Nga data 2 deri më 7 korrik të këtij viti Qendra e Artit "Karnolsky " organizon festivalin ndërkombëtar të artit Magia Italiana, i cili mbahet në parkun argëtues me famë botërore "Mirabilandia" me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve nga pesëmbëdhjetë vende. 24 vjet më parë, kompozitori Dimitër Karnollski e nisi festivalin me një sërë koncertesh në rajonin italian të Emilia-Romagna. Dhe sot djali që mban emrin e tij vazhdon veprën e babait të tij të ndjerë.
“Ne jemi i vetmi produksion i jashtëm që kemi mundësi të prezantojmë një spektakël dhe një program konkurrues në këtë vend – thotë producentja e festivalit. “Mblodhëm mbi 400 pjesëmarrës dhe kjo pas pandemisë është një shenjë e mirë, pasi nuk e mbajtëm festivalin për dy vjet. Tashmë me forca dhe miqësi të reja do t'i kthejmë shkëlqimin, aq më tepër që është nën patronazhin e konsullit të nderit të Bullgarisë për Emilia-Romagna, Franco Castellini, i cili do të jetë i pranishëm dhe do t'i shpërblejë më të mirët me diploma. Ne kemi ofruar edhe një çmim të madh special. Gjysma e jurisë përbëhet nga profesionistë italianë, dhe tjetra - nga muzikantë, kërcimtarë, vokalistë dhe mësues me përvojë shumëvjeçare në vende të ndryshme".
Një nga ngjarjet interesante të festivalit do të jetë interpretimi i një kënge të përbashkët të kompozuar enkas për ngjarjen nga Gianni Neppi - një mësues vokal me një shkollë të madhe në qytetin italian të Piombino.
“Kënga do të jetë një lloj përfundimi i koncertit gala – shpjegon Dimitër Kërnollski. – Të gjithë pjesëmarrësit do ta mësojnë atë së bashku me kompozitorin në një master klasë dhe do të ftohen në skenë. Përveç në Pepsi Theatre në "Mirabilandia", që është një sallë shumë e bukur me mbi 500 ulëse, do të kemi shfaqje edhe në shëtitoren në Rimini, ndoshta edhe në sheshin përballë komunës në Riccione, ku grupi i njohur "Maneskin” filloi karrierën. Këtu dua të veçoj pjesëmarrjen e studios teatrore "Smehurko" nga Bankja - të rinj të shkëlqyer bullgarë që prezantojnë artin e tyre në nivel profesional. Do të mund të prezantojmë fëmijët tanë, si dhe përfaqësues të komunitetit bullgar në Itali nga Milano, Padova dhe Rimini, të cilët do të përshëndesin të ftuarit nga jashtë dhe do të tregojnë krijimtarinë bullgare”.
Gjysma e pjesëmarrësve në festival vijnë nga qytete të ndryshme bullgare, që sipas Dimitër Kërnollskit është një shenjë e mirë. “Do të prezantojmë kompozime shumë të mira dhe sidomos këngëtarë të shkëlqyeshëm pesë-gjashtë vjeçarë”, siguron ai.
Pas magjisë italiane, interpretues të talentuar do të vizitojnë bregdetin bullgar, ku konkursi ndërkombëtar “KarnolskySummerCamp”rikthehet për edicionin e tij të katërt. Nga data 16 deri më 21 gusht, fëmijët dhe të rinjtë do të garojnë në kategoritë “vokal”, “kërcim”, “orkestra” dhe “folklor” në vendpushimin “Sllënçev Brjag”. Përveç kësaj, janë planifikuar punëtori të ndryshme dhe klasa master. Veprimtaria do të përfundojë me një koncert gala me pjesëmarrjen e interpretuesve të njohur bullgarë në Teatrin Antik në qytetin e vjetër të Nesebërit.
Prej më shumë se 30 vitesh, Qendra e Artit e Dimitër Kërnollski po i njeh fëmijët me një botë të bukur dhe më shpirtërore, duke u ofruar atyre mundësi për të ndarë me publikun gëzimin që kanë përjetuar me artin.
“Tek ne kjo nuk është kurrë me çdo kusht – thotë Dimitër Kërnollski. – Duhet të ketë një dëshirë, duhet krijuar komunikim i mirë mes mësuesit dhe nxënësit dhe mbi të gjitha duhet të ketë miqësi, që gjërat të shkojnë mirë. Çdo fëmijë dëshiron të merret me art, me shkenca të ndryshme – qoftë robotikë, kërcim, muzikë, vizatim apo diçka tjetër, ndaj edhe ne përpiqemi t'i japim një bazë të mirë. Por gjëja më e rëndësishme është që ata të rriten të sigurt dhe të qetë.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Qendra e Artit "Karnolsky"
Institucioni më i madh i arsimit të lartë në Portugali ka 252 000 studentë, 20 000 prej të cilëve janë nga kombësi të tjera. Në këtë konglomerat të veçantë kulturash, një vend të veçantë për më shumë se 30 vjet ka edhe kultura bullgare. Lektorati i..
“Njeriu e kupton se çfarë është atdheu kur e humb atë. Nëse je në shtëpi, ndez radion, dëgjon muzikën popullore, flet bullgarisht, shkon në teatër edhe atje flitet bullgarisht. Vetëm kur humbet gjithë këtë mund tia kuptosh mungesën” – thotë Radosllava..
Një marrëveshje për bashkëprodhime në kinematografi u nënshkrua në Prishtinë ndërmjet ministrit bullgar të kulturës Najden Todorov dhe homologut të tij kosovar Hajrulla Çeku, njoftoi KosovaPress konkretisht për BTA. Në ceremoni u vu në dukje, se ky..