur dhe 45% e objekteve tokësore janë ndërtuar. Nëpërmjet gazsjellësit të ndërtuar tashmë midis Bullgarisë dhe Greqisë, mundësohet lidhja me burimet e gazit që arrijnë në Greqi, kryesisht nga Azerbajxhani dhe rajoni i Kaspikut dhe terminalet për gazin natyror të lëngshëm. "Me këtë gazsjellës, Serbia merr një siguri më të madhe energjetike dhe gjithashtu do të luajë rolin e një vendi tranzit për rajonin, si në rastin e gazsjellësit Rrjedha Ballkanike," vuri në dukje Đedović.

Ndërtimi i interkonjektorit kushton rreth 90 milionë euro. Prej tyre 49,6 milionë euro janë grante nga BE-ja, 25 milionë euro janë kredi të favorshme nga Banka Evropiane për Investime, pjesa tjetër është bashkëfinancim i Serbisë.  

Fushata “Montenegro365” për Malin e Zi si një destinacion i gjelbër


Të ardhurat e Parqeve Kombëtare të Malit të Zi për herë të parë kaluan 2 milionë euro deri më 20 gusht të këtij viti dhe vizitorët janë 80 mijë më shumë se në vitin rekord para pandemisë 2019, raportoi Radio Televizioni i Malit të Zi, duke cituar një postim të kryeministrit Dritan Abazović në Twitter. Deri më tani në vitin 2023, parqet malazeze janë vizituar nga gjithsej 459 500 njerëz. “Çfarë fitoreje për një Mal të Zi të gjelbër. Urime menaxhmentit të Parqeve Kombëtare dhe të gjithë promovuesve të bukurive natyrore të vendit tonë, të cilët kanë dhënë një kontribut për arritjen e këtij rezultati të shkëlqyer”, ka shkruar Abazović. Ai shtoi se vendi do të vazhdojë të zhvillojë fushatën Montenegro365, duke e quajtur Malin e Zi një destinacion të gjelbër.

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: BGNES, rts.rs, mfa.bg, Twitter/DritanAbazovic


Më shumë nga rubrika

Edhe nëse liderët e forcës së parë politike Bojko Borisov dhe të DPS-së Deljan Peevski bien dakord për një kabinet të përbashkët, ata do të kenë nevojë për mbështetjen e një lojtari të tretë politik

Dilema - qeveri e rregullt apo zgjedhje në vjeshtë, mbetet edhe pas 9 qershorit

Fitorja në dukje vendimtare e GERB-SDS në zgjedhjet për parlamentin kombëtar nuk do të thotë se partia me çdo kusht do të arrijë të formojë një qeveri në të vetmen formë të mundshme të imponuar gjatë qeverisjes së fundit, pra të ashtuquajturin..

botuar më 24-06-11 6.55.PD

Bullgaria në zgjedhjet evropiane

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian më 9 qershor 2024 kaluan pa lëkundje të veçanta për formacionet drejtuese politike. Partia Popullore Evropiane dhe socialistët mbeten në krye dhe ndoshta do të vazhdojnë të ndjekin politikat e tyre të përshkruara...

botuar më 24-06-10 2.11.MD

Prof. i asociuar Hristo Hristev: Parlamenti Evropian nuk është çështje numrash, por përgatitjeje dhe kuptimi se si funksionon BE-ja

Parlamenti Evropian është organi i vetëm në BE i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët. 6 138 050 votues bullgarë kanë të drejtë të emërojnë 17 përfaqësues politikë për ta përfaqësuar Bullgarinë në Parlamentin e ri Evropian për pesë vitet e..

botuar më 24-06-09 9.10.PD