„Këtu fillon Bullgaria - pesë gishta në një grusht hekuri. Të lidhur me traditën e lashtë, të skalitura në marshime dhe përpjekje!”
Kështu fillon himni i qytetit të Shumenit, duke kënduar fillimin epik të shtetit bullgar, i themeluar në vitin 681, në afërsi të qytetit të sotëm. Të shpërndara aty pranë janë mbetjet e kryeqyteteve të lashta bullgare të Pliska dhe Veliki Presllav. Dhe vetëm 17 km larg. nga qendra e Shumenit, lart në shkëmbinj, është skalitur „Kalorësi I Madarës” – i vetmi reliev guri monumental në Evropë i shekullit të 8-të, i përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore botërore, nën kujdesin e UNESCO-s. Kalorësi është pjesë e rezervatit historiko-arkeologjik "Madara", i njohur edhe si "Troja Bullgare", për shkak të pasurisë së pabesueshme të monumenteve të mijëvjeçarit të IV para Krishtit. deri në shekullin XV. Zona është e mbushur me manastire shkëmbore nga mesjeta e hershme, si dhe me atraksione natyrore të arritshme me rrugë të veçanta.
Svetllana Xhankova nga Qendra lokale e Informacionit Turistik na rekomandon të ngjitemi në Pllajën e Shumenit:
"Në territorin e Pllajës së Shumenit, ka dy manastire shkëmbore – i Konstantinovit dhe ai i Khan Krumit. Secila prej tyre lidhet me periudha të ndryshme të jetës eremite në trojet tona. Disa nga manastiret tona shkëmbore janë të shekullit të 8-të, dhe të tjerët janë të shekullit të 14-të dhe janë të lidhura me hesikazmën. Jo me më pak interes është monumenti "Themeluesit e shtetit bullgar" i ndërtuar për nder të 1300 vjetorit të themelimit të Bullgarisë“. Përveç kësaj, në pllajë ndodhet kalaja e Shumenit, nga ku filloi të zhvillohet qyteti i sotëm”, shton Svetllana Xhankova.
Kalaja u shkatërrua në v. 1444. Në ditët e sotme, një pjesë e vogël e saj është restauruar. Ekziston një muze në të cilin ekspozohen artefaktet e gjetura në territorin e saj, duke përfshirë dhe një mbishkrim i shekullit të 14-të, ku përmendet për herë të parë emri i qytetit të sotëm të Shumenit. Pamja nga maja e kalasë është një tjetër arsye për ta vizituar atë:
“I gjithë qyteti mund të shihet nga kalaja, si në pëllëmbë të dorës. Ju mund të shihni pjesën e saj të ruajtur mirë, me monumentet osmane të arkitekturës, kullën e sahatit, shatërvanët, bezistenin - ndërtesa më e vjetër në qytetin tonë, e krijuar nga tregtarët e Dubrovnik në shekullin e XVI-të, si dhe shumë tempuj të feve të ndryshme , sepse në Shumen ka tolerancë mes përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme”, thotë Svetllana Xhankova.
Nëse e doni natyrën dhe shëtitjet, kjo pjesë e Bullgarisë Verilindore do t'ju duket si një parajsë - rezervate natyrore të mbushura me lule dhe barishte aromatike, shpella dhe formacione karstike, shkëmbinj që ngrihen deri në qiell, mbi të cilët fluturojnë specie të rralla zogjsh...
"Në pranverë, turistët vijnë për të parë lulëzimin e orkideve" thotë Svetllana Xhankova dhe rekomandon të kontaktoni drejtorinë e Shumenit, ku do t'ju ofrojnë një udhërrëfyes malor ose harta speciale me rrugë për të vizituar mrekullitë arkeologjike dhe natyrore në afërsi.
Për më shumë shikoni:
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Foto: visitshumen.bg, arkiv, bulgariatravel.org
Për të katërtin vit, një nga vendet më të bukura për të fluturuar në botë – Shkëmbinjtë e Bellogradçikut , do të presë Festën e Balonave. Pilotë nga vende të ndryshme evropiane do të marrin pjesë me balonat e tyre në eventin, i cili do të..
Një kompleks i ri historik në Trojan tregon për heroizmin e bullgarëve vendas që morën pjesë në Luftërat Ballkanike (1912-1913), Lutën e Parë dhe Luftën e Dytë Botërore. Kompleksi paraqet historinë e Regjimentit të 34-të të Këmbësorisë së..
Kombinimi i një klime të favorshme, natyrës së bukur dhe ujërave të shumta minerale dhe baltës shëruese në Bullgari është i përshtatshëm për zhvillimin e mjekimeve të ndryshme në resortet tona. Në Kongresin e 11-të Vjetor të Unionit Bullgar të..
Tre mediat publike Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA) u shpërblyen nga Shoqata..