Java që kaloi ishte mjaft e pasur në përmbjatje në Shkollën Verore të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare, e cila zhvillohet me mbështetjen e Universitetit të Veliko Tërnovos “Shenjtorët Kirili dhe Metodij”, në Universitetin e Tiranës, e para shkollë e këtij lloji në Shqipëri. Ajo organizohet nga Departamenti i Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës (FGJH). Gjatë këtyre ditëve, përveç mësimit të gjuhës praktike të bullgarishtes, të drejtuara nga Prof. As. Dr. Raqi Bello, lektor i gjuhës dhe letërsisë bullgare në Universitetin e Tiranës dhe Dr. Miranda Bello, pedagoge e Universitetit të Veliko Tërnovos, studentët patën nderin dhe kënaqësinë të ndiqnin referate mjaft interesante nga profesorë të dëgjuar bullgarë. Në kuadër të programit Erasmus+ midis Universitetit të Tiranës dhe universiteteve bullgare, respektivisht Universitetit të Veliko Tërnovës “Shenjtorët Kirili dhe Metodi” dhe Universitetit Jugperëndimor „Neofit Rillski“, Bllagoevgrad, në Shkollën Verore morrën pjesë disa profesorë nga këto universitete bullgare.
Më datë 7 korrik, Shefi i Departamentit të Gjuhës Bullgare në Fakultetin Filologjik të Universitetit Jugperëndimor „Neofit Rillski“, Bllagoevgrad, Bullgari – Prof. Asc. Dr. Radosllav Conev, prezantoi shkurtimisht para studentëve fakultetin dhe Universitetin e Bllagoevgradit, si dhe mundësitë që studentët e Universitetit të Tiranës të vizitojnë Bllagoevgradin, këtë qytet universitar në Bullgari, përmes programit Erasmus+. Ai vuri në dukje dhe marrëdhëniet e mira që ka departamenti i tyre me Departamentin e Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Në prezantimin e tij para studentëve Prof. Conev theksoi disa nga veçoritë më karakteristike semantike dhe fjalëformuese të pseudonimeve të personaliteteve më të njohura në Bullgari dhe tregoi se kërkimet shkencore onomastike mund të paraqiten në mënyrë të kuptueshme dhe interesante. Prezantimi i profesorit nga Bullgaria ngjalli interes tek studentët të cilët sollën shembuj konkretë dhe nga Shqipëria.
Më datën 10 korrik, Prof. Dr. Sllavi Dimitrov, njëkohësisht dhe Zv. Dekan për Kërkimin Shkencor dhe Marrëdhëniet me Jashtë i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Veliko Tërnovos “Shenjtorët Kirili dhe Metodij”, mbajti ligjëratën me temë: “Trashëgimia kulturore dhe historike e Veliko Tërnovos si mundësi për zhvillimin e turizmit”. Në të njëjtën ditë, një tjetër pedagoge e Universitetit të Veliko Tërnovos, Dr. Tatjana Dimitrova prezantoi Universitetin e Veliko Tërnovos si qendër e rëndësishme e arsimit dhe kulturës bullgare dhe i njohu pjesëmarrësit me mundësitë e studimit në fakultetet e ndryshme të këtij universiteti dhe realizimin e studentëve që dipolomohen në të.
Më 11 korrik 2023, studentët e Shkollës Verore të Bullgarishtes ishin mysafirë në ambientet e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Tiranë. Ata u ftuan personalisht nga Ambasadori, Shkëlqesia e Tij, Z. Ivajllo Kirov. Para pjesëmarrësve Z. Kirov foli për historinë e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë që janë më shumë se 100 vjeçare, shumë dimensionale, të ndërthurara në fusha dhe sektorë të ndryshëm. Ai foli dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera historike midis popullit shqiptar dhe atij bullgar që janë shumë të vjetra. Zoti ambasador vuri theksin dhe në perspektivën e përbashkët europiane të të dy vendeve. Ndërsa zv. ambasadori, Z. Asen Paçev prezantoi bashkëpunimin mes Bullgarisë dhe Shqipërisë në sferën e arsimit dhe projekteve që janë realizuar me ndërmjetësinë e Ambasadës Bullgare. Diplomatët bullgarë shprehën mirënjohje për Universitetin e Tiranës dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe mbështetjen që i jep studimit të gjuhës bullgare. Të pranishëm në këtë takim ishin dhe përfaqësues të Universitetit të Veliko Tërnovos Prof. Dr. Cenka Ivanova, Prof. Dr. Sllavi Dimitrov dhe Dr. Tatjana Dimitrova.
Më 12 korrik 2023, në Shkollën Verore të Bullgarishtes mori pjesë dhe Prof. Dr. Cenka Ivanova nga Universiteti i Veliko Tërnovos „Shenjtorët Kirili dhe Metodij“, dy mandate dekane e Fakultetit Filologjik. Ajo mbajti një ligjëratë me temë "Gjuha bullgare në komunikimin ndërkulturor". Prezantimi i saj, i shoqëruar me shumë materiale ilustruese, tërhoqi vëmendjen e pjesëmarrësve të Shkollës Verore të bullgarishtes tek veçoritë e komunikimeve gjuhësore dhe ndërkulturore në botën e sotme të globalizimit. Mjetet e komunikimit midis popujve po ndryshojnë me një ritëm shumë të shpejtë në botën e sotme. Nga njëra anë, dallimet i bëjnë njerëzit dhe kulturën që ata përfaqësojnë unike. Nga ana tjetër, nevojiten njohuri të sistematizuara për të kuptuar dhe deshifruar kulturën e tjetrit. Kuptimi i fjalëve dhe shprehjeve, të cilat duhen njohur më në thellësi, mund ta vështirësojnë komunikimin me një folës të një gjuhe dhe kulture tjetër. Kjo dukuri është fakt edhe kur përfaqësuesit e një grupi minoritar, kur kanë jetuar brez pas brezi jashtë territorit të atdheut, fillojnë të njohin dhe studiojnë gjuhën standarde moderne. Prof. Ivanova prezantoi grupe tematike leksikore dhe shprehje, të cilat përmbajnë një pasuri të kodeve të kulturës, mentalitetit dhe botëkuptimit bullgar. Prezantimi përfshinte edhe momentet kryesore të qytetërimit bullgar përmes një fjalori të veçantë: hapësira dhe natyra, institucionet shtetërore dhe jeta politike, historia dhe simbolet historike, karakteristikat etnografike dhe social-kulturore, festat dhe traditat fetare dhe laike. Për të ilustruar kujtesën kulturore të popullit bullgar dhe mënyrën se si ai njihet nga kombet e tjera, u treguan fjalë kyçe që lidhen me emrat e figurave historike dhe heronjve kombëtarë; të artistëve nga fusha të ndryshme të artit, shkencës dhe sportit; të vendbanimeve emblematike; të zakoneve, simboleve etno-kulturore, tendencave moderne. Shumëllojshmëria tematike e leksionit dhe disa shembuj e fakte ngjallën interes te dëgjuesit për një krahasim me kulturën shqiptare. Profesoreshë Ivanova e ofroi prezantimin e saj për t'u përdorur si një mjet arsimor, për t'u zgjeruar dhe plotësuar, për të nxitur kureshtjen për kulturën e popullit bullgar. Prof. Ivanova u prit dhe nga Dekanja e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, prof. Dr. Esmeralda Kromidha. Profesoresha nga Bullgaria falenderoi Dekanen për mbështetjen që gëzon gjuha bullgare në këtë Fakultet.
Më datën 13 korrik 2023 referat mbajti dhe Prof. As. Dr. Raqi Bello pedagog i Universitetit „Shenjtorët Kirili dhe Metodij“ i Veliko Tërnovos dhe njëkohësisht lektor i gjuhës bullgare në FGJH të Universitetit të Tiranës. Referati i tij ishte me temë: „Trëndafili – Simboli i Bullgarisë“. Studentët u njohën me „Luginën e trëndafilave“ që ndodhet në Bullgarinë Qendrore, e cila i ka dhënë famën Bullgarisë si prodhuesi më i madh i vajit të trëndafilit, një vaj shumë i kërkuar në industrinë farmaceutike dhe atë të parfumerisë në botë. Trëndafili është kthyer në një nga simbolet e Bullgarisë. Studentët ndoqën dhe një film të shkurtër dokumentar kushtuar Luginës së trëndafilave.
Foto: R. Bello
Eurodeputetët dëgjuan 26 kandidatët për komisionerë në Komisionin e ri të Ursula von der Leyen në komisionet përkatëse. Megjithatë, përfundimi i procedurës nuk çoi në një marrëveshje mes forcave politike për Komisionin e ardhshëm Evropian dhe ambicia është..
Minoriteti kombëtar bullgar në Shqipëri është një nga më të mëdhenjtë në vend, sipas të dhënave nga censi i fundit zyrtar i popullsisë atje. 7 057 persona janë deklaruar si bullgarë, në krahasim me 23 000 që janë identifikuar si grekë, 12 000 si..
Një pemë e Krishtlindjeve me dekorime bullgare është vendosur në një vend qendror në Muzeun e Industrisë në Çikago. Për të pestin vit radhazi, bashkatdhetarët nga qyteti amerikan bënë dekorimin luksoz të pemës bullgare të Krishtlindjes me mbi 30 mijë drita..
105 vjet më parë, më 27 nëntor 1919, në periferinë e Parisit, Neuilly-sur-Seine, u nënshkrua një traktat që i dha fund zyrtarisht pjesëmarrjes së Bullgarisë..
Në BE ka reagime të ndryshme në lidhje me vendimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të godasë thellë brenda territorit rus me armët e..