Çdo ekstrem në temperatura na çon në pyetjen nëse nxehtësia dhe i ftohti i ngrirë janë rezultat i ndryshimeve klimatike ose kujtesa njerëzore thjesht i ka harruar këto përjetime. Prandaj, edhe në kulmin e verës, kur temperaturat arrijnë 40 gradë Celsius, ne po kërkojmë një përgjigje me sa fenomenet aktuale meteorologjike janë diçka e zakonshme në planetin tonë.
“Është normale që të ketë temperatura kaq të larta gjatë verës në trojet tona – thotë Anastasia Stojçeva nga Instituti Kombëtar i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë në Akademinë Bullgare të Shkencave. “Stina e freskët është më e pazakontë, sesa temperatura prej 40 gradë.”
Sinoptikja na kthen në vitin 1916, kur më 5 korrik u arrit rekordi absolut prej 45.2 gradë në qytetin jugor të Sadovos. Ajo na kujton edhe vitet e tjera me mot të nxehtë - 1927, 1965, 1988, duke përfshirë vitin 2000, i cili është më afër kohës së sotme, kur vera ishte një nga më të nxehtat dhe më të thatat.
“Tani për tani ka pak të ngjarë që të përmirësohet ky rekord absolut në vend – thotë Anastasia Stojçeva. - Me shumë gjasa temperatura do të kalojë 40 gradë në Fushën e Danubit, në Ultësirën e Trakisë së Epërme, por në përgjithësi deri në fund të verës nuk priten temperatura që të arrijnë deri në 45 gradë e lart. Megjithatë, ato do të mbeten më të larta se normat klimatike.”
Për shkak të ditëve të nxehta, Kryqi i Kuq Bullgar këshillon që të mos dalim në pjesën më të nxehtë të ditës, por nëse është e nevojshme, të jemi me kapelë, rroba me ngjyra të çelura dhe të përdorim krem kundër diellit. Inspektorati i Punës u bën thirrje punëdhënësve të marrin masa për uljen e rrezikut në vendin e punës. Kur punoni jashtë, rekomandohet të bëni më shumë pushime dhe të ndryshoni orarin e punës.
E duke qenë se vapa ndikon madje më të shëndetshmit mes nesh, sinoptikja na fton të qëndrojmë në hije pasdite.
“Kur jemi në një vend të populluar, në këto ditë më të gjata të vitit, temperaturat më të larta ndodhin ndërmjet orës 16:00 dhe 18:00”, shton Anastasia Stojçeva. - Pikërisht atëherë dielli ka bërë që ajri pranë sipërfaqes së tokës të ngrohet. Ne i ndjejmë këto temperatura në një lartësi prej rreth 2 m dhe kështu i matim - në qelinë meteorologjike, në hije, të mbrojtura nga rrezet e diellit direkte, sepse në asfaltin e ngrohur mund të matim vlera shumë më të larta".
Në ditët e nxehta që na presin, është mirë të pimë më shumë ujë për të shmangur dehidratimin.
“Sasia është 30 mililitra për çdo kilogram të peshës sonë plus 1 litër tjetër – shpjegon doktor Kostadin Sotirov, kryetar i Shoqatës së Mjekëve në Plovdiv. – Kjo do të thotë të merrni 2-3 litra në mënyrë të barabartë gjatë gjithë ditës, jo të gjitha menjëherë në mëngjes ose në mbrëmje. Kur dalim, është mirë të mbajmë një shishe ujë dhe të pimë një gotë çdo orë”.
Të gjithë ndiejmë siklet në vapë, por si ndikon kjo te njerëzit me probleme shëndetësore?
“Personat me sëmundje kronike – kryesisht tension të lartë, ndihen më mirë në mot të nxehtë, sepse vapa zgjeron enët e gjakut dhe përmes një mekanizmi të tillë natyral ulet presioni i gjakut – thotë doktor Kostadin Sotirov. "Megjithatë, nëse kjo ndodh papritur, mund të çojë në humbje të vetëdijes dhe, duke rënë, njeriu mund të godasë veten."
Dhe, megjithëse ne shpesh pimë alkool në vapë - duke u çlodhur në breg të detit, në freskinë e maleve ose “të ankoruar” për shkak të orarit tonë ditor në shtëpi, është mirë t'i përmbahemi rregullit të thjeshtë të pirjes së shumë uji së bashku me të. Kjo vlen edhe për kafenë, e cila gjithashtu dehidraton trupin. Por nëse me ndonjë mjet magjik arrijmë të përmbahemi nga marrja e tyre, mund të bëjmë ajranin më të zakonshëm - nga kosi i vërtetë, për më shumë humor dhe forcë për të shijuar verën.
Përpiloi: Diana Cankova (janë shfrytëzuar intervistat e Diana Donçevës nga programi “Horizont” dhe Antonia Popova nga BNR Plovdiv)
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: BTA
Bullgarë nga 18 vende, 34 shkolla jashtë dhe 8 pedagogë bullgarë nga universitetet jashtë vendit janë pjesëmarrës në vitin e parë të Programit Kombëtar "Tregimet e pathëna të bullgarëve", i cili kërkon fakte pak të njohura për bullgarët e denjë apo ngjarje..
Nga raporti i Këshillit të Ministrave për zbatimin е "Strategjisë Kombëtare të Përditësuar për Zhvillimin Demografik të Popullsisë në Republikën e Bullgarisë" në vitin 2023 del qartë se për herë të parë në 38 vjet në Bullgari raporti ndërmjet rritjes..
Pak ditë më parë në Bllagoevgrad u pikturua një grafiti-mural shumëngjyrësh i krijuar në lidhje me 20-vjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Vepra e artit të rrugës u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë,..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e..