Nga data 2 deri më 7 korrik të këtij viti Qendra e Artit "Karnolsky " organizon festivalin ndërkombëtar të artit Magia Italiana, i cili mbahet në parkun argëtues me famë botërore "Mirabilandia" me pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve nga pesëmbëdhjetë vende. 24 vjet më parë, kompozitori Dimitër Karnollski e nisi festivalin me një sërë koncertesh në rajonin italian të Emilia-Romagna. Dhe sot djali që mban emrin e tij vazhdon veprën e babait të tij të ndjerë.
“Ne jemi i vetmi produksion i jashtëm që kemi mundësi të prezantojmë një spektakël dhe një program konkurrues në këtë vend – thotë producentja e festivalit. “Mblodhëm mbi 400 pjesëmarrës dhe kjo pas pandemisë është një shenjë e mirë, pasi nuk e mbajtëm festivalin për dy vjet. Tashmë me forca dhe miqësi të reja do t'i kthejmë shkëlqimin, aq më tepër që është nën patronazhin e konsullit të nderit të Bullgarisë për Emilia-Romagna, Franco Castellini, i cili do të jetë i pranishëm dhe do t'i shpërblejë më të mirët me diploma. Ne kemi ofruar edhe një çmim të madh special. Gjysma e jurisë përbëhet nga profesionistë italianë, dhe tjetra - nga muzikantë, kërcimtarë, vokalistë dhe mësues me përvojë shumëvjeçare në vende të ndryshme".
Një nga ngjarjet interesante të festivalit do të jetë interpretimi i një kënge të përbashkët të kompozuar enkas për ngjarjen nga Gianni Neppi - një mësues vokal me një shkollë të madhe në qytetin italian të Piombino.
“Kënga do të jetë një lloj përfundimi i koncertit gala – shpjegon Dimitër Kërnollski. – Të gjithë pjesëmarrësit do ta mësojnë atë së bashku me kompozitorin në një master klasë dhe do të ftohen në skenë. Përveç në Pepsi Theatre në "Mirabilandia", që është një sallë shumë e bukur me mbi 500 ulëse, do të kemi shfaqje edhe në shëtitoren në Rimini, ndoshta edhe në sheshin përballë komunës në Riccione, ku grupi i njohur "Maneskin” filloi karrierën. Këtu dua të veçoj pjesëmarrjen e studios teatrore "Smehurko" nga Bankja - të rinj të shkëlqyer bullgarë që prezantojnë artin e tyre në nivel profesional. Do të mund të prezantojmë fëmijët tanë, si dhe përfaqësues të komunitetit bullgar në Itali nga Milano, Padova dhe Rimini, të cilët do të përshëndesin të ftuarit nga jashtë dhe do të tregojnë krijimtarinë bullgare”.
Gjysma e pjesëmarrësve në festival vijnë nga qytete të ndryshme bullgare, që sipas Dimitër Kërnollskit është një shenjë e mirë. “Do të prezantojmë kompozime shumë të mira dhe sidomos këngëtarë të shkëlqyeshëm pesë-gjashtë vjeçarë”, siguron ai.
Pas magjisë italiane, interpretues të talentuar do të vizitojnë bregdetin bullgar, ku konkursi ndërkombëtar “KarnolskySummerCamp”rikthehet për edicionin e tij të katërt. Nga data 16 deri më 21 gusht, fëmijët dhe të rinjtë do të garojnë në kategoritë “vokal”, “kërcim”, “orkestra” dhe “folklor” në vendpushimin “Sllënçev Brjag”. Përveç kësaj, janë planifikuar punëtori të ndryshme dhe klasa master. Veprimtaria do të përfundojë me një koncert gala me pjesëmarrjen e interpretuesve të njohur bullgarë në Teatrin Antik në qytetin e vjetër të Nesebërit.
Prej më shumë se 30 vitesh, Qendra e Artit e Dimitër Kërnollski po i njeh fëmijët me një botë të bukur dhe më shpirtërore, duke u ofruar atyre mundësi për të ndarë me publikun gëzimin që kanë përjetuar me artin.
“Tek ne kjo nuk është kurrë me çdo kusht – thotë Dimitër Kërnollski. – Duhet të ketë një dëshirë, duhet krijuar komunikim i mirë mes mësuesit dhe nxënësit dhe mbi të gjitha duhet të ketë miqësi, që gjërat të shkojnë mirë. Çdo fëmijë dëshiron të merret me art, me shkenca të ndryshme – qoftë robotikë, kërcim, muzikë, vizatim apo diçka tjetër, ndaj edhe ne përpiqemi t'i japim një bazë të mirë. Por gjëja më e rëndësishme është që ata të rriten të sigurt dhe të qetë.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Foto: Qendra e Artit "Karnolsky"
Si një galerie arti në mes të pyllit e përshkruajnë dëshmitarët shatërvanin me belvedere pranë fshatit Konçerajoni i qytetit Momçillgrad të Bullgarisë Jugore. Fillimi i ndërtimit u dha në vitin 1985 nga babai i Jusein Jusufit dhe një vit më vonë, kur..
Fitues të mëdhenj në edicionin e 28-të të Festivalit të Kinemasë Dokumentare dhe të Animuar Bullgare "Ritoni i Artë" janë filmi i animuar “Një sup i bardhë për një burrë të zi" i regjisorit Henri Kulev dhe filmi dokumentar "Dëshira e Gerit" nga Tonisllav..
Në librin “Bullgaria është kënga ime” Ilija Llukov na shfaqet si një patriot i madh që ka bërë shumë për Bullgarinë”. Kështu e karakterizon këngëtarin popullor që këndoi meloditë më të dashura nga rajoni i Maqedonisë, Galin Georgiev, etnograf dhe një..